Vizitave të kancelares gjermane Angela Merkel në Ballkan, i ka kushtuar një shkrim të gjatë edhe magazina e njohur gjermane, Der Spiegel, ku me tone negative flet për qeveritë dhe vendet e Ballkanit, kryesisht kundrejt Maqedonisë e Bosnjës. “Prej vitit 2006 Maqedonia kontrollohet nga një qeveri autokratike dhe struktura mafioze, por s’është më mirë edhe në vendet tjera të rajonit,” shkruan Der Spiegel.
Më pas gazeta shkruan edhe për gjendjen e keq të mediave dhe fjalës së lirë. “Asnjë vend tjetër nuk ka bërë hapa mbrapa sa Maqedonia dhe kjo e fundit është bërë sinonim i të jetuarit keq nëse je kundër qeverisë”, shkruan mes tjerash Der Spiegel. Çudia është se artikulli ka foto të mbeturinave të Shkupit, si për të treguar gjendjen në të cilën ndodhet shteti. Sinjal i mirë për rajonin Përkundër toneve negative, perspektivës së humbur dhe numrit të azilkërkuesve në rritje, analiza e magazinës thekson se vizita e Merkelit në Tiranë, Beograd dhe Sarajevë, ka si qëllim për të treguar gatishmërinë e BE-së, për ti integruar vendet në gjirin Europian. “Angela Merkel dëshiron të sinjalizojë se Ballkani Perëndimor nuk është i harruar dhe se dyert e Europës janë gjithnjë të hapura.
Por vendet e Ballkanit duhet të kryejnë më shumë reforma, të kooperojnë më shumë me njëri-tjetrin,” përfundon shkrimi i Der Spiegel. Interesante është fakti se qeveria e Maqedonisë ka kryer disa reklama në magazinën Der Spiegel në kuadër të Invest in Macedonia, por magazina përkundër reklamave dhe përfitime nga ana e taksapaguesve maqedonas, nuk e ka kursyer qeverinë e Shkupit me kritika të ashpra.
/Koha Islame