-4.3 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Deputeti gjerman: Në Kosovë duhet të ndryshojnë elitat politike

Më të lexuarat

Parlamenti gjerman ka vazhduar mandatin e trupave të Bundeswehrit në kuadër të KFOR-it në Kosovë. Para votimit është zhvilluar një debat i rreptë mbi situatën e rëndë në Kosovë si pasojë e korrupsionit dhe sistemit oligarkik të pushtetit. Në adresë të Serbisë mesazhi ishte i qartë: rruga e anëtarësimit në BE kalon përmes pranimit të pavarësisë së Kosovës.

Një deputet i partisë së kancelares Angela Merkel kundërshtoi liberalizimin e vizave për kosovarët.

Trupat gjermane tashmë 16 vjet kujdesen për siguri dhe paqe në Kosovë. Dhe për çdo vit parlamenti gjerman diskuton për këtë mision ushtarak dhe voton për vazhdimin e pranisë së ushtarëve gjermanë në Kosovë. Kështu ishte edhe sivjet. Mandati u votua javën që shkoi dhe kjo u lajmërua në mediat shqiptare, por për opinionin e gjerë me rëndësi janë diskutimet e deputetëve gjermanë, të cilët ishin tepër kritik sa i përket zhvillimeve në Kosovë.
 
Deputeti i Partisë Socialdemokrate (SPD) Dietmar Nietan tha se dëshira më e madhe e palës gjermane është që gjendja në Kosovë të përmirësohet dhe t’i jepet fund qëndrimit të trupave të Bundeswehrit në Kosovë. Por, sipas tij, derisa gjendja në Kosovë mbetet e pasigurt, derisa Kosova nuk ndodhet në rrugë stabile, do të ishte e papërgjegjshme të ndërpritej misioni.
 
Deputeti Nietan theksoi se politikanët gjermanë nuk duhet të rehatohen në kolltukë, por të punojnë në ndryshimin e gjendjes së tanishme në Kosovë, të cilën e quajti ‘status quo’. “Ne duhet të bashkëpunojmë me ato forca që kanë interes të ndryshojnë gjendjen dhe jo që shikojnë duarkryq se cili klan çfarë pushteti ka dhe cilat para i grabit”, tha politikani i SPD-së. Ai shtoi se në Kosovë ka forca që duan ndryshime. Sipas tij në Kosovë duhet të ndryshojnë elitat politike dhe të shpërbëhen strukturat oligarkike.
 
Nietan tha se Gjermania duhet të mendojë se çfarë të bëjë bashkë me partnerët në Kosovë për t’i hapur rrugë zhvillimit pozitiv dhe perspektivës ekonomike – gjithnjë në bashkëpunim edhe me shoqërinë civile, në mënyrë që të luftohet korrupsioni dhe krimi, shkruan portali DialogPlus.
 
Deputeti socialdemokrat kërkoi një plan konkret për qeverisjen më të mirë të Kosovës dhe ndërmarrjen e iniciativave të reja. “Detyrë e jona është të bëjmë të qartë se ne kemi ndjeshmëri dhe interesohemi për zhvillimet politike”. Nietan tha se qëllimi është që një ditë ta përshëndesim Kosovën si shtet anëtar të BE-së. Për këtë, shtoi ai, duhet ndihmuar sidomos të rinjtë, sepse shoqëria kosovare është shumë e re dhe Gjermania duhet të angazhohet veçanërisht në luftimin e papunësisë mes të rinjve.
 
Nietan ishte i qartë sa i përket Serbisë. Ai tha se rruga e Beogradit drejt Bashkimit Europian kalon përmes pranimit të pavarësisë së Kosovës. Ky deputet i bëri apel edhe pesë shteteve të BE-së që ta pranojnë Kosovën.
 
Jashtëzakonisht e ashpër ka qenë deputetja e partisë “Die Linke” (E Majta) Sevim Dagdelen. Ajo tha se në 12 muajt e ardhshëm Gjermania do të harxhojë edhe 45 milionë euro për trupat e saj në Kosovë, por që nga viti 1999 atje nuk është arritur asnjë qëllim. Deputetja me origjinë turke theksoi se qeveria e Kosovës përbëhet nga kuadrot e UÇK-së, të cilën e quajti “organizatë terrori”. Dhe, sipas saj, kjo organizatë nën hijen e tankeve gjermane po e mbulon Maqedoninë me terror.
 
Dagdelen tha se politikanët në Gjermani duhet të vënë gishtin në kokë dhe të kuptojnë se ndërkohë Kosova është shndërruar në një vend prej të cilit shkojnë më së shumti banda të terrorit për t’iu bashkangjitur “Shtetit Islamik” në Siri dhe Irak, madje kjo, sipas saj, po ndodh para syve të NATO-s.
 
“Kosova është strehë e varfër. Njerëzit atje po votojnë me këmbë dhe po ikin nga sistemi i korruptuar”, tha Dagdelen. Në traditën e partisë së saj Dagdelen përsëriti se Gjermania me intervenimin në Kosovë dhe me njohjen e pavarësisë së saj ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
 
Deputeti Roderich Kiesenwetter nga fraksioni i partive konservatore CDU/CSU i hodhi poshtë deklaratat e deputetes majtiste Dagdelen. Ai tha se të akuzosh trupat gjermane për shkelje të të drejtës ndërkombëtare është tallje me historinë dhe përdredhje e fakteve. Kiesenwetter tha se shumica në Bundestag është e mendimit se në 25 vitet e fundit në Ballkan është arritur stabilitet.
 
“Para 100 vitesh atje nisi Lufta e Parë Botërore dhe para 25 vitesh qindra-mijëra njerëz erdhën në prehrin e sigurt të Europës. Para 15 vitesh NATO ka qenë në luftë me Serbinë dhe për një qime floku kemi shpëtuar nga konflikti me Rusinë. Sot kemi arritur që Ballkani të mos jetë më periferi e Europës. Përballë eskalimit që po e përjetojmë në Lindje Ballkani stabil kontribuon në paqësimin e kontinentit. Ne jemi të vetëdijshëm se në Ballkan çdo vend duhet shikuar ndaras”, deklaroi Kiesenwetter.
 
Si deputetët e tjerë edhe Kiesenwetter ishte i ashpër kur përshkroi gjendjen në Kosovë: «Kosova është një vend i varfër me 2800 euro të ardhura vjetore për kokë banori. Papunësia e të rinjve është 40 për qind. Vitin e kaluar qeveria për gjashtë muaj e ka lënë vendin nën mëshirën e fatit dhe tani mezi po funksionin koalicioni. Ne duhet ti kushtojmë shumë vëmendje sundimit të ligjit në Kosovë, krimit të organizuar dhe islamizmit në rritje. Në Shqipëri ka probleme me sistemin e drejtësisë dhe sfida me krimin e organizuar. Në Maqedoni disa forca po tentojnë të destabilizojnë Ballkanin. Serbia, prej së cilës nisi konflikti (në vitet 90-të), tani luan rol të moderuar. Shtetet e Ballkanit duhet ta kuptojnë se vetëm bashkë mund të hyjnë në BE».
 
Kiesenwetter, politikan i CDU-së, partisë së kancelares Merkel, tha se EULEX-i duhet të luftojë korrupsionin edhe brenda vetes. Ai u shpreh kundër liberalizimit të vizave për kosovarët dhe kërkoi që të miratohen lehtësime për dhënie të vizave grupeve të caktuara, shkencëtarëve, firmave. Pa e përmendur shprehimisht Rusinë Kiesenwetter tha se “nuk duhet t’ia lëmë Ballkanin fuqive reaksionare”.
 
Në vijim u zhvillua një polemikë mes një deputeti të partisë “Die Linke” (E Majta) dhe deputetit Kiesenwetter mbi shkaqet e shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Derisa deputeti majtist ishte i mendimit se për këtë luftë fajin e bart militarizmi gjerman i asaj kohe, Kiesenwetter tha se konflikti ishte ndezur pas atentatit në Sarajevë, pas të cilit qëndronte nacionalizmi serb. Në këtë kontekst ai e këshilloi kolegun e tij majtist të lexojë librin e historianit Christopher Clark mbi rrethanat që i paraprinë Luftës së Parë Botërore.
 
Vazhdimin e mandatit të trupave gjermane në Kosovë e mbështeti edhe Partia e Gjelbër. Deputetja Gisela Manderla (CDU/CSU), folësja e fundit në debat, e quajti të drejtë intervenimin e NATO-s në Kosovë dhe angazhimin e pastajmë të trupave gjermane në kuadër të KFOR-it për t’i dhënë fund barbarizmit në Ballkan.
 
Ajo lavdëroi punën e ushtarëve gjermanë dhe nënvizoi se në disa vendbanime serbe janë shpërbërë strukturat paralele. Manderla kërkoi që qeveria e Kosovës të ndërtojë struktura të qëndrueshme dhe të rris besimin e popullit në punën e saj, sepse “pa besim dhe pa punë të zellshme nuk mund të bëhet shteti”. Ajo, si kolegët e saj, kërkoi që me vendosmëri të luftohen korrupsioni, krimi i organizuar dhe mungesa e sundimit të ligjit. kohaislame
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit