9.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Deputeti Bak: I bëj thirrje Holandës të heqë dorë nga qëndrimi hipokrit

Më të lexuarat

“U bëj thirrje autoriteteve holandeze që të respektojnë vetë sistemin e vlerave, të cilin e përdorin si shkop kundër vendeve të tjera, si dhe të heqin dorë nga qasjet hipokrite e me standarde të dyfishta”, u shpreh deputeti turk, Osman Askin Bak…

Kryetari i delegacionit turk në Asamblenë Parlamentare të NATO-s (NATOPA), Osman Askin Bak, deklaroi se Ankaraja pret nga qeveria e Holandës, shtet aleat në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior, që të veprojë në përshtatje me konceptin e aleancës.

Përmes një komunikate me shkrim, Osman Askin Bak dënoi anulimin e vizitës, që ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, do të realizonte më 11 mars në Holandë për t’u takuar me qytetarët turq, me anë të pengesave dhe justifikimeve të ndryshme.

Duke nënvizuar se krejtësisht i papranueshëm është edhe trajtimi çnjerëzor ndaj ministres turke të Familjes dhe Politikave Sociale, Fatma Betul Sayan Kaya, që vizitoi Holandën po të njëjtën ditë, deputeti Bak potencoi se një trajtim i tillë ndaj një ministreje të zgjedhur, ndaj një përfaqësueseje të vullnetit të popullit turk dhe ndaj një zonje të nderuar, është ofendim ndaj kombit dhe shtetit turk, si dhe nëpërkëmbje e vlerave universale.

“Si kryetar i grupit turk në NATOPA, dënoj me forcë të gjitha këto trajtime diametralisht të kundërta me vlerat diplomatike dhe demokratike ndaj ministres Kaya, përfaqësive diplomatike dhe qytetarëve turq të Holandë”, theksoi Osman Askin Bak në komunikatën e tij.

Ai bëri me dije se këto qëndrime e praktika armiqësore të Holandës, një nga shtetet themeluese të NATO-s dhe me marrëdhënie diplomatike rrënjësore me Turqinë prej më shumë se 400 vitesh, rezultojnë shkelje flagrante të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike (1961) dhe të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore (1963).

Pasi vuri në pah se autoritetet holandeze të sigurisë kanë bërë ndërhyrje joproporcionale duke përdorur metoda çnjerëzore dhe poshtëruese kundër komunitetit turk, i cili po përdorte të drejtën e tubimit paqësor, kryetari i grupit turk në NATOPA sqaroi se qeveria e Holandës, e cila është e detyruar të respektojë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut duke qenë se është një vend anëtar i Këshillit të Evropës, ka bërë një shkelje të rëndë të përgjegjësive të saj ndërkombëtare.

Në fund, duke rikujtuar se autoritetet holandeze kanë penguar gjithashtu me forcë joproporcionale lirinë e gazetarëve për të marrë dhe transmetuar lajmet pas ngjarjeve të sipërcituara, deputeti Osman Askin Bak komentoi me këto fjalë:

“Kjo sjellje e autoriteteve holandeze është një dhunim i të drejtave demokratike dhe i nderit të komunitetit turk në Holandë. Ky qëndrim i qeverisë holandeze kundër ministrave turq, përfaqësive tona diplomatike, popullatës civile dhe gazetarëve, përbën një kërcënim të madh për vlerat dhe demokracinë e predikuar nga Evropa. Ky incident i rëndë është një test i rëndësishëm edhe për Bashkimin Evropian. Në rast se BE-ja nuk reagon në mënyrën më të ashpër të mundshme dhe s’ndërmerr hapat e nevojshme ndaj këtyre shkeljeve të Holandës, atëherë do të humbasë në përgjithësi reputacionin dhe besueshmërinë e saj, të cilat edhe aktualisht kanë pësuar dëme të konsiderueshme. Kontinenti i Evropës po lëngon nën kthetrat e sëmundjeve të islamofobisë dhe turkofobisë. Po dëshmoj me keqardhje se sa larg këtyre vlerave janë realisht ata, që prej vitesh i japin ligjërata Turqisë në lidhje me të drejtat e njeriut, drejtësinë dhe demokracinë; si dhe që nuk janë nxjerrë mësimet e nevojshme nga humbjet e dhjetëra-miliona njerëzve dhe nga dhimbjet e thella në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore. Shpresoj që përhapja e këtyre praktikave fashiste në të gjithë hapësirën evropiane të mos përgatisë terren për përsëritjen e këtyre dhimbjeve të thella, që janë përjetuar në të kaluarën.

Me këtë rast, dënoj edhe një tjetër herë këtë qëndrim fashist dhe imoral të Holandës, i cili nuk përputhet kurrsesi me demokracinë, të drejtat dhe liritë e njeriut. Pres nga qeveria e Holandës, shtet aleat në NATO, që të veprojë në përshtatje me konceptin e aleancës dhe u bëj thirrje autoriteteve holandeze që fillimisht të respektojnë vetë sistemin e vlerave, të cilin e përdorin si shkop kundër vendeve të tjera, si dhe të heqin dorë nga qasjet hipokrite e me standarde të dyfishta.”

 

Korrespondente: Meltem Ozturk

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit