-0.5 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Dendësia e popullatës po ngulfat qytetet

Më të lexuarat

Për shkak të rritjes së vazhdueshme të numrit absolut dhe relativ të popullsisë në Kosovë, është rritur dendësia e përgjithshme e popullsisë. Kosova sot, sipas vështrimit monografik të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka dendësi dy herë më të madhe se mesatarja e vendeve në rajon dhe deri në tri herë më shumë se vendet tjera.

Në vitin 1948, në 1 kilometër katrorë jetonin 63.3 banorë, në vitin 1961 – 88.5 banorë, në vitin 1974 – 114.2 banorë, në vitin 1981 – 145.5 dhe në vitin 1991 rreth 180 banorë. Ndërsa, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, i cili u bë në vitin 2011, në 1 kilometër banorë të vendit tonë jetojnë 177.4 banorë.

Problem të theksuar pas luftës paraqiti shpërngulja e popullatës nga zonat rurale në ato urbane. Dendësia e popullsisë në zonat urbane, sipas njohësve të çështjeve demografike, krijoi probleme të mëdha në fusha të ndryshme.

Profesori i Gjeografisë në UP, Ibrahim Ramadani thotë për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë, në këto 14 vjetët e fundit kishte emigrim të madh të popullatës nga zonat rurale në ato urbane dhe kjo ndodhi pikërisht për shkak të mungesës së infrastrukturës së përgjithshme në zonat rurale.

Kjo shpërngulje nga zonat rurale në ato urbane, shton profesor Ramadani, krijoi dendësi të madhe në qytete, e që kësaj dendësie nuk i parapriu asnjë element apo planifikim infrastrukturor.

“Ndodhi emigrimi masiv nga viset rurale në ato urbane, sidomos nga zonat kodrinore dhe malore, të cilat nuk ofrojnë kushte të mira ekzistenciale për atë popullatë. Njerëzit shpresonin për të gjetur kushte më të mira dhe për atë mësynin qytetet, e sidomos kryeqytetin, Prishtinën, duke shpresuar se do të gjejnë kushte më të mira, por ndodh shumë herë që në këto qytete jeta e tyre keqësohet edhe më shumë sesa atje ku ishin më parë”, thotë Ramadani.

Shpërngulja e popullatës nga zonat rurale në ato urbane paraqiti një problem të madh, pasi që, sipas profesor Ramadanit, qytetet nuk arritën dhe gati ishte e pamundur të ofronin infrastrukturë për gjithë këtë numër të popullatës që vinte në qytete.

Prishtina, shton Ramadani, ishte njëri nga vendet që pati më së shumti njerëz të ardhur nga zonat rurale dhe në këtë mënyrë popullsia në kryeqytet u rrit në mënyrë të paparashikuar, kurse në qytet mungonte një plan zhvillimor për gjithë këtë numër të banorëve.

“Qytetet zhvillohen me plan dhe planifikohet një pjesë e caktuar e sipërfaqes ose e zonës për t’u populluar në periudhën kohore në 10 vjetët e ardhshëm e më shumë dhe atëherë investohet në infrastrukturë, ndahen parcela, pastaj fillon ndërtimi i objekteve, bëhet vendosja e popullatës dhe kështu problemet evitohen në atë mënyrë, pra me plan”, thotë Ramdani.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë është 1.8 milion, prej tyre mbi 600 mijë jetojnë në zonat urbane dhe mbi 1 milion në zonat rurale.

Prishtina, e cila konsiderohet si një nga qytete më të populluara, ka një numër prej afro 200 mijë banorëve që janë regjistruar si qytetarë të saj.

Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Asdren Osaj thotë për Rel se brenda kompetencave që përcaktohen me Ligjin për vetëqeverisje lokale, i janë përgjigjur kësaj sfide duke bërë hartimin e disa planeve rregulluese dhe urbanistike.

“Ne, si Komunë, së bashku edhe me ministritë që e kanë këtë fushë, jemi duke punuar që t’i përgjigjemi kësaj sfide. Është një sfidë e madhe. Ne kemi bërë disa investime në zonat rurale, në mënyrë që banorëve të atjeshëm t’iu krijojmë kushte dhe mundësi që ata ta zhvillojnë jetën e vet edhe në zonat prej nga janë zhvendosur. Kemi pasur një zhvillim pozitiv në këtë drejtim, sidomos në zonën e Gollakut, në fshatrat e Mramuerit dhe në pjesë tjera, ku kemi bërë investim të mirë dhe kemi një kthim të qytetarëve në ato pjesë”, thekson Osaj.

Ai bën të ditur se janë në përfundim të dy planeve zhvillimore komunale dhe urbanistike, të cilat do të përcaktojnë vijat ose kufijtë urbanistikë. Por, siç thotë Osaj, buxheti që ata kanë është i pamjaftueshëm për të krijuar infrastrukturë të nevojshme për numrin e madh të banorëve të Prishtinës.

“Ajo çka duhet të ndodhë në vitet në vijim është që për të liruar qytetin nga numri i madh i banorëve ose qytetarëve që vijnë dhe që dëshirojnë të banojnë në Prishtinë, është krijimi i kushteve më të mira në zonat nga ata vijnë. Një shembull i mirë do të ishte ndërtimi i institucioneve, shkollave apo elementeve tjera në zonat më larg kryeqytetit”, shpjegon Osaj./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit