4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Demokarcia liberale vs. demokracisë joliberale – Nga Xhodi Hysa

Më të lexuarat

Demokarcia liberale vs. demokracisë joliberale

Xhodi Hysa

Ndërsa komplotonte për të vrarë fajdexheshën, Rodion Romanovich Raskolnikov përpiqej t’i jepte një kuptim, në favorin e tij, ligjësive të botës jo vetëm në lidhje me vrasjen. Nga fillimi në fund – dikush mund të argumentojë me të drejtë – romani i Dostojevskit angazhohet të trajtojë temën e “mbinjeriut” dhe çështje që ngrihen nga një frymëzim i tillë. Një temë që ka prekur jo vetëm romanin psikologjik dhe ekzistencial të Dostojevskit, por edhe veprën e shumë prej filozofëve më vonë, të cilët u përpoqën të shpjegonin se përse një person mund të shkojë dhe të prodhojë një diktaturë apo autoritarizëm. Për disa qasja ndaj sistemeve autoritariste apo diktatoriale vjen si pasojë e ndrydhjes së brendshme që ndikon fort në karakterin e individëve të caktuar. Fjala vjen, për Isaiah Berlin, filozofin e Shkollës së Frankfurtit, sjellja diktatoriale e Adolf Hitler-it erdhi si pasojë e homoseksualitetit të fshehur të tij.

Ndërkohë, Hannah Arendt argumentonte se gjendja e njeriut dhe prodhimi i mendimeve autoritare janë pasojë e klimës dhe ambientit që bota moderne ka krijuar. Në veprën e saj më të njohur dhe që në një farë mënyre përbën epiqendrën e gjithë veprimtarisë së saj filozofike, Origjina e Totalitarizmës, Arendt argumenton se janë një sërë faktorësh që prodhojnë një diktaturë apo “autoritarizëm”. Sipas saj një peshë të madhe në këto regjime luajnë ato që janë “intelektualë” dhe që përpiqen të përthyejnë moralin shoqëror apo politik në atë formë demagogjie sa të prodhojë një legjitimitet të rremë.

Pas Luftës së Dytë Botërore bota dhe sidomos institucionet e saj multilaterale të ngritura rishtaz kishin një detyrë të rëndësishme për të zbatuar: forcimin e demokracisë liberale që doli fitimtare nga ajo luftë e përgjakshme dhe me pasoja mbi njerëzimin. Gjyqi i Nurembergut ishte një provë që tregoi se çfarë prodhonin diktaturat raciste, ndërsa kampet e përqendrimit dhe ato të shfarosjes në masë të Gjermanisë Naziste ishin prova e gjallë e kësaj çmendurie. Megjithatë beteja e radhës e demokracisë liberale do të ishte ajo përballë diktaturës komuniste.

Kështu, institucionet multilaterale ndërkombëtare ishin që në fillim jo vetëm themeli i aleancave politike dhe gjeostrategjike, por edhe themeli i një regjimi të ri botëror siç ishte demokraca liberale. Këto institucione u ngritën duke pasur në mendje dështimet e demokracisë së Republikës së Vajmarit, por jo vetëm ato. Prandaj në themel të tyre u vendosën të drejtat e njeriut dhe përgjithësisht u ndoq një praktikë shtetformuese që i jepte fuqi logjikës së ndarjes së pushteteve dhe kontrollit të tyre.

Në dukje, kjo betejë mes demokracisë liberale në Perëndim dhe demokracive socialiste (që vishnin diktaturat reale) në Lindje ishin pjesë të një beteje ideologjike dhe ushtarake që qëndronte e ngrirë në një rivalitet të heshtur, por serioz. Në vitet 1990, atëherë kur ideologjia komuniste u shkërmoq për shkak të paaftësisë së saj për të qenë jetëgjatë, bota pësoi një transformim të cilin Fukujama e cilësoi si Rendin e Ri Global.

U krijua bindja se fundi i historisë ishte demokracia liberale dhe ishte rënë dakord për njëfarë konsensusi drejt progresit. Në mënyrë ironike, tragjedia e masakrës së Srebrenicës dhe më tej lufta në Kosovë mesa duket zgjuan frikërat e një racizmi që Europa i kishte harruar. Kësaj i duhet shtuar edhe fakti që shumica e atyre që kishin përjetuar apo qenë brezi i parë i pas Luftës së Dytë Botërore po zëvendësohej nga një brez i asaj që mund të quhet Pax Americana.

Ngjarjet e shtatorit të vitit 2001 vetëm sa forcuan narrativën e një bote të vjetër që po vinte e maskuar në botën e demokracisë liberale. Vladimir Putin-i, lideri autoritar që pas më shumë se pesë dekadash nisi një luftë në Europë, do të merrte pushtetin në kapërcyell të shekullit XXI. I trajtuar dhe i përgëzuar fillimisht si njeriu që do ta çonte Rusinë drejt demokracisë, doli se u kthye në një sundues autoritar që do të promovonte atë që sot njihet si demokracia joliberale.

Shteti që krijoi Putin-i ishte jo vetëm një imitim i Perandorisë Ruse, por edhe një shtet i dhunshëm autoritar që arreston rivalët e tij në garën për president. Më i fundit ndër to është Navalny. Rruga sesi Putin-i u shndërrua nga “shpëtimtari” i demokracisë liberale në themeluesin e një aksi të demokracive joliberale që përpiqen të çmontojnë ligjet që vetë kanë ideuar për të sunduar përjetësisht, është pjesë e një manuali të madh që po ndodh nga lindja në perëndim.

Por, nëse Putin-i apo dhe Xi do të mbeteshin të izoluar në përçapjet e tyre për të ndryshuar plotësisht Rendin e Ri Global të krijuar pas 1945 dhe sidomos pas 1992, bota nuk do të kishte frikë nga një tjetër përplasjeje ushtarake. Rritja e numrit të emigrantëve në Europë dhe SHBA ka prodhuar atë që njihet si “kriza e emigrantëve”, krizë e cila i dha jetë ksenofobisë dhe që në një farë mënyre rrëzoi të gjitha parimet mbi të cilat partitë e qendrës së djathtë kishin krijuar.

Partitë e ekstremit të djathtë që u krijuan dhe që më tej mundën të marrin fuqinë, u kthyen në një sfidë reale për demokracinë liberale dhe sistemin e tyre të vlerave që kishin instaluar, së paku, në politikë. Fitoret e Trump-it dhe Bolsonaro-s, në dy nga 7 vendet e G-7, qenë tejet domethënëse dhe sollën një valë tërësisht tjetër në qasjen ndaj qeverisjes pa u kufizuar vetëm aty (në qeverisje). Stili i personalizuar dhe një lider i tipit Alfa u vendosën në qendër të vëmendjes, ndërkohë që demokracia liberale dhe institucionalizimi i kësaj demokracie po rrezikohej gjithnjë e më shumë. Ngjarjet e 6 janarit në SHBA dhe, ndër të tjera, ajo çka ndodhi në janarin e këtij viti në kryeqytetin e Brazilit (një imitim i vogël i ngjarjeve të 6 janarit në Capitol Hill 2021) janë vetëm shkëndija të një transformimi rrënjësor që po i ndodh skenës politike dhe demokracisë.

Duket se situata e demokracisë nuk është më ajo e fillimit të shekullit XXI, ndërkohë që vendet e Lindjes dhe ato të Perëndimit po përjetojnë kriza institucionale të mëdha. Këto kriza tregojnë se institucionet demokratike janë ruajtur deri më sot të paprekura si pasojë e një klime konsensuale mes aktorëve dhe faktorëve politikë. Nëse deri dje vendet ish-komuniste rrëshqisnin në një farë autoritarizmi shpeshherë dhe kriminal, sot shohim se si bjerrja e institucioneve po ndodh dhe në Perëndim. Pra, dukshëm kjo është një krizë e thellë besimi dhe brezash sikundër vë në dukje dhe Patrick Deenan në veprën e tij Përse dështoi liberalizmi.

Kjo krizë ka prodhuar nevojën e të gjithë palëve për të ndryshuar. Në SHBA zonat e dikurshme demokrate, Rus-belt, që nga 2016 po votojnë konservatorët, ndërkohë që në veri të Mbretërisë së Bashkuar qytetet që kanë votuar laburistët kësaj radhe kthyen për të votuar konservatorët. Në një Europë që po plaket, duket se e majta po humbet terrenin për të qenë “kontrolli dhe balanca” ndaj së djathtës.

Megjithëse sot shohim një debat që maskohet më shumë në beteja kulturore, realiteti i përplasjes duket se është mes një demokracie liberale që nuk ofron më shpresë dhe një demokracie autoritare, që për një pjesë të qytetarëve ofron një farë krenarie të nxjerrë nga historia. Sido që të merret e gjitha kjo, liberalizmi duket se ka dështuar apo ka nevojë urgjente për t’u rishikuar nëse nuk duam që e ardhmja e vendeve tona të jetë autoritare.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit