1.2 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Dëmet e zhveshjes (mosvendosjes së mbulesës)

Më të lexuarat

Zhveshja është mëkat ndaj Allahut të Lartësuar dhe të Dërguarit të Tij

Ai që i bën mëkat Allahut të Lartësuar duhet ta dijë se nuk i ka bërë dëm askujt tjetër përveç vetes së tij. Besimtare e vërtetë dhe e devotshme është ajo femër e cila u nënshtrohet urdhrave të Allahut të Lartësuar dhe të Dërguarit të Tij dhe nuk shikon anash se çka do të thonë njerëzit për të. Nuk i lejohet ndonjë besimtari apo besimtareje të shikojë ndonjë zgjidhje tjetër në çështjet të cilat i ka urdhëruar apo ndaluar Allahu i Lartësuar. Allahu i Lartësuar thotë: “Kur Allahu ka vendosur për një çështje, ose i Dërguari i Tij, nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetërfare. E kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai është larguar shumë larg së vërtetës.” (El Ahzab, 36)

Shejh Abdurrahman Es-Sa’di (një prej komentuesve të Kuranit), kur e komenton ajetin e lartpërmendur, “nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje” ka thënë: “Kjo nënkupton se një person i cili e ka quajtur veten besimtar apo thotë se ka iman në zemrën e tij, duhet që të vrapojë drejt veprave të mira që e kënaqin Allahun e Lartësuar dhe të Dërguarin e Tij dhe të largohet nga veprat që e hidhërojnë Allahun e Lartësuar dhe të Dërguarin e Tij. Duhet t’i kryejë urdhrat e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij dhe të largohet nga ndalesat e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij. Nuk i takon një besimtari dhe besimtareje “Kur Allahu ka vendosur për një çështje ose i Dërguari i Tij…”, “…që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetërfare.” d.m.th. që të shikojnë se a ta kryejnë atë urdhër apo jo. Dhe çdo besimtar dhe besimtare e di se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem është më prioritar tek ai sesa edhe vetja e tij, pra mos ta bëjë epshin e tij pengesë mes tij dhe urdhrave të Allahut të Lartësuar dhe të Dërguarit të Tij.
“E kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai është larguar shumë larg së vërtetës.” Është larguar larg së vërtetës sepse ai është larguar nga rruga e vërtetë, e cila të çon drejt mirësisë së Allahut të Lartësuar, është larguar nga kjo rrugë e vërtetë në një rrugë e cila të çon në një dënim të dhimbshëm.”(Tefsir Es-Sa’di, f.612)

Pejgamberi salallahu alejhi ue selem në hadithin që e transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Krejt umeti (populli) im do të hyjë në xhenet, përveç ata që nuk dëshirojnë.” I thanë të pranishmit: “E kush është ai i cili nuk dëshiron, o i Dërguar i Allahut?” Pejgamberi salallahu alejhi ue selem tha: “Ai i cili më nënshtrohet mua (urdhrave të mia) do të hyjë në xhenet, kurse ai i cili nuk u nënshtrohet urdhrave të mia, ka refuzuar (të hyjë në xhenet).” (Buhariu 7280)

Zhveshja është mëkat i madh

Ka ardhur Umejme bintu Rukije te Pejgamberi salallahu alejhi ue selem për t’ia dhënë besën për Islam. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem tha:“Ma jep besën që nuk do t’i bësh shirk (shok) Allahut, nuk do të vjedhësh, nuk do të bësh zina (amoralitet), nuk do ta mbytësh fëmijën dhe nuk do të bësh ndonjë mëkat…, nuk do të lëkundësh (në fe) dhe nuk do të zhvishesh ashtu sikurse në kohën e injorancës.” Imam Ahmedi në Musnedin e tij 2/196, dhe Ahmed Shakir ka thënë se hadithi është sahih.

Shiko se si e ka krahasuar Pejgamberi salallahu alejhi ue selem zhveshjen e një femre me shirkun, amoralitetin, vrasjen e fëmijëve etj. Ky hadith tregon shumë qartë se sa mëkat i madh është zhveshja.

Zhveshja është shkak për mallkimin e Allahut dhe largimin e mëshirës së Allahut nga femra muslimane
Transmeton Abdullah ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Në fund të umetit tim do të ketë femra të veshura, mirëpo të zhveshura; në kokat e tyre do të kenë (model flokësh) sikurse gungat e deveve. Mallkojini ato sepse ato janë të mallkuara.” Taberaniu në Muxhem Es-Sagir f.232 dhe shejh Albani ka thënë se hadithi është sahih, shih El hixhab f.56.

Gratë e veshura mirëpo të zhveshura të përmendura në hadith ka për qëllim femrat të cilat janë të veshura, mirëpo në realitet ato janë sikurse të zhveshura, për shkak se ato ose veshin rroba të tejdukshme ose të ngushta e që ua përshkruajnë trupin.
Po ashtu, Abdullah ibn Amr ibn Asi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “E kam dëgjuar Pejgamberin salallahu alejhi ue selem duke thënë:“Do të ketë në fund të umetit tim disa burra të cilët do të hipin në shala të cilat i përngjajnë mjeteve transportuese (komode), do të zbresin para dyerve të xhamisë, (me) gratë e tyre janë të veshura, mirëpo të zhveshura, në kokat e tyre do të kenë (model flokësh) sikurse gungat e deveve të thata (dobëta). Mallkojini ato sepse ato janë të mallkuara. Sikur të kishte pas jush ndonjë popull prej popujve do t’i shërbenin grat tuaja grave të tyre ashtu sikurse po ju shërbejnë juve gratë e popujve para jush.” Imam Ahmedi në Musnedin e tij nr. 7083 dhe Ahmed Shakir ka thënë se hadithi është sahih 12/36.

Ky hadith flet sikurse të ishte Pejgamberi salallahu alejhi ue selem në mesin tonë dhe kjo vërteton pejgamberllëkun e tij dhe e vërteton ajetin ku Allahu xh.sh thotë: “Ai nuk flet nga hamendja e tij, mirëpo ajo çka flet është inspirim nga Allahu.”
Mjetet transportuese të përmendura në hadith janë automjetet në këtë kohë, të cilat janë komode dhe shumë prej vëllezërve shkojnë në xhami me vetura dhe kur të zbresin do t’i shohësh gratë e tyre të veshura, mirëpo të zhveshura; të zhveshura ose për shkak se gruaja e tij është e mbuluar, mirëpo mbulesa e saj është e tejdukshme ose i kanë grat e zbuluar tërësisht, Allahu na ruajttë! Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Mallkojini ato sepse ato janë të mallkuara.”

Oj motër muslimane, a ke dëshirë të jesh prej të mallkuarave?!
Sikur të kishte popuj pas nesh, do t’i kishin marrë gratë e muslimanëve për shërbëtore për shkak të veshjes së tyre, kjo sepse në kohën e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem vetëm robëreshat nuk kanë pasur të drejtë të vishen sikurse gratë e lira për shkak që të dallohen të lirat prej robëreshave. Për këtë shkak thotë Pejgamberi salallahu alejhi ue selem: “…sikur të kishte pas jush ndonjë popull prej popujve, do t’u shërbenin gratë tuaja grave të tyre ashtu sikurse po ju shërbejnë juve gratë e popujve para jush.”
Kjo për shkak se tani nuk po dallohet lavirja nga besimtarja në veshjen e saj, nuk ka dallim mes besimtares dhe ateistes, muslimanes dhe jomuslimanes, që të gjitha janë njësoj në veshmbathje.


Zhveshja është prej cilësive të banorëve të xhehenemit

Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Janë dy lloje njerëzish nga banorët e xhehenemit, të cilët unë i kam parë: një grup njerëzish me kamxhik në dorë si bisht lope, me të cilët rrahin popullin, dhe gratë me rroba të veshura, mirëpo të zhveshura (gjysmëlakuriq), ecin me mendjemadhësi dhe shtrembërim, në kokat e tyre do të kenë (model flokësh) sikurse gungat e deveve të thata (dobëta). Këta nuk do të hyjnë në xhenet dhe as që do ta nuhasin erën e tij, edhe pse kjo erë mund të nuhatet nga një largësi e madhe.” Muslimi 2128.


Zhveshja është hipokrizi

Transmeton Ebu Udhejne Es-Sadefij, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Gratë më të mira janë ato që i doni, që lindin, konsultohen dhe të përshtatshme dhe këtë nëse ia kanë friken Allahut, ndërsa gratë më të këqija janë gratë e zhveshura dhe mendjemadhe, ato janë hipokrite dhe nuk do të hyjnë në xhenet përveçse sa ka sorra me sqep dhe këmbë të kuqe (të cilat shumë rrallë gjenden).”Bejhakiu në Sunen 7/82 dhe gjithashtu këtë hadith e ka transmetuar edhe Ebu Nuajm nga Abdullah ibn Mesudi në El Hulije 8/376. Shih Silsile Es-Sahiha, nr. 1849 dhe 632.

“…dhe nuk do të hyjnë në xhenet përveçse sa ka sorra me sqep dhe këmbë të kuqe.” Sorra me sqep dhe këmbë të kuqe ka shumë pak. Me këtë Pejgamberi salallahu alejhi ue selem do të na tregojë se sa pak gra të këtij lloji do të hyjnë në xhenet për shkak të zhveshjes së tyre.


Zhveshja është pandershmëri

Transmeton Ebu Musa El-Eshari se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ajo grua e cila parfumohet, pastaj del për ta dëgjuar meshkujt erën e saj, ajo është lavire.” Ahmedi 4/418, 4/400, 4/413, Nesaiu 8/153, Termidhiu 5/106, Ibn Huzejme ka thënë se hadithi është sahih 3/91, gjithashtu edhe shejh Albani ka thënë se hadithi është hasen. Shih Sahih En-Nesai 5141.

Kurse Allahu subhanehu ue teala e ka ndaluar “fahishen” duke thënë: “Shejtani ju frikëson ju me varfëri dhe ju urdhëron ju për të vepruar Fahsha (vepra të ulëta, marrëdhënie të paligjshme e gjynahe të tjera).” (El Bekare, 268)

Dhe thotë: “Dhe kur kryejnë Fahisha (vepra të ulëta e të shëmtuara si sjellja rreth Kabës të zhveshur, lloje të ndryshme marrëdhëniesh të paligjshme me gra etj.) thonë: “Ne kështu i gjetëm të veprojnë edhe baballarët tanë e (për më tepër) Allahu na ka urdhëruar për të.” Thuaju (O Muhamed): “Jo, kurrë Allahu nuk urdhëron turpin. A mos thoni për Allahun gjëra që aspak nuk i dini?” (El A’raf, 28)

Allahu subhanehu ue teala atyre të cilët dëshirojnë të përhapet imoraliteti dhe e përhapin atë u ka premtuar një dënim të dhimbshëm, ku thotë: “Ata të cilët dëshirojnë që te besimtarët të përhapet imoraliteti, ata i pret dënimi i dhimbshëm në këtë dhe në botën tjetër. Allahu di (të fshehtat) e ju nuk i dini.” (En-Nur, 19)

Zhveshja është vepër e turpshme

Transmeton Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të , se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ajo grua e cila zhvishet jashtë shtëpisë së saj, ajo ka shkatërruar perden mes saj dhe Allahut aze ue xhel.” Ahmedi 6/199, 267, Hakimi në Mustedrek 4/288 dhe Hakimi ka thënë se hadithi është Sahih, këtë e ka thënë edhe Dhehebiu, Ibn Maxhe 2/409, nr: 3812.
Fjala e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem: “Ajo grua e cila zhvishet jashtë shtëpisë së saj” ka për qëllim gruan e cila e largon mbulesën e saj jashtë shtëpisë së saj dhe del pa mbulesë në praninë e meshkujve të huaj.
Kur gruaja e shkatërron perden mes saj dhe Allahut të Lartësuar vetëm sepse zhvishet në ndonjë shtëpi tjetër dhe jo në shtëpinë e saj, si do të jetë çështja me atë grua e cila del e zhveshur në qytet?!

Kurse Fedale ibn Abidi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Për tre persona mos pyet për gjendjen e tyre (në Ditën e Gjykimit): Personi i cili largohet nga xhemati (grup i muslimanëve) duke mos e dëgjuar prijësin e muslimanëve dhe vdes në këtë gjendje mëkatar; një robëreshë apo rob i cili ikën nga zotëria i tij e vdes dhe një grua së cilës iu ka larguar burri i saj dhe i ka lënë asaj pasuri për t’u furnizuar për nevojat e dynjasë, kurse ajo zhvishet (largon mbulesën) pasi ai largohet nga ajo. Mos pyet për këta tre persona.”Buhariu në Edebil Mufred 590, Ibn Hiban 50, Hakimi 1/119, Ahmedi 6/19. Hakimi ka thënë se ky hadith është sahih sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit.

Ky hadith tregon për një grua, burri i së cilës është larguar prej saj (ka shkuar në ndonjë udhëtim) dhe ajo është zhveshur apo ka larguar mbulesën e saj. Çfarë mbetet të themi për gratë e ditëve të sotme, të cilat nuk e kanë këtë nevojë për shkak se nuk i pyesin burrat e tyre fare për mbulesën e tyre dhe dalin të zhveshura në prani të burrave të tyre. “Mos pyet për këta tre persona”, ” mos pyet për gjendjen e tyre (në Ditën e Gjykimit).”


Zhveshja është traditë e Iblisit (Allahu e mallkoftë!)

Lufta me shejtanin është një luftë serioze, e hershme, e dëmshme dhe e vazhdueshme, sepse shejtani është një armik kokëfortë, i cili e ndjek njeriun në çdo kohë dhe në çdo vend, siç e ka cilësuar Allahu i Lartësuar: “(Iblisi) tha: “Për shkak se më flake mua, vërtet që unë do të jem në pritë kundër tyre (njerëzve) në rrugën Tënde të drejtë. Pastaj do t’u afrohem atyre përballë dhe pas shpine, nga e djathta dhe nga e majta dhe Ti do të shohësh shumicën e tyre të mos jenë falënderuesit e Tu (nuk do të jenë të bindur ndaj Teje).” (El A’raf, 16-17)
Dhe nuk ka mbrojtje prej këtij armiku të përbetuar përveçse me iman, me kujtim të Allahut dhe duke u larguar nga mëkatet. Nëse e lexojmë historinë e Ademit alejhi selam me shejtanin, do të shohim se qëllimi i shejtanit ka qenë zhveshja e Ademit alejhi selam. Allahu i Lartësuar thotë: “Kështu që ai i humbi ata me mashtrim. Më pas, kur ata shijuan frutat e pemës, turpi (pjesët e fshehura) iu zbulua dhe filluan të mbledhin e të thurin me gjethe prej Kopshtit për të mbuluar vetveten.” (El A’raf, 22) Si dhe: “Ata të dy hëngrën nga ajo (pemë) dhe që të dy u zhveshën, e ia nisën ta mbulojnë veten e tyre me gjethe që i mblidhnin nëpër xhenet,…” (Ta Ha, 121)

Kjo ngjarje na sqaron qëllimin dhe përkushtimin e madh të shejtanit për t’i zhveshur njerëzit, që të përhapet amoraliteti. Për këtë edhe na tërheq vërejtjen Allahu i Lartësuar, i Cili thotë: “O bij të Ademit! Mos lejoni t’ju mashtrojë shejtani, siç i nxori prindërit tuaj të parë (Ademin dhe Havanë) nga xheneti duke bërë t’u hiqet petku mbulues dhe t’u shfaqen pjesët e turpshme. Vërtet që ai dhe kabilja e tij (fisi e farefisi, ndjekësit e ndihmësit e tij nga njerëzit e xhinët) ju shohin ju, ndërsa ju nuk i shihni dot ata. Vërtet Ne i bëmë shejtanët eulija (miq, ndihmës e shokë) për ata që nuk besojnë.” (El A’raf, 27)

Nga kjo kuptojmë se Iblisi është prijësi i të gjithë atyre që thërrasin në zhveshje dhe është i pari i cili mashtroi njerëzit për t’i zhveshur pjesët e trupit të tyre. Pra, zhveshja është rrugë dhe traditë e shejtanit, e cila të shpie në zjarr të xhehenemit. Allahu i Lartësuar thotë: “Djalli është armik i juaji, pra edhe ju konsiderojeni armik, ai e thërret atë grupin e vet, vetëm për t’i bërë banues të zjarrit.” (Fatir, 6)

Pra, të kemi kujdes mos të bëhemi vegël apo lodër e shejtanit e të luajë me ne ashtu siç dëshiron ai dhe në Ditën e Gjykimit të na fusë Allahu i Lartësuar në zjarr të xhehenemit bashkë me shejtanin, Allahu na ruajttë!

Zhveshja është prej traditës së çifutëve dhe të të të krishterëve

Prej traditës së çifutëve është se ata dëshirojnë shkatërrim në tokë. Kështu i ka cilësuar edhe Allahu i Lartësuar në Kuran: “…e ata (jehudët) përpiqen për shkatërrime në tokë. Allahu nuk i do ngatërrestarët.”(El Maide, 64)
Kjo është ajo që po shohim edhe ne në kohën tonë, pasi shumica e atyre që investojnë për filmat e fëlliqur janë çifutët, qoftë në Hollivud apo në studio të tjera filmike. Edhe revistat me përmbajtje pornografike vijnë nga çifutët dhe të krishterët, të cilët dëshirojnë shfrenim të plotë në tokë.

Ata kanë shkuar aq larg, saqë rinia ka filluar të mësojë për marrëdhëniet seksuale edhe nëpër shkolla. Usame ibn Zejni, Allahu qoftë i kënaqur me të, na ka transmetuar nga i Dërguari i Allahut se ka thënë: “Nuk kam lënë pas meje sprovë më të madhe për meshkujt sesa sprova e femrave.”Buhariu 9/41, 5096 dhe Muslimi 2740.

I Dërguari alejhi selam na tregon me këtë hadith se sprova më e madhe në këtë dynja është sprova e femrave, kurse në një hadith tjetër, që e transmeton Ebu Seid el Hudri, Allahu qoftë i kënaqur me të, i Dërguari alejhi selam ka thënë: “Me të vërtetë dynjaja është e bukur dhe me gjelbërim dhe Allahu i Lartësuar ju ka lënë mëkëmbës në të dhe ju shikon se si po veproni, prandaj kini kujdes nga dynjaja dhe kini kujdes nga femrat, sepse sprova e parë e benu israilëve (çifutëve) kanë qenë femrat.” Muslimi 2742.

Allahu i Madhëruar i obligoi ato të mbulohen, mirëpo ato thanë: “Dëgjuam (fjalën tënde) dhe kundërshtuam (thirrjen tënde)”, ashtu sikurse ka qenë tradita e popujve me të cilët Allahu ka qenë i hidhëruar. I Dërguari alejhi selam e sqaroi se si u sprovuan benu israilët në hadithin që e transmeton Ebu Seid El Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur me të, duke thënë: “Ka qenë te benu israilët një grua e shkurtër dhe ka ecur me dy gra të gjata dhe (pasi shoqet e saj kanë qenë të gjata dhe kjo e shkurtër) ka mbathur këpucë prej druri (për t’u dukur më e gjatë, këto këpucë u përngjanin takave në kohën tonë). Ka vendosur një unazë prej ari të mbështjellë me baltë, pastaj është mbushur me misk (ka hedhur parfum shumë) dhe kjo ka qenë era më e mirë dhe ka kaluar pranë dy grave (të gjata) dhe ato nuk e kanë njohur këtë. Dhe ua ka bërë me dorë.” Ahmedi në Musnedin e tij 3/40,46,78, Nesaiu në Muhtasar 8/151,190 dhe shejh Albani ka thënë se ky hadith është shih. Shih Sahih El Xhami Es-Sagir 4/150 nr. 4340.

Kurse në një transmetim tjetër, i Dërguari alejhi selam ka thënë: “Dhe kur kalonte në prani të ndonjë tubimi (meshkujsh), lëvizte me një lëvizje për ta ndier (ata) erën e saj.”

Transmeton Urveja nga Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari alejhi selam ka thënë: “Gratë e benu israilëve kanë mbathur këpucë prej druri, që të jenë më të respektuara për meshkujt, dhe Allahu i Lartësuar ua u ndaloi atyre (grave) shkuarjen në xhami me vazhdimin e menstruacioneve të tyre.” Hafidhi ka thënë: “Këtë hadith e transmeton Abdurrezaku me sened të vërtetë, gjithashtu shih El Fet’h er-rabanij 5/202.

Shikoni se si kanë shkuar në xhami për t’i sprovuar meshkujt. Kanë shkuar me këpucë prej druri, të cilat në atë kohë kanë qenë të larta si këpucët me taka sot. Ato e kanë ditur se kjo e tërheq syrin e një mashkulli dhe Allahu i Lartësuar i dënoi ato duke ua vazhduar menstruacionet e tyre dhe kështu ato nuk kishin mundësi të shkonin në xhami.

Abdullah ibn Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se i Dërguari alejhi selam ka thënë: “Meshkujt dhe femrat te benu israilët janë falur së bashku dhe nëse ndonjë grua ka pasur dashnor, ka mbathur këpucë prej druri (si nallanet e sotme) për t’u dukur më e gjatë pranë dashnorit të saj dhe Allahu i Lartësuar i ka dënuar me menstruacione (të cilat u vazhdonin më shumë se koha e zakonshme).” Abdullah ibn Mesudi gjithmonë thoshte: “Nxirrini ato (gratë) prej nga i ka nxjerrë edhe Allahu i Lartësuar (prej xhamive).” Taberaniju në El Kebir dhe transmetuesit e hadithit janë të saktë. Shih Mexhmu Ez-Zevaid 2/35.

Kjo pra ishte gjendja e benu israilëve, të cilët kishin dëshirë që gratë e tyre të zbulohen, kurse në ditët e sotme fatkeqësisht muslimanët janë duke pasuar rrugën e çifutëve dhe të të krishterëve.

Transmeton Amretu bintu Abdurrahmani, se Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Sikur t’i kishte parë Pejgamberi salallahu alejhi ue selem se çka janë duke shpikur gratë tani (në veshjet e tyre), kishte për t’i ndaluar të shkojnë në xhami ashtu sikurse janë ndaluar grat e benu israilëve.” Është pyetur Umre: “A janë ndaluar gratë e benu israilëve (për të shkuar në xhami)?” Ka thënë: “Po.” Buhariu 2/406 dhe Muslimi 445.

Këtë e ka thënë Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, për kohën kur ka jetuar ajo, koha e sahabëve dhe e tabiinëve. Çfarë do të thoshte për gratë e kohës, kur muslimanet, gratë e atyre që pretendojnë se janë duke pasur rrugën e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem, kur vijnë në xhami, tërë rrugën janë të zbuluara dhe mbulesën e tyre e vendosin në çantat e tyre dhe pak para se të hyjnë në xhami, në oborr të xhamisë apo brenda në xhami, i vendosin shamitë e tyre?

Pra, prej traditës së çifutëve dhe të të krishterëve është zhveshja dhe kur ata jetonin në mesin e muslimanëve, pasi gratë e tyre dilnin të zhveshura, Seid ibn Ebi El Haseni i ka thënë Hasen el Basriut (vëllait të tij): “Gratë e të huajve (të krishterëve dhe çifutëve) po i zbulojnë gjokset e tyre dhe kokat e tyre.” Hasan el Basriu i tha: “Largoje shikimin tënd nga ato. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre.” (En-Nur, 30) (Fet’hul Bari 11/9)

Oj motër myslimane, a dëshiron që të jesh si gratë e çifutëve dhe të të krishterëve, të cilat zbuluan bukuritë e tyre? Allahu i Madhëruar i dënoi ato në këtë botë, kurse dënimi i muslimaneve që zbulojnë bukuritë e tyre do të jetë në Ditën e Gjykimit. E, dënim i tyre do të jetë zjarri i xhehenemit, Allahu na ruajttë prej tij!

Zhveshja është prej xhahilijetit (injorancës) të ndyrë

Allahu i Lartësuar i ka ndaluar besimtaret të dalin të zhveshura sikurse në kohën e injorancës. Ai thotë: “Dhe rrini në shtëpitë tuaja e mos shfaqni bukurinë tuaj si shfaqej në injorancën e hershme.” (El Ahzab, 33)

Dhe ky ajet tregon se në kohën e injorancës (para Islamit), grat kanë dalë të zhveshura dhe Allahu i Lartësuar i ka ndaluar besimtaret të shfaqin bukuritë e tyre, pra të dalin të pambuluara në rrugë.

Kurse Pejgamberi salllahu alejhi ue selem e ka cilësuar injorancën si ndyrësirë. Allahu i Lartësuar thotë për Pejgamberin salallahu alejhi ue selem: “Ai u lejon atyre si të ligjshme At-Tajjibat (gjithçka të mirë dhe të ligjshme për besimin, punët, njerëzit, ushqimet, sendet) dhe ua ndalon si të paligjshme Al-Khabaith (gjithçka të keqe,të ndyrë dhe të palejueshme për besimin, punët, njerëzit, ushqimet).”(El A’raf 157)
Pra, çdo send që na ka ndaluar Allahu i Lartësuar apo Pejgamberi salallahu alejhi ue selem është e keqe dhe e ndyrë. Dhe Pejgamberi salallahu alejhi ue selem është distancuar nga çdo person i cili thëret në veprat e xhahilijetit (injorancës). Në hadithin që e transmeton Ibn Mesudi, ai ka thënë: “Nuk është prej nesh ai i cili e rreh fytyrën e tij (në rast të ndonjë fatkeqësie) dhe i shqyen teshat e tij dhe thërret me thirrje të xhahilijetit (injorancës).” Buhariu 3/197 dhe Muslimi 103.

Dhe ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Njerëzit më të urryer tek Allahu janë tre: ai i cili bën ndonjë mëkat në Harem (Mekë apo Medinë), ai i cili kërkon në Islam diçka nga veprat e xhahilijetit (injorancës) dhe ai i cili kërkon gjakun (të vret) e dikujt pa të drejtë për ta vrarë atë.” Buhariu 12/219, nr. 6882.
Ibn Haxheri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “veprat e xhahilijetit (injorancës)” të përmendura në hadith kanë për qëllim çdo vepër e cila është bërë në kohën e injorancës (e që është ndaluar në Islam).

Nga ky hadith kuptojmë se Allahu i Lartësuar e urren atë person i cili kërkon të bëjë ndonjë vepër të kohës së injorancës, e në këtë rast Allahu i Lartësuar e urren një grua e cila del e pambuluar me mbulesën islame dhe shfaq bukurin e saj para meshkujve, vepër e cila është bërë në kohën e injorancës.

Çdo vepër e xhahilijetit duhet larguar sepse ajo është e ndyrë. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem në lidhje me veprat e xhahilijetit ka thënë: “Lërini ato sepse ato janë të ndyra.” Pjesë e hadithit që e transmeton Xhabiri, Buhariu 6/631 dhe Muslimi 2584.
Edhe ne duhet të themi për zhveshjen: “Lëreni zhveshjen sepse ajo është e ndyrë”, ose ta vendosim aty ku e ka vendosur Pejgamberi salallahu alejhi ue selem, kur thotë: “Me të vërtetë çdo vepër e xhahilijetit është e vendosur nën këmbën time.” Ebu Davudi 1905, Tirmidhiu në tefsirin e tij, ibn Maxhe, Ahmedi 2/103.

Dhe nuk i lejohet një besimtari apo besimtareje ta ngrejë lart atë të cilën Pejgamberi salallahu alejhi ue selem e ka vendosur nën këmbë, apo ta lavdërojë një vepër të xhahilijetit, të cilën e ka poshtëruar Pejgamberi salallahu alejhi ue selem, çfarëdo vepre qoftë ajo, si riba xhahilije (kamata e kohës së injorancës), apo zhveshja e kohës së injorancës, apo gjykimi me ligjet e injorancës etj.

Zhveshja është derë e përhapur e së keqes dhe sherrit

Ai që i vështron dhe i kupton tekstet fetare dhe shembujt e historisë, do të bindet për dëmet dhe të këqijat e zhveshjes si në këtë botë edhe në botën tjetër, sidomos nëse zhveshjes i bashkëngjitet edhe përzierja e meshkujve me femra.

Nga këto dëme dhe të këqija veçojmë:
– Dalja e femrave të pambuluara në gara bukurie duke tërhequr shikimin e njerëzve, gjë që e bën gruan si një artikull të pavlerë dhe të lënë anash, e cila është vendosur për ta shikuar kush të dojë.
– Shtyrja e martesës për shkak të përhapjes së imoralitetit në mesin e rinisë. Nëse një i ri mund ta shfryjë epshin e tij pa u martuar, ai do ta shtyjë martesën dhe me këtë edhe formimin e familjes.
– Zhdukja e xhelozisë dhe e turpit, saqë njeriu e sheh motrën dhe nënën e tij duke shkuar me meshkuj të tjerë dhe nuk reagon fare.
– Shtimi i krimeve për shkak të femrave, gjë e cila është shumë e pranishme në mesin tonë, ku në shumë raste ndodhin rrahje, kacafytje, therje me thika dhe raste të vrasjeve që ndodhin për shkak të femrave.
– Prishja e moralit të meshkujve e në veçanti e rinisë adoleshente, duke i nxitur ata për imoralitet.
– Tregtia me femra apo siç po e quajnë “tregtia me qenie njerëzore”, gjë që është e ndaluar edhe nga shteti, mirëpo jo në të gjitha aspektet. Nga shteti është e ndaluar vetëm tregtia me qenie njerëzore për imoralitet, kurse për revista të ndryshme që i vendosin fotot e femrave të zhveshura apo reklamat e ndryshme nuk ka ndërmarrë asgjë, por edhe kjo konsiderohet tregti me trupin e një gruaje.

Gruaja është bërë si një artikull për të arritur deri tek paraja, në mënyrat më të ndryshme, e më e përhapura në mesin tonë është punësimi i femrave të reja nëpër dyqane, ku shumica e punëtoreve janë femra të reja, të cilat nuk i kanë më shumë se 30-35 vite. Ato punësohen që t’i tërheqin blerësit që të hyjnë në atë dyqan.

– Përhapja e sëmundjeve, siç ka thënë Pejgamberi salallahu alejhi ue selem në hadithin që transmeton Ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Nuk ndodh të përhapet në një popull prostitucioni haptas e të mos përhapet në mesin e tyre murtaja dhe dhimbe apo vuajtje, të cilat paraardhësit e tyre nuk i kanë njohur.” Ibn Maxhe 4019, Hakimi 4/540 dhe ka thënë se senedi i tij është sahih dhe kështu ka thënë edhe Dhehebiu, kurse shejh Albani ka thënë se hadithi është hasen. Shih Es-Sahiha 106.

Këtë jemi duke e përjetuar edhe ne, pasi sëmundja e Sidës nuk ka qenë e njohur në mesin tonë.

Sida në vitin 2003
Isuf Dedushaj thotë: “Rasti i parë i lajmëruar në Kosovë ka qenë në vitin 1986. Dhe bazuar në statistikat që ka Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, deri më sot në Kosovë janë regjistruar 51 raste të Sidës. Në fakt, janë 49 raste të Sidës dhe 2 raste me HIV. Këto janë zbuluar pas hapjes së disa qendrave për konsultim dhe testim vullnetar.”
Kurse VOA (Zëri i Amerikës), kur flet për Sidën në Shqipëri thotë: “Aktualisht numërohen 116 raste të diagnostikuara, por tre vitet e fundit kanë shënuar një ritëm më të shpejtë të zgjerimit të rrethit të personave të prekur. Mbi 40 vetë llogaritet të kenë humbur jetën nga SIDA, ndërkohë që virusi ka prekur edhe 5 fëmijë.
(http://www.voanews.com/albanian/archive/2003-12/a-2003-12-01-4-1.cfm)

Sipas Izet Sadikut, koordinator pranë QKTV-së, në Kosovë deri më tani janë identifikuar 54 raste të infektimit me virusin HIV, prej të cilëve kanë vdekur 22 njerëz.

Sida në vitin 2007

Kurse në vitin 2007 statistikat janë në rritje. Rrjeti televiziv BBC thekson: “Sipas infektologëve, Kosova për një periudhë të gjatë ka qenë e izoluar, për këtë arsye të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike thonë se që nga viti 1986 deri sot janë zbuluar vetëm 69 raste, ndonëse epidemiologët vlerësojnë se numri real duhet të jetë disa herë më i lartë.
(http://www.bbc.co.uk/albanian/regionalneës/2007/11/071130_bardhi_kosova_aids.shtml)

Sida në vitin 2008
Ueb faqja balkanweb.com thekson:
TIRANË- Shtohen rastet e të infektuarve me HIV në Shqipëri. Specialistë të Institutit të Shëndetit Publik kanë identifikuar vetëm gjatë muajve të parë të këtij viti 17 raste të reja të prekurish duke e çuar në 272 numrin e rasteve të diagnostikuar në vend.
Por specialistët janë të bindur se numri i të prekurve është shumë herë më i madh pasi shumë pak kanë guximin të diagnostikohen.”
(http://balkanweb.com/sitev4/index.php///neësadmin/sitev4/forumi/index.php?id=25080)

Nëse e marrim numrin e të sëmurëve në botë nga kjo sëmundje, shohim një deklaratë të vitit 2003, ku thuhet: “Sipas OKTV-së, deri më tani në Kosovë janë identifikuar 54 raste të infektimit me virusin HIV, ndërsa në botë nga ky virus këtë vit kanë vdekur rreth 3 milionë veta.”

Këto ishin disa statistika të cilat kam arritur t’i marr nga ueb faqet e ndryshme dhe të gjitha këto statistika tregojnë vërtetësinë e fjalëve të Pejgamberit salallahu alejhi ue selem, i cili ka thënë: “Nuk ndodh të përhapet në një popull prostitucioni haptas e të mos përhapet në mesin e tyre murtaja dhe dhimbe apo vuajtje, të cilat paraardhësit e tyre nuk i kanë njohur.”

– Lehtësimi i mëkatit duke bërë zina (imoralitet) me sy.
Ka thënë Pejgamberi salallahu alejhi ue selem: “Zinaja e dy syve është shikimi.” Buhariu 10/26 dhe Muslimi 16/205, 206.
– Vështirësia e uljes së shikimit, ndërkohë që jemi urdhëruar ta ulim atë.
– Pas përhapjes së mëkateve, ne e meritojmë zbritjen e dënimit nga Allahu i Lartësuar, i Cili ka thënë: “Kur duam të shkatërrojmë ndonjë vend (popull), Ne (më parë) i urdhërojmë pasanikët (parinë) e atjeshëm (për t’iu bindur Allahut e për të punuar drejt) e ata kundërshtojnë; atëherë zbatohet dënimi i merituar kundër tyre dhe i shkatërrojmë krejtësisht.” (Isra, 16)

Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur njerëzit ta shohin ndonjë të keqe e nuk e largojnë atë, ka gjasa që dënimi i Allahut t’i kaplojë që të gjithë.” Ebu Davudi në Melahim, tirmidhiu Në Fiten, Ibn Maxhe, Ahmedi 1/5, 7.

Së fundi, e lusim Allahun e Madhëruar që t’i udhëzojë motrat muslimane në rrugën e drejtë dhe t’i largohen traditave të çifutëve, të krishterëve dhe veprave të kohës së injorancës, ta mbulojnë trupin e tyre ashtu siç i ka urdhëruar Allahu i Lartësuar dhe t’u nënshtrohen urdhrave të Tij, që të jenë prej të shpëtuarve në ditën ku nuk do t’u sjellë dobi as familja e as pasuria.
Eroll Nesimi
2.11.2008

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit