4.5 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Dëmet e komunizmit dhe përmasat deri ku do të shkojmë!

Më të lexuarat

Shqipëria dhe Kosova në një fushë të përbashkët të minuar*

Në një total nga të gjitha vendet komuniste, duke nisur pas Perdes së Hekurt në Evropë e deri në Lindjen e Mesme dhe të Largët ku ka dominuar kjo ideologji shkatërruese përllogaritjet e dëmeve nxjerrin me mbi 100 milionë të vdekur të pafajshëm.

Shkruan: Roald A. Hysa, Tiranë

Në Shqipëri është Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit që po plotëson dita-ditës Librin e Zi të Komunizmit një punë e nisur me përpjekjen e të ndjerit Agim Musta. Deri në këto momente që po shkruajmë “Enciklopedia e Viktimave të Komunizmit” e këtij Instituti në bazë të hulumtimeve të bëra nga studiuesit që punojnë aty me dr. Çelo Hoxha ka nxjerrë një numër të përafërt prej 20,000 frymësh. Një terror i vërtetë për atë që merret me studimin e këtyre shifrave, ku të vrarët fillojnë me gjyq e pa gjyq qysh në vitin 1943 për të larguar konkurrencën për pushtet (ky moment përkon pak a shumë me shtatorin e vitit 1943, kur kapitulloi Italia dhe u mendua nga komunistët që ishte momenti për të marrë pushtetin), vijojnë më pas me faza ulëse e ngritëse për 50 vite rresht, deri sa filluan proceset e para demokratike me të vrarët në kufi e në masakrën e Malit me Gropa, në Tiranë.

Të vdekur nëpër burgje, të internuar, të dëbuar nga vendet e origjinës, me tatimet e jashtëzakonshme, me luftën e klasave, me shpalljen kulakë, me shtrimin në spitalet psikiatrike, me tortura nga më të ndryshmet, me fletërrufetë demaskuese të armiqve, me ndalimin e fesë dhe persekutimin e klerikëve, me përndjekjet e Sigurimit të Shtetit, me mbledhjet e këshillave e me gjithëfarësoj kombinimesh dhe intrigash të mundshme u arrit në një përmasë katastrofale dëmi, saqë edhe sot po e paguajmë rëndë.

Të vesh gishtin në plagë do të thotë të dish se në çfarë gjendje je duke kaluar, apo e ke kaluar gjithë këtë periudhë gjysëmshekullore! Enciklopedia e Viktimave të Komunizmit e ka nisur punën e vet nga A-ja dhe deri tani ka mbërritur te S-ja, pra deri tani kemi numrin e përafërt 20,000 të cilët kanë marrë një nga ndëshkimet e marra më sipër. Lista do të vazhdojë prapë deri sa kjo enciklopedi të përfundojë me germën ZH. Mirëpo kjo na jep njërën anë të medaljes, sepse secili nga këta që janë përmendur në këtë enciklopedi ka pasur një rreth familjar, që u persekutua më pas pikërisht për këta ish-të burgosur apo të pushkatuar politikë, dhe në përfundim dalin tre, katër e deri në pesë breza të persekutuarish. Ndërkaq nga ana tjetër ata që e kishin biografinë e mirë ju kontrollohej rregullisht biografia me kujdes nga sekretarët e partisë dhe nga shefat e kuadrit nëpër ndërmarrje. Nuk ishte çudi që diku njerëzit me biografi të mirë të takonin për shkak të farefisnive të afërta e të largëta me këta me biografi të keqe. Paramendoni se në ç’gjendje terrori jetonin njerëzit për shkak të lidhjeve familjare, që mund të kishin me ndonjë të persekutuar. Ndërsa në Kosovë akoma nuk ka ndonjë përpjekje reale në këtë drejtim, ndoshta nga periudha e shkurtër nga shpallja e shtetit të Kosovës si i pavarur. Po ashtu Kosova i ka ende të pashkëputura lidhjet me të kaluarën kriminale të komunizmit dhe tashmë me rrethanat e reja të krijuara vëmendja e publikut është tek politika ditore. Vendet tona kanë nevojë për katharsisin moral dhe një pjesë e madhe e emrave, se kush persekutoi kë dihen nga vetë të interesuarit të parët.

Mirëpo e gjithë kjo punë duhet adresuar publikisht së bashku me shifrat dhe emrat e persekutorëve. Ka një përmasë dëmi i shkaktuar nga ajo periudhë pushtimi dhe ajo është baza nga duhet të nisi katharsisi. Një punë që ka nisur kjo në Shqipëri, por në Kosovë akoma nuk ka ndonjë diçka konkrete me sa dimë. Ky proces duhet të nisi dhe të vazhdohet si me mekanizmat shoqërore, por të ndihmuara kryesisht nga ministria e drejtësisë dhe një grup historianësh të rinj të zellshëm për ta nxjerrë në dritë këtë anë të errët të historisë së dy vendeve tona.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit