1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Demarkacioni me Malin e Zi pritet të shkaktojë

Më të lexuarat

Ka mbetur çështje javësh kur Kosova e Mali i Zi, pritet t’i ndajnë territoret me vijë kufitare. Por dikush paralajmëron palët që të mos nguten me shënimin e këtij kufiri, pasi banorët e anës së Rugovës nuk do të pajtohen që t’u mbesin pronat jashtë territorit të shtetit të tyre.

Pas një pune të gjatë të komisioneve ndërshtetërore, paralajmërimin për demarkacion të kufirit e ka dhënë para pak ditësh vet presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq. Këtë e ka bërë gjatë një takimi që ka zhvilluar në Ulqin me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Edhe Komisioni Shtetëror i Kosovës për Shënimin e Vijës Kufitare konfirmon se së shpejti do t’i dorëzojë Qeverisë së Kosovës raportin për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
Por është dikush që i paralajmëron palët që të mos nguten me shënimin e këtij kufiri, pasi banorët e anës së Rugovës, nuk do të pajtohen që t’u mbesin pronat jashtë territorit të shtetit.
Është Ali Lajçi, i cili si vëzhgues dhe këshilltar në Komisionin e Kosovës për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, thotë për Tribuna Channel se së shpejti do të ketë protesta për këtë çështje nga banorët e asaj pjese.

Vijëzimet e caktuara nga kadastri dhe gjeodezia e Malit të Zi, sipas tij, janë të papranueshme për banorët e asaj zone.

“Këto vija depërtojnë nga 5 deri 8 kilometra dhe marrin bjeshkë dhe vendbanimet më të mira shfrytëzuese,”shprehet Lajçi.
Ai përmend zonën rreth vendkalimit kufitar të Kullës dhe atë në pjesën e Çakorit në Rugovë, si dy zonat më problematike.

E diskutueshme, sipas tij, vazhdon të mbetet edhe e gjithë vija kufitare përgjatë kufirit perëndimor të Kosovës, duke përfshirë edhe fshatrat rrëzë bjeshkës së Hajlës.
Sipas variantit të malazezëve, në këto dy zona, kufiri zbret deri tek Ura e Zhlebit në Kullë dhe deri në Kuqishtë dhe te Leqinati në Rugovë.

Lajçi kritikon delegacionin e Kosovës në Komision, të kryesuar nga Murat Meha, duke thënë se ky delegacion ka qenë pasiv dhe se gjithherë i ka pranuar propozimet e malazezëve.
“Prandaj të kenë kujdes në komisione parlamentare të gjithë mekanizmat, që të ndalohet sepse do të jetë problem dhe mund të ketë konflikt. Në këtë rast edhe Kuvendi i Kosovës i cili duhet ta ratifikojë këtë marrëveshje me 2/3 e votave duhet të ketë kujdes dhe duhet të mos i japë legjitimitet kësaj vije e cila është vetëm në interes të malazezëve dhe prekja e vijave tona hapësinore është e papranueshme”, deklaron Lajçi.

Por kryetari i Komisionit shtetëror, Murat Meha thotë se është duke punuar në ndërgjegje të plotë dhe ka bërë të gjitha hulumtimet e dokumentacionit relevant për shënimin e vijës kufitare.
 
“Sa i përket kësaj vije kufitare që është në gjatësi 79.15 kilometra, ajo është në përfundim. Opinionet e qytetarëve i kemi vlerësuar. E kemi analizuar të gjithë dokumentacionin dhe atë do ta bëjmë në mënyrë profesionale. Shqetësime natyrisht se kanë. Shqetësimet e tyre duhet të jenë të mbuluara me dokumentacion relevant përkatës shtetërorë dhe kadastral,”shprehet Meha.
Ai thotë se në 15 takimet me qytetarët dhe kryetarët e tri komunave që janë në vijën kufitare me Malin e Zi kanë diskutuar për shënimin e vijës kufitare, për të cilën thotë se është e pandryshueshme.
“Kosova nuk humb.

Kosova e ka territorin e përcaktuar shumë qartë në hartat shtetërore jo në hartat që punojnë projekte të ndryshme sipas dëshirave, por me hartën shtetërore që i ka 10 e 887 kilometra katrorë. Kanë mbetur edhe pak kilometra, dhe shumë shpejtë do të përfundojë. Është një çështje që kërkohet edhe nga BE-ja për të treguar aftësitë dhe mundësitë e Kosovës për përkufizimin e shtetit sipas vijës e cila duhet të shënohet në terren”, tha Meha.

Një prej kushteve në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave është çështja e kufirit administrativ, sipas të cilit Kosova duhet të bëjë përpjekje për përfundimin e kufirit administrativ me Malin e Zi, në mënyrë të koordinuar me palën tjetër. kohaislame
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit