“Situata në Siri nuk pret më”, me këto fjalë i është drejtuar përmes kamerave të TRT Haberit bashkësisë ndërkombëtare Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Ahmet Davutollu.
Shefi i diplomacisë turke u bëri apel Kombeve të Bashkuara të veprojnë në bazë të një kalendari.
Pyetjeve të TRT Haberit Davutollu iu përgjigj me lidhje të drejtpërdrejt nga Maroku, ku kishte shkuar për të marrë pjesë në mbledhjen e Grupit të Miqve të Popullit të Sirisë.
Ministri i Punëve të Jashtme, Ahmet Davutollu ishte i ftuari i gazetares së TRT Haberit, Sibel Karakuzu në qytetin Marakesh të Marokut.
Në lidhje me çështjen e Sirisë, Ahmet Davutollu tha se përpjekjet ndërkombëtare në këtë drejtim duhet të përshpejtohen. “Nëse Koalicioni Kombëtar Sirian fuqizohet dhe rritet përkrahja dhe mbështetja ndaj tij, regjimi do të humbasë”, u shpreh Davutollu.
Tablonë e sotme në Siri Davutollu e paraqiti duke dhënë edhe shifra.
“Tani nuk kemi më kohë për të humbur vazhdimisht me iniciativa të reja, vazhdimisht me nisma diplomatike. Përpjekjet duhet të planifikohen brenda një grafiku, kalendari. 2 milionë njerëz të pastrehë dhe pa ushqime në Siri mundohen të mbijetojnë në kushtet e këtij dimri. Dhe ne jemi përgjegjës pikërisht për këta njerëz. 500 mijë vetë kanë gjetur vend në një çadër refugjati. Po të tjerët? Po ata që ndodhen brenda? Kemi të paktën 44 mijë të vdekur, 80 mijë të tjerë rezultojnë të humbur, 250 mijë janë të arrestuar dhe mbahen në burg. A duhet të humbim akoma kohë? Mes viktimave ka fëmijë, gra. Këta janë njerëzit tanë”, u shpreh Davutollu.
Deri më sot opinioni publik ndërkombëtar opozitën siriane nuk e ka përkrahur me arsyetimin se nuk ishte e organizuar, rikujtoi Davutollu, ndërsa shtoi se tani ky argument e ka humbur vlerën me krijimin e Koalicionit Kombëtar Sirian.
Kurse në lidhje me raketat Patriot, Davutollu tha: “Nuk kemi të bëjmë me asnjë konkluzion politik, atje ku do të vendosen, do të jetë edhe mbrojtja më e gjerë. Këtu nuk mendohet vetëm Turqia, por mendohet edhe lokacioni i kërcënimit brenda Sirisë. Nga Gjermania nuk kemi ndonjë ndërhyrje po të kemi parasysh këtu edhe raketat që ndodhen në Siri”.
Davutollu sqaroi se janë marrë të gjitha masat e duhura ndaj një kërcënimi të mundshëm me armë kimike që do të vinte nga Siria.
“Për ne si shtet prioritet themelor përbën e ardhmja, siguria e vendit tonë. Nuk mund të neglizhojmë duke menduar se kemi të bëjmë me një probabilitet të vogël”, nënvizoi Ahmet Davutollu dhe shtoi: “Shpresojmë që qetësia e brendshme në Siri vendoset pa ardhur raketat Patriot. Me Shtatmadhorinë i kemi bërë të gjitha analizat e risqeve të mundshme. Të gjithë e ditë që fuqia konvencionale e Turqisë nuk do të jetë një sfidë”.