1.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Dashuria për Zotin

Më të lexuarat

Feja, sipas një përkufizim të përmbledhur, nuk është gjë tjetër veçse marrëdhënia që krijohet në mes Zotit dhe njeriut. Në thelb çdo marrëdhënie mes dy subjekteve ka ndjenjën, kjo ndjenjë mund të jetë vetëm dashuria, ose vetëm përfitimi, ose të dyja së bashku, ku dominon ose njëra ose tjetra. Edhe pse teorikisht do të duhej të thuhej se dashuria dhe përfitimi kanë një nivel ku ato janë të barabarta, në praktikë kjo gjë do të ishte e vështirë të provohej me ndjenjat njerëzore.

Për të kuptuar më lehtë sesi zhvillohet marrëdhënia e njeriut me Zotin, do të marrim si shembull mënyrën sesi zhvillohet marrëdhënia e njeriut me njeriun.

Rasti i parë:

Një njeri mund ta dojë një njeri tjetër ashtu siç ai është dhe kërkon me ngulm e çdo kusht të fitojë dashurinë e tij, kjo sepse dashuria është një ndjenjë që kërkon shkëmbim të dyanshëm, kur ajo nuk finalizohet si e tillë dhe mbetet e njëanshme, atëherë kjo shkakton vuajtje. Në një situatë të tillë, kur një njeri është i mbushur me një dashuri të pakufishme për dikë tjetër, aq sa çdo qelizë e trupit të tij e dëshmon këtë gjë e kjo dashuri gjendet në çdo skutë të shpirtit të tij, ky njeri është i gatshëm për çdo lloj nënshtrimi, për çdo sakrificë, vetëm e vetëm për të arritur qëllimin e dashurisë së tij, që është të fitoj kënaqësinë dhe dashurinë e atij që ai do. Për të nuk ka asnjë rëndësi sakrificat që ai duhet të bëjë dhe koncesionet që duhet të japë, për të fituar me çdo kusht dashurinë e atij që ai do. Kjo dashuri natyrshëm shoqërohet me ndjenjën e frikës, të frikës dhe të shpresës, të frikës se mos i dashuri i zemrës nuk i përgjigjet kësaj dashurie dhe të shpresës se ai do t’ia arrijë qëllimit ta bëjë atë për vete, aq sa edhe ai ta dojë atë. Pikërisht kjo frikë dhe shpresë e mbajnë gjithmonë gjallë këtë dashuri, që asnjëherë ajo të mos venitet tek njeriu që do me gjithë shpirt dikë dhe e bëjnë atë kurdoherë këmbëngulës, deri në çastet e fundit të jetës. Kjo është një dashuri ku vihen re qartë elementët e admirimit sublim, e përgjërimit, nënshtrimit, frikës dhe shpresës, e thënë më shkurt ky është vetë adhurimi. Për këtë dhe Ibn Kajimi thekson se, thelbi i adhurimit ndaj Zotit është dashuria e pakufitë për Të. Nëse një dashuri e tillë shfaqet te krijesat për krijesat, atëherë ajo shndërrohet në atë që quhet shirku i dashurisë. Kjo është një nga format e idhujtarisë, ta duash krijesën ashtu siç duhet të duhet vetëm Zoti. Për këtë Allahu i Madhëruar thotë: “E megjithatë, disa njerëz zgjedhin (për të adhuruar) në vend të Allahut (zota) të tjerë, (duke i konsideruar) si të barabartë me Të dhe duke i dashur siç duhet Allahu. Por ata që besojnë, e duan shumë më tepër Allahun” (el-Bekare: 165)
Një njeri që ka një dashuri të tillë gjendet në pozitat e atij që kërkon sa më shumë njohjen e atij që do, njohjen e çfarë i pëlqen të dashurit të tij dhe çfarë jo, çfarë mund ta bëjë atë për vete dhe çfarë jo, pra në këtë rast ai pret që, i dashuri i tij të jetë ai që i udhërrëfen atij rrugën për të fituar dashurinë e tij, në këtë rast ai nuk shpik dhe as nuk sajon, por vetëm kërkon të dijë deri edhe në detajet më imta aprovimin ose jo të atyre gjërave që ai bën, për të fituar dashurinë e të dashurit të tij. Një dashuri e tillë është një dashuri që kërkon, ndjek, pason bindet dhe nuk shpik. Pikërisht kjo është edhe udha që të shpie në fitimin e dashurisë së Zotit, Allahu thotë: “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë”.” (Ali-Imran: 31)

Rasti i dytë:

Kur një njeri e do një tjetër për aq sa e do ai atë. Ai i ofron dashuri atij që do, me kusht që i dashuri i tij t’i ofrojë po të njëjtën dashuri, pra kërkon respekt dhe dashuri reciproke të kushtëzuar. Nëse kjo nuk i afrohet, dashuria e tij për të -për shkak të zhgënjimit që njeriu pëson- do të venitet ose do të zhduket plotësisht. Një dashuri e tillë është në thelb një dashuri mes të barabartëve, një dashuri që kërkon të imponohet dhe pranon shumë pak ose aspak nënshtrime dhe koncesione. Një dashuri e tillë nuk është një dashuri e plotë nënshtrimi, frike dhe shprese dhe nuk kërkon me domosdo njohjen e gjithçkaje që i pëlqen të dashurit, pasi mjafton që ai e do dikë dhe nuk është kusht që ta di nëse gjithçka që ai ofron për këtë dashuri është e pranuar dhe e pëlqyer që më parë nga ai që ai do. Mjafton që dashuria dhe respekti që ofron ky njeri për dikë tjetër, ashtu siç ai e ndjen, të jetë plotësisht e mjaftueshme që tjetri ta pranojë atë dhe t’i përgjigjet po me të njëjtën dashuri.
Marrëdhënia e dashurisë mes Zotit dhe njeriut nuk mund të ngrihet mbi një bazë të tillë, sepse ajo në thelb është ngritur mbi ndjenjën e barazisë dhe jo të ndjekjes dhe nënshtrimit absolut. Është pikërisht kjo lloj dashurie që nëse lind tek njerëzit për Zotin, nuk shoqërohet me masën e duhur të frikës dhe shpresës dhe të ndjekjes, e që janë kushtet e pranimit të adhurimit në Islam dhe të fitimit të dashurisë dhe kënaqësisë së Zotit. Kjo lloj dashurie prodhon iluzionin e të qenit pranë Zotit edhe kur në fakt nuk je, prodhon një siguri imagjinare ndaj ndëshkimit nga Zoti dhe bindjen absurde se njeriu është i pranuar dhe i dashur tek Zoti, sado gjynahqar apo mëkatar të jetë ai. Kjo lloj dashurie bëhet shkak edhe për prodhimin e risive në fe dhe mosvlerësimit të pozitës së skllavit apo të krijesës së nënshtruar, që njeriu ka ndaj Krijuesit. Një dashuri e tillë për Zotin është shfaqur te të krishterët dhe hebrenjtë, dhe këtë Allahu e tregon mjaft bukur kur thotë: “Hebrenjtë dhe të krishterët thonë: “Ne jemi bijtë e Allahut dhe të dashurit e Tij”. ky është shembull i një dashurie të mes të barabartëve që në realitet nuk janë të tillë, ndaj dhe Allahu zhvlerëson dhe tregon papranueshmërinë e kësaj dashurie duke thënë më pas: “Thuaj: “Atëherë, përse Ai ju dënon për shkak të gjynaheve tuaja? Jo! Ju jeni njerëz nga ata që Ai ka krijuar. Ai fal kë të dojë dhe dënon kë të dojë.” (el-Maide:18)
Shembulli sesi kjo dashuri i hap portën risive në fe, është ajeti që flet për murgërinë në mesin e të krishterëve:
“Sa për murgërinë, Ne nuk ua urdhëruam atë, por ata e shpikën vetë për të arritur kënaqësinë e Allahut.” (el-Hadid: 27)
Një fenomen i ngjashëm me këtë lloj dashurie shfaqet edhe tek një pjesë e sufive në Islam, tek të cilët në dallim me nocionet e Islamit për adhurimin, dashurinë e shohin si të vetmin motiv dhe shtytës së adhurimit, ndërkohë që frika nga ndëshkimi i Zotit dhe shpresa për të fituar shpërblimin e Tij tek disa prej tyre konsiderohet si shirk që përzien në mes interesin material të njeriut. I pari që pretendohet të ketë shprehur një qëndrim të tillë të panjohur më parë, është Rabiatu Adivije nga Basra e Irakut (135 h.), të cilës i atribuohet dyshueshëm koncepti i adhurimit për hir të dashurisë dhe përjashtimi i frikës dhe shpresës si pjesë e këtij adhurimi! Koncepti i dashurisë (arab. hub) më pas tek sufitë evoluon edhe më tej në ashk (arab. ishk) dhe bashkë me nocionin e unitetin të qenies (uahteul uxhud) ai fillon t’i ngjaj në përfundimet e tij gabimit të mësipërm të të krishterëve dhe çifutëve që e konsideronin veten e tyre si bij dhe të dashurit e Zotit, pra jo si krijesa tërësisht skllave dhe të ndara nga Krijuesi transcendent, por si pasqyrime të brendshme të Qenies, të një Krijuesi imanent dhe transcendent njëkohësisht.

Rasti i tretë:

Rasti i tretë i marrëdhënies së një njeriu me njeriun, është marrëdhënia e përfitim-shkëmbimit. Këtu dashuria ose nuk ekziston fare ose është në nivelin minimal të mundshëm dhe është një dashuri nga cila pritet vetëm një përfitim, kryesisht ai material i kësaj bote. Këtë dashuri mund ta quajmë dashuri tregtare, dashuri më jep-të jap. Në të ekziston vetën fryma e të drejtave dhe detyrimeve reciproke sipërfaqësore, tamam si në një kontratë shkëmbimi mallrash. Në këtë lloj dashurie nuk gjen elementë të sinqeritetit, të frikës apo shpresës, për aq kohë sa ai që shet mendon se malli i tij vlen ndaj dhe për rrjedhim pala tjetër është e detyruar të përgjigjet.
Edhe kjo rast marrëdhëniesh, si në rastin e dytë, e bën njeriun të ndjehet i barabartë me tjetrin. Nëse vendoset një marrëdhënie e tillë e ftohtë nga njeriu me Zotin është marrëdhënie mashtruese, ku në fakt njeriu vetëm mashtron vetveten dhe bie në pozitat e një hipokriti. Allahu i Madhëruar për këtë thotë: “Ka disa njerëz që thonë: “Besojmë në Allahun dhe në Ditën e Gjykimit!”, por në të vërtetë ata nuk janë besimtarë. Ata përpiqen të mashtrojnë Allahun dhe besimtarët, por në të vërtetë mashtrojnë vetëm vetveten, megjithëse nuk e ndiejnë.” (el-Bekare: 8).

Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit