2.2 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Dashuria e çiltër

Më të lexuarat

Dashuria për Allahun duhet të jetë para çdo gjëje tjetër. Askush dhe asgjë, kushdo qoftë apo çfarëdo qoftë, nuk ka përparësi ndaj Allahut. “Thuaj (o i dërguar): “Në qoftë se etërit tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, farefisi juaj, pasuria që e fituat, tregtia që frikoheni se do të dështojë, vendbanimet me të cilat jeni të kënaqur, (të gjitha këto) janë më të dashura për ju se All-llahu, se i dërguari i Tij dhe se lufta për në rrugën e Tij, atëherë, pritni derisa All-llahu të sjellë vendimin e Tij. All-llahu nuk vë në rrugën e drejtë njerëzit e prishur.” [Et-Teube: 24]

Dashuria për Allahun nuk është fjalë që thuhet por vepër që shihet e reflekton. Ta duash Allahun d.t.th. ta duash fenë e Tij, të Dërguarin e Tij, besimtarët e Tij. “Thuaj: Nëse e doni All-llahun, atëherë ejani pas meje që All-llahu të ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se All-llahu është që fal shumë, mëshiron shumë.” [AliImran: 31]; “O ju që besuat! Kush largohet prej nga feja e vet (i bën dëm vetes) s’ka dyshim se All-llahu do të sjellë një popull që Ai e do atë (popull) dhe ata e duan Atë (Zotin), (një popull) që është modest e i butë ndaj besimtarëve,…” [El-Maide: 54] Dashuria për Allahun nuk mund të realizohet në qoftë se nuk i ngel besnik fjalës dhe urdhrave të Tij. ‘Nuk është shenjë e dashurisë që të duash atë që i Dashuri urren.’[1] Jahja bin Muadhi ka thënë: ‘Nuk është korrekt ai që pretendon dashurinë e Allahut ndërsa nuk respekton kufijtë e Tij!’[2]

Dashuria për Allahun është mënyrë për ta shijuar ëmbëlsinë e besimit. Profeti [Paqja qoftë mbi të!] ka thënë: ‘Kush posedon tre gjëra, ai e ka shijuar ëmbëlsinë e besimit: Që Allahu dhe i Dërguari i Tij të jenë më të dashur tek ai se çdokush tjetër…’ [3] Dashuria për Allahun nënkupton që të sakrifikosh për Të, ta adhurosh. Malik bin Dinari ka thënë: ‘Zemra që e do Allahun dëshiron të qëndrojë (në adhurim) për Allahun.’[4] Dashuria për Allahun nënkupton që tërë atë që bën, ta bësh për ta fituar dashurinë e Tij. “Dashuria Ime pashmangshëm është për ata që duhen për hir Timin, vizitohen për hir Timin, shpenzojnë për hir Timin, mbajnë lidhjet me njëri tjetrin për hir Timin.”[5]

Dashuria për Allahun nënkupton të pranosh tërë atë që të vjen prej Tij. Është shenjë e dashurisë së Allahut që ku ta do dikë, ta sprovojë.[6]Fudajl bin Ijjadi ka thënë: ‘Kur Allahu ta dojë robin, ia shton brengat, e kur ta urrejë, ia zgjeron dynjanë.’[7]

Dashuria për Allahun nënkupton që të mjaftosh me të dhe të mos i përgjërohesh askujt. Dhu-n-Nuni ka thënë: ‘Thuaji atij që e shfaq dashurinë për Allahun: ‘mos e përul veten para askujt tjetër pos Tij!’, sepse prej shenjave të atij që e do Allahun është që të mos shfaq nevojë për askënd tjetër pos Allahut.’[8]

Dashuria e kulluar për Allahun është shkak edhe për përfitimin e dashurisë së të gjitha krijesave. “Kur Allahu ta dojë ndonjë rob, e thërret Xhibrilin dhe i thotë: Unë e dua filanin, andaj duaje edhe ti! Xhibrili e do. Pastaj Xhibrili i thërret banorët e qiellit dhe iu thotë: Allahu e do filanin, andaj duajeni edhe ju! Edhe ata e duan. Pastaj, gjen pranim (dashuri e respekt) edhe tek banorët e tokës.”[9]

Dashuria për Allahun është shkak për përfitim të mbrojtjes dhe sigurisë së Allahut. “Kush ma shqetëson një të dashur, do t’i shpall luftë!…”- ka thënë Allahu.[10]

Porosia: ‘Nuk është çudi dashuria ime për Ty ndërsa unë jam rob i varfër e kam nevojë për Ty: çudi është me dashurinë Tënde, Zoti im, ndërsa Ti je Sunduesi Fuqiplotë!’[11]

Shkrimi i përgatitur nga: Dr. Sedat Islami

[1] Thënie e BishrSerrit. Shih: Hiljetu-l-Evlija, 8/300.
[2]Hiljetu-l-Evlija, 10/67.
[3] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
[4]Hiljetu-l-Evlija, 2/363.
[5] Transmeton Imam Ahmedi ndërsa Albani e konsideron autentik.
[6] Hadith i transmetuar nga Tirmidhiu dhe i saktësuar nga Albani.
[7]Hiljetu-l-Evlija, 8/88.
[8]Hiljetu-l-Evlija, 9/373.
[9] Transmeton Buhariu.
[10] Hadith kudsijj i transmetuar nga Buhariu.
[11] Thënie nga Ebu JezidBestami. Shih: Hiljetu-l-Evlija, 10/34.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit