Drejtues të Universitetit të Prishtinës gjatë vitit 2011, kanë shpenzuar për paga e mëditje miliona euro, përderisa në Universitet kishte nevoja për investime në të gjitha fushat.
Përveç kësaj, prokurimi i UP-së ka qenë skandaloz. Të gjitha këto marifete kanë ndodhur në kohën e Mujë Rugovës. Këto vlerësime i kanë bërë zyrtarët të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike.
Në kohën sa rektor i Universitetit të Prishtinës ishte Mujë Rugova, ka pasur shpenzim jo të mirë të buxhetit të këtij institucioni.
Shumica e buxhetit të Universitetit të Prishtinës është harxhuar në mëditje dhe paga dhe jo për nevojat që ka pasur UP-ja.
Nga të hyrat vetanake sa ka pasur UP-ja në vitin 2011 prej 9.2 milionë eurosh, zyrtarët e saj kanë harxhuar afër 7,3 milionë vetëm për paga dhe mëditje.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, si të pozitës dhe ata të opozitës, kanë dhënë vërejtje të shumta për raportet financiare të Universitetit të Prishtinës, gjatë vitit 2011. Ata kanë thënë se në përgjithësi mjetet në këtë institucion janë shpenzuar për mëditje dhe paga dhe jo për nevoja që është dashur të shpenzohen.
Deputeti i LDK-së, Ali Sadriu, në emër të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, ka thënë se Komisioni ka shqyrtuar Raportin e pasqyrave financiare për vitin 2011, ku del se në UP, ka opinion të pakualifikuar.
“Zbatimi i rekomandimeve të vitit të kaluar nuk është i kënaqshëm. Nga buxheti i ndarë, 72 për qind janë shfrytëzuar për paga dhe mëditje, vetëm 58 për qind e buxhetit i kanë shpenzuar për investime kapitale. Të hyrat vetanake, 9.2 milionë euro, ku 80 për qind të tyre janë shpenzuar për paga dhe mëditje, kurse 20 për qind për nevoja të tjera. Ka parregullsi për barazimin e pagesave të të hyrave vetanake. Procesin e barazimit të pagesave nga të hyrat vetanake”, ka thënë Sadria, shkruan Express.
Gjithashtu, ka pasur vërejtje për shkelje të rregullave të prokurimit.
Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Ramiz Ladrovci, në emër të PDK-së, ka thënë se UP-ja ka opinione të pakualifikuara.
Edhe Lladrovci ka thënë se ka pasur pabarazi në të hyrat dhe mospërputhje të vlerave të pagesave të studentëve.
“UP-ja ka mungesë të serverit për regjistrimin e të hyrave, tejkalimin e limitit për telefoninë mobile. Pasqyrat financiare nuk kanë qenë konsistente prej vitit 2008 deri më 2011. UP-ja duhet të marrë masa për të shqyrtuar dhe adresuar të gjeturat nga auditimi”, ka thënë Lladrovci.
Ndërkaq, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Hoti ka thënë se menaxhimi i UP-së është tërësisht politik, me kapacitete të ulëta intelektuale, që prodhon keqmenaxhimin e parave të taksapaguesve.
“Si pasojë e mungesës së kuadrove profesionale, shkakton rrënim dhe këtu politika mbizotëron mbi dijen. Auditori ka vërejtur mospërputhje në mes të vlerave të paguara nëpërmes bankave dhe llogarive bankare të UP-së. Te pagat dhe mëditjet, Auditori konstaton se ka pasur punëtorë me dy kontrata të rregullta pune. Po ashtu. kanë munguar dëshmitë për kryerjen e punëve të personelit jashtë orareve, sikur edhe pagesat pa e përmbushur normën”, ka theksuar Hoti.
Ndërkohë, deputeti i AAK-së, Bali Muharremi ka thënë se në UP nuk ka pasur një shpenzim racional.
“UP-ja ka laramani të financimit, nuk ka pasur shpenzim racional të buxhetit”, ka theksuar ai.
Pas debatit, deputetët kanë miratuar në fund raportin e UP-së për vitin 2011.kohaislame