Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq deklaroi sonte se Serbia duhet t’i zbatojë marrëveshjet e arritura me Kosovën në Bruksel, të cilat, sipas tij, janë të vështira për të andaj do të përpiqet që nëpërmjet punës së grupeve punuese t’i bëjë më të volitshme, sepse alternativë e kësaj do të ishte ndërprerja e integrimeve evropiane, raporton Kohanet.
“Zgjidhje tjetër do të ishte t’i ndërpresim të gjitha integrimet evropiane, gjë që, natyrisht, është vendim i yni dhe askënd nuk do ta dëmtojë pos nesh”, iu tha ai gazetarëve në shënimin e ditës së Agjencisë ushtarake të sigurimit.
Duke folur për takimin e së mërkurës mbrëma me Hashim Thaçin, Daçiq theksoi se politika shtetërore sa i përket Kosovës nuk ka ndryshuar, por që “Serbia ka filluar me lëvizje aktive, duke ofruar ujdi, sepse vetëm në atë mënyrë mundet më së miri t’i mbrojë interesat e veta”.
“Nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës me asnjë kusht. Nuk do të ketë lëvizje të njëanshme, e kjo do të thotë që nuk do të ketë as dhunë në Kosovë. Ky është qëllimi ynë, të ruajmë paqen dhe të mbrojmë interesave e serbëve në Kosovë”, sqaroi ai.
Sipas tij, rezultat pozitiv i asaj që qeveria e tij po bën në Bruksel për çështjen e Kosovës është fakti se sot në kryeqytetin e BE-së është mbajtur një takim i përfaqësuesve të tetë vendeve të BE-së, të cilat angazhohen për që Serbia sa më parë të marrë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në Unionin Evropian.kohaislame