Pasi deputetët serbë të Kuvendit të Serbisë e votuan me shumicë marrëveshjen e Brukselit për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, kryeministri serb, Ivica Dacic, tha se në bisedimet e ardhshme Prishtinë-Beograd do të flitet për pronën private, statusin e Kishës Ortodokse serbe dhe telekomunikacionin.
Ai disa deputetëve që kundërshtuan marrëveshjen ju drejtua me emër. Deputetit vllah, Nikola Tulimirovic i tha: “Çka ke bërë ti për interesat e vllahëve në Serbi”. Ndërsa, deputetit Goran Bogdanovic i tha: “Ti dikur ishe ministër në Qeverinë e Kosovës”.
“Territori i pa njerëzit është problem i madh, prandaj duhet ta ruajmë popullin”, ka thënë Dacic, duke shtuar se Asociacioni do të ketë 10 komuna, katër nga të cilat janë në veri.
“Nuk mund të kemi një politikë refuzuese, sepse do të mbesim edhe pa territor e edhe pa popull e nuk do të kemi nevojë më të flasim për Kosovën në këtë Parlament, sikur që nuk flasim për Republikën Serbe të Krainës (në Kroaci)”.
Ai i pyeti nëse deputetët mendojnë se Serbia më 1999 e ka mundur NATO-n, duke ua përkujtuar atyre se Serbia ka tërhequr ushtrinë dhe policinë pas Marrëveshjes së Kumanovës.
“Nuk duam dhe kurrë nuk do ta pranojnë Kosovën e pavarur, por nuk mund të kemi vetëm përgjigje negative për çdo propozim”.
Dacic tha se nuk do që serbëve të Kosovës t’ju ndodhë ajo që u ndodhi serbëve në Kroaci, të cilët e refuzuan marrëveshjen Z-4 e pastaj ndodhi aksioni “Stuhia” pas të cilit serbët u dëbuan.
Ai përsëriti se pjesë e rëndësishme e marrëveshjes është që “Prishtina nuk do të mund të dërgojë forcat e sigurisë në veri pa pajtimin e KFOR-it dhe të serbëve, dhe se për këtë garanton NATO”. /tg/kohaislame