1.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

CSM: NATO-ja duhet t’i ofrojë Turqisë mbështetje ushtarake

Më të lexuarat

Për herë të dytë në pesë muaj, Turqia ka kërkuar mbështetje nga NATO-ja, por, për fat të keq, Aleanca Transatlantike është përgjigjur me fjalë dhe jo me vepra, shkruan gazeta Christian Sciene Monitor.

Kur Siria ka hedhur poshtë një aeroplan luftarak të Turqisë në muajin qershor, Ankaraja ka kërkuar takim të anëtarëve të NATO-s, kujton gazeta amerikane. Sipas burimeve diplomatike, ajo ka kërkuar nga Aleanca që të përgatisë plane rezervë për të vendosur zonën e ndalim-fluturimit në Siri. Aleanca ka votuar kundër kërkesës, duke dënuar sulmin e Sirisë “në termat më të fuqishëm”.

Pas disa sulmeve me mortaja në territorin turk, ushtria siriane, më 3 tetor, ka vrarë pesë civilë turq. Sipas gazetës, Turqia sërish i ka kërkuar NATO-s që të takohet për të diskutuar situatën. Ambasadorët e Aleancës u mblodhën nxitimthi dhe, përmes një deklarate, “dënuan fuqishëm” sulmin.

NATO-ja duhet t’i ofrojë Turqisë më shumë se premtimet e përsëritura “për të ndjekur nga afër dhe me shqetësim të madh krizën”, shkruan gazeta.

Sipas saj, përgjigjja e Aleancës për Turqinë po shqyrtohet nga afër në Turqi dhe rajon dhe do të ketë pasoja të fuqishme. Nëse NATO-ja vazhdon me ofrimin e “premtimeve në letër” për Turqinë, perceptimi se Aleancës i mungon vullneti politik për të mbështetur aleatët kur ata sulmohen, do të jetë një goditje e madhe për besueshmërinë e NATO-s.

Christian Science Monitor shkruan se nuk është as në interesa të NATO-s të zhgënjejë vendin me ushtrinë e dytë më të madhe brenda Aleancës. Evropa dhe Shtetet e Bashkuara nuk mund të përballojnë përplasjen me shtetin, që disa e cilësojnë si demokracinë e vetme myslimane që funksionon brenda Lindjes së Mesme, me shtetin me vlera të pakrahasueshme gjeostrategjike, ekonomike dhe kulturore, thuhet në artikull.

Po çfarë mund të bëjë NATO-ja për Turqinë?

Vëmendje e madhe është përqendruar te thirrja në Nenin 5 të Aleancës për mbrojtje të përbashkët.

Koha e vetme kur është përdorur ky nen ka qenë pas sulmeve të 11 Shtatorit kundër Shteteve të Bashkuara. NATO-ja ka dërguar shtatë avionë radarë me ekipe nga 13 vende anëtare, për të ndihmuar patrullimin në qiejt e Amerikës.

Përveç këtij rasti të izoluar, vijon artikulli, Aleanca Transatlantike ka kapërcyer me sukses trazirat pa u thirrur në Nenin 5. Kjo ndodh sepse anëtarët e NATO-s kanë disa opsione për të mbështetur dhe përforcuar njëri-tjetrin pa pasur nevojë të përdorin klauzolën e mbrojtjes së përbashkët. Këto opsione duhet të shqyrtohen tani, shkruan Christian Science Monitor.

Për shembull, para ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara në Irak në vitin 2003, Turqia ka kërkuar takim me aleatët e saj në bazë të Nenit 4 të Traktatit të NATO-s, për të diskutuar rreth asaj se si mund ta ndihmojë Aleanca Ankaranë për të penguar sulmet nga Iraku. Neni 4, kujton gazeta, u lejon anëtarëve të kërkojnë konsultime kur, sipas vlerësimit të tyre, kërcënohet integriteti i tyre territorial, pavarësia politike ose siguria.

Në kohën e Irakut, Aleanca ka miratuar Operacionin Pengues, duke vendosur masa parandaluese të mbrojtjes për të siguruar Turqinë.

Këto masa, shkruan gazeta, kanë përfshirë dërgimin e katër aeroplanëve radarë në Turqi, si dhe pajisje për mbrojtje kimike dhe biologjike. Për më tepër, anëtarët e NATO-s kanë vendosur më shumë se 1,000 forca me kapacitet të lartë për të mbështetur Turqinë gjatë konfliktit në Irak, shkruan gazeta.

Ajo vlerëson se NATO-ja i është përgjigjur me vend thirrjes së Turqisë për ndihmë, duke thënë se këto veprime kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë dhe pozitiv në Turqi.

Ambasadori i atëhershëm i Ankarasë në NATO, Ahmet Uzumcu, ka falënderuar Aleancën për solidaritet.

“Ne jemi të bindur se me operacionin e tillë pengues, NATO-ja, jo vetëm që i ka zgjatur dorën e ndihmës njërit prej anëtarëve të saj, por po ashtu ka dëshmuar besueshmërinë dhe rëndësinë e saj si gurthemel i sigurisë kolektive në zonën euro-atlantike”, kujton gazeta deklaratën e ish-ambasadorit turk.

Duke u kthyer në ditët e sotme, gazeta Christian Science Monitor shkruan se Turqia ka vuajtur sulme të shumta dhe humbje jetësh nga Siria. Sipas saj, kryeministri Recep Tayyip Erdogan është përgjigjur me durim të madh ndaj krizës, por burimet diplomatike kanë bërë të qartë se Turqia është lodhur duke duruar e vetme këtë barrë.

Është koha që NATO-ja të dërgojë mbështetje proporcionale për Turqinë. Duke përforcuar aleatin e sulmuar me një numër të vogël aeroplanësh radarë apo me forca të reagimit të shpejtë, NATO-ja do të forconte Ankaranë ushtarakisht dhe politikisht.

Gazeta shkruan se ajo do të dërgonte mesazh të fuqishëm edhe për regjimin e Assadit në Siri dhe aleatët e tij, që të parandalojnë sulmet e mëtejshme kundër Turqisë. Duke vepruar tani, NATO-ja mund të zvogëlojë mundësinë që Turqia të ndërhyjë në mënyrë të njëanshme në Siri.

Çdo anëtar i NATO-s meriton mbështetje të tillë minimale nga aleatët, kur ushtria dhe njerëzit e tij sulmohen. Është koha që NATO-ja t’i ofrojë Turqisë më shumë se fjalë mbështetëse, shkruan Christian Science Monitor.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit