2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Çrregullimet e gjumit dhe kërcënimi për shëndetin

Më të lexuarat

A ju ka ndodhur që të jeni aq të lodhur, sa t’ju zërë gjumi në punë? Për disa nga ju që keni pasur raste të tilla, këto mund të jenë simptomat e një çrregullimi që shkakton probleme me gjumin. Një studim i ri është zhvilluar për këtë problem, i përqendruar veçanërisht tek policët në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada:

Shumë njerëz e kanë të vështirë të bëjnë gjumë të mirë. Çdo gjë u bëhet pengesë për gjumin, që nga orët e çrregullta të punës, apo çrregullimet në frymarrje. Dr. David Gross punon në Spitalin Kombëtar të Rehabilitimit në Uashington:

“Një ndër çrregullimet është bllokimi i rrugëve të frymarrjes gjatë natës. Personi mund të ketë frymarrje të rregullt në orët e ditës, por kur bie në gjumë, muskujt e sistemit të frymarrjes lëshohen, duke bllokuar rrugët e frymarrjes. Kjo mund të ndodhë 60 deri në 100 herë në orë”.

Studimet tregojnë se ky çrregullim është faktor rreziku për goditje në tru apo zemër. Dr. Michael Twery thotë se në rastet kur nuk marrim oksigjen të mjaftueshëm gjatë frymarrjes, zemra punon më fort. Ashtu si motorri i makinës që ecën me shpejtësi të madhe, me kalimin e kohës edhe zemra amortizohet më shpejt.

“Zemra lodhet më shumë dhe bëhet edhe më e dobët para rrezikut të infarktit”.

Një studim i ri analizoi problemet e një grupi policësh nga Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja. Shantha Rajaratnam në Universitetin Monash në Australi dhe Dr. Charles Czeisler në Spitalin e Gruas në Boston janë dy nga autorët e studimit. Policët kanë punë me turne, me orare të çrregullta, kalojnë orë të tëra pa lëvizur në makinat e patrullimit, shpesh hanë ushqim jo të shëndetshëm dhe vuajnë në shumë raste nga çrregullime gjumi:

“40 për qind e policëve në Amerikën e Veriut kishin një lloj çrregullimi në gjumë. Më i zakonshmi ishte bllokimi i rrugëve të frymarrjes. Policët që kishin simptomat e së paku një çrregullimi gjumi ishin më të rrezikuar nga kërcënimi i depresionit, ankthi, diabeti, sëmundjet kardiovaskulare dhe një numër problemesh të tjera shëndeti”.

Në studim u përfshinë 5 mijë policë.

Policët e shtetit Masaçusets të përfshirë në këtë studim kishin ritme më të ulëta të çrregullimeve në frymarrje gjatë gjumit dhe ritme më të ulëta mbipeshe – një tjetër faktor rreziku për probleme gjumi. Përse ky ndryshim?

Fakti është që në Masaçusets, policët inkurajohen të shfrytëzojnë palestrën dhe kohën që u është vënë në dispozicion gjatë orarit të punës, për të bërë ushtrime fizike. Sipas autorëve të studimit, personat me orare të çrregullta pune duhet të vizitohen për çrregullime gjumi dhe të kërkojnë mjekim, si dhe të përpiqen të përmirësojnë sa më shumë shëndetin e përgjithshëm.(VOA)/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit