Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Ministri Panariti mori pjesë në darkën e shtruar nga Sekretarja e Shtetit, znj. Hillary Clinton, për nder të delegacioneve të vendeve anëtare të NATO-s. Gjatë këtij aktiviteti, Ministri Panariti zhvilloi një bisedë me zonjën Clinton, ku u rikonfirmua edhe një herë niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ministri Panariti vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që SHBA i ka dhënë Shqipërisë dhe çështjes shqiptare. Me këtë rast, ai shprehu dëshirën që znj. Clinton të vizitojë Shqipërinë në vigjilje të kremtimeve për 100-Vjetorin e Pavarësisë.
Nga ana e saj, znj. Clinton vlerësoi zhvillimet pozitive në Shqipëri në kuadrin e procesit të marrjes së statusit kandidat në BE dhe shprehu mbështetjen e administratës amerikane në këtë drejtim. Gjithashtu, ajo përshëndeti kontributin e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s në shërbim të ruajtjes së paqes dhe sigurisë.
Clinton, gjithashtu, u shpreh se ky ështe një vit i shënuar për popullin shqiptar, duke premtuar një vizitë në Shqipëri.
Gjithashtu, kryediplomati shqiptar zhvilloi një takim edhe me Sekretarin britanik të Shtetit, William Hague i cili siguroi për mbështetjen e Britanisë lidhur me statusin e vendit kandidat në BE.
Gjatë këtij takimi, Ministri Panariti e informoi Hague për ecurinë pozitive të përmbushjes së kritereve të vendosura nga Komisioni Evropian për marrjen nga Shqipëria të marrjes së statusit kandidat në BE brenda vitit.
Nga ana e tij, Hague vlerësoi zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe siguroi për mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar lidhur me marrjen e statusit të vendit kandidat. Bashkëbiseduesit diskutuan mbi zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, si dhe ndanë mendime mbi zhvillimet e fundit në rajonit.