Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka pranuar një telegram urimi për festën e Bajramit nga sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.
“Meqë jemi në përfundim të Ramazanit, muajit të shenjtë të agjërimit dhe lutjeve për myslimanët në gjithë botën, kam kënaqësinë të uroj të gjithë myslimanët për një Bajram me gëzime dhe paqe”, thuhet në urimin e sekretares Clinton.
Për të nderuar këtë kohë të veçantë, Clinton thotë se myslimanët në SHBA dhe në gjithë botën do të bashkohen për festën e Bajramit sipas traditave të tyre të pasura dhe diverse, duke festuar vlerat e përbashkëta të familjes, solidaritetit dhe komunitetit.
“Në kohë me ndryshime dhe pasiguri, festimi i këtyre vlerave të përbashkëta na bashkon dhe thekson rëndësinë e bashkëpunimit të shtuar dhe mirëkuptim ndërkulturor”, thuhet në urimin drejtuar ministrit Hoxhaj.
“Në emër të të gjithë neve në Departamentin e Shtetit Amerikan, ju uroj festën e Bajramit”, thuhet në letrën e Hillary Clinton. /koha/kohaislame