0.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Clinton: Irani – shpëtimtar i regjimit të Sirisë

Më të lexuarat

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, tha se shpëtimtari më i rëndësishëm i regjimit të Sirisë është Irani.

Duke folur në takimin Miqtë e Sirisë, në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, zonja Clinton, tha:

“Le të jemi shumë të sinqertë këtu – për regjimin e Sirisë shpëtimtari më i rëndësishëm është Irani. Javën e kaluar, një zyrtar i lartë i Iranit, publikisht ka pranuar se pjesëtarët e Gardës Revolucionare të Iranit po operojnë brenda Sirisë. Më nuk ka kurrfarë dyshimi se Teherani do të bëjë çdo gjë të mundshme për ta mbrojtur autoritetin dhe mikun në Damask”, tha Hillary Clinton, mbrëmë vonë.

Gjatë takimit, zonja Clinton, po ashtu, ka premtuar 15 milionë dollarë për pajisje të reja jovdekjeprurëse, kryesisht ato për komunikime, dhe 30 milionë dollarë për ndihmë humanitare, për opozitën në Siri.

Në tërësi, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar 130 milionë dollarë për furnizime humanitare dhe afro 40 milionë dollarë për kompjuterë të lidhur me satelitë, telefona dhe kamera, për ta mbështetur opozitën.

Britania dhe Franca, po ashtu, kanë ofruar miliona dollarë për furnizime humanitare dhe pajisje.

Sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe, Nabil Elaraby, duke folur në takimin Miqtë e Sirisë, ka bërë thirrje për një “periudhë tranzitore” në Siri, gjatë së cilës regjimi aktual i presidentit Bashar al-Asad, do të ndërrohej me një regjim tjetër.

“Ajo që është e rëndësishme në Gjenevë dhe për të cilën u arritë pajtueshmëria e pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, është ajo se ne duhet ta fillojmë një periudhë tranzitore. Kjo periudhë nënkupton ndryshimin nga regjimi aktual në një regjim tjetër, në mënyrë që vullneti dhe dëshira e popullit të Sirisë, të plotësohej”, tha Elaraby.

Grupi Miqtë e Sirisë është një koalicion i përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Liga Arabe. (f. b.)/rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit