1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Çka (nuk) duhet të flasin ligjëruesit fetarë

Më të lexuarat

Ky shkrim nuk është kritikë ndaj asnjë ligjëruesi, përkundrazi, me te synohet një kontribut modest rreth artit të ligjërimit fetar.

Jemi dëshmitarë të disa emisioneve televizive përgjatë muajit të Ramazanit. Këtë vit edhe RTK-ja për çdo lëvdatë krijoi hapësirë për një emision me përmbajtje fetare. Ajo që më shtyri të marr “lapsin në dorë” këtu nuk është as thurja e lëvdatave e as kritika ndaj kujtdo çoftë. Në rreshtat më poshtë nuk do të prekim as përzgjedhjen e temave por do të flasim për formën dhe filozofinë e shtjellimit të tyre. Shkurt, ligjëratat nuk janë të nivelit ndërsa mënyra se si elaborohen ato më tepër i ngjasojnë “vazit pas teravive” me çaj rusi përpara se sa po lënë përshtypjen e ligjëratave profesorësh në televizion. Ligjërimi i njëjtë si në xhami si në televizion dhe për dekada i të njëjtat fjalë dhe e njëjta qasje është për tu kritikuar. Shikuesit me të drejtë po japin vërejtjet e tyre për mungesë kreativiteti, nuk ka ambiciozitet dhe as që po reflektojnë ndonjë energji pozitive. Vokabulari i ligjërimit fetar duhet ndryshuar në themel, por, për ta bërë këtë, ligjëruesit fetarë duhet të lexojnë vazhdimisht dhe të jenë në rrjedha të kohës.

Si do të “dukej” një ligjëratë fetare?

Ekziston një rregull që thotë se sikur energjia e ngjyrave që e bënë pikturën më të dukshme edhe energjia e fjalës e bënë ligjëratën më të pranueshme. Nëse nuk posedohet njohuri e mjaftueshme, nëse tema nuk përshkon shpirtin e ligjëruesit, nëse nuk ka vokabular të pasur e as fonetikë të arsyeshme, tema do të mbetet në distancë nga publiku. Leximi i mangët në cilësi dhe sasi është problem tjetër në vete. Për të arrit mesazhi në zemrën e dëgjuesit, fjala e ligjëruesit duhet të burojë nga zemra e tij, përndryshe ajo që thuhet vetëm me gojë, nuk shkon më larg se sa tek veshi i dëgjuesit. Ligjërimi fetarë dallon shumë nga ai politik. Përderisa ky i dyti më tepër synon bindjen e masës se ai që flet është i mirë andaj edhe duhet të zgjidhet, në ligjërimin fetar, substanca duhet të jetë ajo që promovohet, jo folesi. Kur flitet për fenë dhe në emër të fesë duhet pasur shumë kujdes. Misioni i ligjërimit fetar është ti mësojmë njerëzit si të bëhen më të devotshëm, më të mirë për shoqërinë dhe më të sinqertë tek Zoti. Nijeti gjithashtu duhet të jetë pastër sepse, sipas fesë islame, veprat shpërblehen vetëm sipas nijetit, në të kundrën fjala e thënë mund të konsiderohet demagogji, shëmti të cilën e dënon Zoti.

Ligjëruesi i mirë hynë në temë menjëherë, nuk bënë parathënie ceremoniale të stërgjatura, nuk flet fjalë të “mëdha” e as shprehje të komplikuara. Njerëzit nuk duhen ti frikojmë me Zotin, por duhet ti udhëzojmë si ta duan Atë. Ligjërimet suksesshme dhe të nivelit të lartë janë ato kur temat trajtohen me modesti, me shprehje të thjeshta, me tone të matura dhe të përshtatura me natyrën dhe kapacitetet pranuese të dëgjuesve. Në ambiente ku dëgjuesit mund të gjinden njerëz më të emancipuar dhe më të arsimuar, temat duhet të jenë të nivelit më të lartë, por edhe elaborimi i tyre duhet të jetë i po atij niveli. Nëse duhet ngritë zëri, këtë duhet lejuar vetëm në momente të caktuara, por jo gjithherë. Gjestikulacioni gjithashtu ka rëndësi të madhe. Gjuha e trupit është një nivel tjetër i rëndësishëm për tu pranuar tema. Ligjëruesi i mërrolur vazhdimisht, që nuk buzëqeshë dhe nuk jep shenja përafrimi me dëgjuesit si dhe që luan me duar nevojë e pa nevojë e ka vështirë të promovojë mësimet e fesë.

Ligjërimi si art apo profesion?

Kohëve të fundit, personaliteti dhe ndikimi i ligjëruesve është duke u topitur për shkak të pasivitetit në lexim. Mendoj se dalja nga ky pasivitet arrihet duke lexuar e vepruar konform asaj që lexohet, me çdo kusht. Përndryshe, nuk bënë të çuditemi nëse pjesa intelektuale e shoqërisë po irritohet dhe po nuk po pranon lehtë mësimet e fesë. Ligjërata e mirë është pjesë e artit. Të jesh artist, fillimisht nevojitet ta duash artin dhe të punosh për të qenë i tillë. Arti është faqja e bukur e natyrës që pa te do të ishte e shëmtuar. Ligjërata është arti i komunikimit me publikun. Artisti i mirë nuk zgjedh prejardhjen e ngjyrave por kualitetin e tyre. Atij nuk i intereson nëse një ngjyrë vjen nga Lindja e tjera nga Perëndimi. Muhamendi a.s. kishte porositur që, nëse është nevoja, dijen duhet marrë edhe në Kinë. Ligjëruesi i mirë më parë shikon në “çka është” e pastaj, nëse duhet shoshitur, shikon në “prej nga është”.

Ligjërimi fetar dhe historia kombëtare

Historia kombëtare duhet të jetë pjesë përbërëse e ligjërimit fetar. Kombi shqiptar ka dhënë dijetar të mëdhenj, jo vetëm botës perëndimore, por edhe Lindjes islame. Është e papranueshme nëse nëpër xhamitë tona nuk shpjegohet sa duhet historia e kombit. Në mungesë të njohurive eventuale të imamit mund të thirren historian profesional dhe të shpjegojnë madhështinë e së kaluarës sonë. Në nëntor të vitit të kaluar, ne patëm lëshuar një qarkore që përgjatë muajit nëntor, në të gjitha xhamitë që i mbulon KBI në Gjilan të shpjegohej historia e pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritja e flamurit kombëtar. Enkas për këtë muaj ne patëm përgatitur afër 20 faqe material, mbase për promovimin e kësaj dite të madhe, haxhinjëve të vitit 2012 u patëm shpërndarë certifikata të haxhit enkas për vitin jubilar të 100 vjetorit të pavarësisë.

Kuptoj, feja islame sikur çdo fe tjetër, hiq atë çifute, është fe universale. Ajo është më gjithëpërfshirëse se sa një përkufizim gjeografik i një shteti apo kombi. Mirëpo universaliteti i fesë këtu nuk duhet të nënkuptoj lënien pas dore të nuancave kombëtare. Do të kisha propozuar që krahas lutjes për gjithë besimtarët e botës, në fund të ligjëratave sidomos nëpër xhami të lutet Allahu për mirëqenien e popullit tonë, për shtetin dhe udhëzimin e udhëheqësve. Jam mase i bindur se Bashkësia Islame të Kosovës e ka parasysh këtë moment kaq të rëndësishëm.

Në plan-programet e medreseve, krahas lëndës së “imamatit” duhet të figurojë edhe lënda e retorikës e cila ndihmon në përgatitjen e kuadrove në fushën e ligjërimit. “Imamati” që sot është lëndë mësimore e medresesë konsiderohet lënda e fundit për nga rëndësia, andaj ajo duhet ndryshuar dhe plotësuar me tema e nevojshme për kohën. Edhe në Fakultetin e Studimeve Islame duhet të mësohet lënda e retorikës. Retorika si pjesë e logjikës, e që as kjo nuk figuron, duhet të ishte pjesë përbërëse e sistemit arsimor të FSI-së. Këto dy disiplina kanë për të ndihmuar shumë ligjëruesit e ardhshëm.

Konkluzion:

Nëse ligjërimi fetar in-formon kulturën fetare tek dëgjuesi, atëherë përmbajtja e kësaj kulture duhet të jetë e ngjeshur detyrimisht edhe me historinë e kombit. Ligjërimet fetare sot më shumë se asnjëherë më parë duhet të fokusohen mbi gjendjen e rëndë të njerëzve të këtij nënqielli. Ato duhet të jenë të kapshme edhe për rininë, të jenë frymëzuese dhe thesar me mësime nga përvojat e popujve në tranzicion, që patën ditë të vështira por që ditën ti tejkalojnë. Feja është e zbritur për njerëzit, ajo duhet të vihet në shërbim të tyre por pa i dhënë vetes të drejtë të përzihet në punën e shtetit e as aty ku nuk është përgjegjësi e saj.

Dr.Mustafa BAJRAMI

*Qëndrimet e paraqitura reflektojnë pikëpamjet personale të autorit dhe jo domosdoshmërisht edhe të redaksisë kohaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit