4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Çka janë dhe kur janë ditët e Dhul-hixhes?

Më të lexuarat

 

Pyetje:

Çka janë dhe në cilin muaj janë ditët e Dhul-hixhes?

Faleminderit.

***

Përgjigje:

Me emrin e Allahut, falënderojmë Allahun, paqja dhe mëshira e Tij qofshin për Profetin tonë ﷺ.

Këto ditë janë 10 ditët e para të muajit dhul-hixhe i cili është muaji i fundit i kalendarit hënor (kalendari i muslimanëve). Kalendari hënor përbëhet nga 12 muaj dhe muajt përbëhen prej 29 ose 30 ditë, viti i parë i këtij kalendari është viti i emigrimit të Profetit ﷺ nga Meka për në Medine që korrespondon me vitin 622 dhe tani me kalendarin hënor jemi në vitin 1430.

Vlera e tyre!

Allahu i Madhëruar është betuar në këto ditë duke thënë: “Pasha (betohem për) Dhjetë Netët…” (El Fexhr, 2)

Profeti ﷺ thotë: “Veprat në asnjë ditë nuk janë më të mira sesa në dhjetë ditët e Dhul Hixhes.” E pyetën: “As lufta e shenjtë?” U përgjigj: “As ajo, përveç dikujt, i cili del me vetveten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asgjë.” Transmeton Buhariu.

Profeti ﷺ thotë: “Ditët më të mira të dynjasë janë ditët e Dhul Hixhes.” Transmeton Bezari, Ebu Jala dhe e ka saktësuar Albani.

Në këto ditë është dita e Arafatit, data 9 Dhul Hixhe (dita para kurbanit) për agjërimin e saj Profeti ﷺ ka thënë: “Shpresoj prej Allahut që të falë gjynahet e vitit të kaluar dhe të vitit pas tij.” Transmeton Muslimi.

Në këto ditë është dita e Kurban Bajramit për të cilin Profeti ﷺ ka thënë: “Dita më e madhe është dita e Kurban Bajramit”. Transmeton Ahmedi.

Disa nga veprat më të pëlqyera gjatë këtyre ditëve

Nuk duhet të harrojmë se vepra më e mirë është largimi nga çdo e keqe (ndaluar) e çdo vepër e mirë në këto ditë e ka shpërblim më të madh.

1. Kryerja e haxhit dhe umres. Kjo, madje, është vepra më e mirë që mund ta bëjë njeriu në këto ditë. Për vlerën e kësaj flasin disa hadithe, prej tyre veçojmë fjalën e Profetit ﷺ: “Umreja deri në umre i shlyen mëkatet ndërmjet tyre, ndërsa për haxhin e kryer mirë nuk ka shpërblim përveç xhenetit.” Transmeton Buhariu.

2. Shtimi i namazeve vullnetare. “Mundohu të bësh sa më shumë sexhde, Allahu i Madhëruar të ngre një gradë dhe ta fshin një gabim.” Transmeton Muslimi.

3. Agjërimi. Hafsa, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, tregon se Profeti ﷺ katër gjëra nuk i linte kurrë: ”Agjërimin e Ashuras, agjërimin në dhjetë ditët e para të Dhul Hixhes, agjërimin e tri ditëve të çdo muaji dhe faljen e dy rekatëve përpara sabahut.” Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi, Nesaiu.

4. Leximi i Kuranit. Profeti ﷺ thotë: “Më i miri prej jush është ai i cili e mëson Kuranin dhe ua mëson të tjerëve.” Transmeton Muslimi.

5. Përmendja e Allahut. Allahu i Madhëruar thotë: “… e të përmendin Allahun në ditët e përcaktuara.” (Haxh, 28.) Përmendja e Allahut është e pëlqyer me të gjitha llojet e saj, por në mënyrë të veçantë përmendim: tekbirin. Prej formave të tij janë:

a. Allahu ekber, Allahu ekber, Allahu ekber kebira.

b. Allahu ekber, Allahu ekber, La ilahe il Allah, uallahu ekber, Allahu ekber, ue lilahi hamd.

Këto lloj tekbirash bëhen në çdo kohë trembëdhjetë ditët e para, kurse nga namazi i mëngjesit ditën e Arafatit deri namazin e ikindisë ditën e katërt të bajramit (13) bëhen pas namazeve farz.

6. Garimi në të mira. Allahu i Madhëruar thotë: ”Në të tilla gjëra të garojnë garuesit.” El-Mutafifin, 26.

7. Pendimi. Allahu i Madhëruar thotë: ”O ju që keni besuar, pendohuni tek Allahu me një pendim të sinqertë…”. Et Tahrim, 8.

8. Respektimi i prindërve. Allahu i Madhëruar thotë: “Që të mos adhuroni tjetërkënd përveç Tij, e të sillemi mirë me prindërit.” El Isra, 23.

9. Vizita e të afërmve. Allahu i Madhëruar thotë: “…Kini frikë Allahun, me emrin e të Cilit përbetoheni dhe ruajeni farefisin.” En Nisa, 1.

10. Namazi i natës. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe në një pjesë të natës zgjohu me të, është e sigurt se Zoti yt do të të ngrejë ty në një vend të lavdishëm.” El Isra, 79.

11. Sadekaja. Profeti ﷺ thotë: “Çdo ditë në mëngjes zbresin dy engjëj, njëri thotë: ‘O Allah, zëvendësoja pasurinë atij që e jep.’ Kurse tjetri thotë: ‘O Allah, shkatërroja pasurinë atij që nuk e jep’.” Transmeton Buhari dhe Muslimi.

Vërejtje:

Punët më specifike të këtyre ditëve janë: agjërimi dhe tekbiret.

Ai person i cili do të bëj kurban i ndalohet atij që të presë thonjtë, qimet e trupit dhe flokët në këto ditë, e pas therjes së kurbanit i lejohet.

Durim Aliaj

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit