-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Çka është më joshëse për fëmijët?

Më të lexuarat

Interesimi nga fëmijët për të lexuar libra duket të mos jetë i vogël. Edhe pse interneti kohët e fundit është mjaft aktual dhe atraktiv për fëmijët, shumë nga ta zgjedhin leximin e librit.

Kështu thonë disa fëmijë të intervistuar në panairin e librit për fëmijë, në ditën ndërkombëtare për shkrim – lexim.

Vesa Ibrahimi është në klasën e tretë dhe është 8-vjeçare. Ajo thotë se i pëlqejnë shumë librat.

“Më pëlqen të lexoj libra. Libri që më pëlqen më së shumti është një botë me përralla. Unë i kam lexuar 6 libra deri tash dhe jam në klasën e tretë”.

Edhe Lis Xhemajli, 8-vjeçar, lexon libra, dhe më të preferuarat i ka ato me vjersha.
Atij i pëlqen të rrijë në internet, por i pëlqen edhe leximi i librave.

“Unë lexoj më së shumti libra me vjersha. Mua më pëlqejnë më shumë librat shkollore. Më shumë se interneti më pëlqen leximi i librave”.

E Lorik Rozhajës, 7-vjeçar, i pëlqejnë librat me gjëegjëza.

“Mua më pëlqejnë gjëegjëzat. ‘Një mijë e një gjëegjëza’ dhe ‘Gjithçka që duhet të dini’ janë librat që më pëlqejnë më së shumti”.

Por. në përgjithësi. mësimdhënësit nuk janë të kënaqur me leximin e librave nga ana e fëmijëve, duke shtuar se interneti duket të jetë më atraktiv për ta.

Valbona Xhemajli, mësimdhënëse, thotë se interesimi për të lexuar libra shkollorë nga fëmijët, është i vogël.
Kohëve të fundit, teknologjia informative e ka bërë të veten, dhe shihet që nxënësit lexojnë në mënyrë sipërfaqësore sa për t’i kryer obligimet e shkollës…

“Kohëve të fundit, teknologjia informative e ka bërë të veten, dhe shihet që nxënësit lexojnë në mënyrë sipërfaqësore sa për t’i kryer obligimet e shkollës. Mendoj se nëse krahasohet me të kaluarën, si mësimdhënëse, nuk me pëlqen, sepse fëmijët nuk janë të motivuar për të lexuar. Fëmijët kanë interesim më shumë të lexojnë enciklopedi të ndryshme aty ku edhe po zgjohet kërshëria e fëmijëve apo librat me ilustrime”, shprehet Xhemajli.

Ndërkaq, Safete Bahtiu nga shtëpia botuese “Fidani”, pohon se te fëmijët ka interesim për blerje të librave, por më së shumti kërkohen enciklopedi të ndryshme për ta.

“Ka interesim për blerjen e librave. Ka edhe vetë fëmijë që vijnë dhe kërkojnë libra. Ka interesim për lektyra shkollore, por më shumë iu interesojnë librat si enciklopeditë e ndryshme”, thotë Bahtiu.

Derisa zëvendësministri i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Nehat Mustafa, deklaron se ministria në fjalë, vazhdimisht ka mbështetur Karvanin e Shkrimtarëve për Fëmijë, e që organizohet në të gjitha qendrat dhe komunat e Kosovës, dhe bashkërisht me Shoqatën e Shkrimtarëve po tentojnë të rrisin aktivitetet garuese të fëmijëve në lexim.

“Po tentojmë që të rrisim aktivitetet që do ta rrisin frymën garuese në mes të fëmijëve. Po mundohemi që të bëjmë hapësira të veçanta ku vetë fëmijët do të kenë mundësi të lexojnë. Sot kemi shkolla ku botojnë revista të tyre dhe fëmijët i paraqesin krijimet e tyre dhe kjo është dëshmia më e mirë që fëmijët t’i bindim se duhet të lexohet libri”, bën të ditur Mustafa.

Ai shton se libri duhet lexohet, pavarësisht asaj se interneti është aktual.

“Nga interneti mund të merren informata të shumta por jo të plota, derisa informacioni i vetëm i plotë, mund të merret nga libri, i cili është i shkruar nga vetë shkrimtarët”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit