-1.6 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Çka është kanceri kollorektal?

Më të lexuarat

Kanceri kollorektal është sëmundje e rëndë malinje e zorrës së trashë dhe rektumit. Procesi fillon në momentin kur qelizat në kollon dhe rektum shndërrohen në qeliza jo normale dhe shtohen pa kontroll, si pasojë e kësaj kemi formimin e masës ose tumorit. Qelizat e kancerit gjithashtu përfshijnë edhe indet përreth duke dëmtuar ato normale.
Kanceri kollorektal është kanceri i tretë më i përhapur në popullatë, pas kancerit të mushkërive dhe prostatës tek meshkujt dhe kancerit të gjirit dhe mushkërive tek femrat.
Kanceri kollorektal (CRC) zakonisht zhvillohet në murin e zorrës gjatë një periudhe disa vjeçare para së të përhapet në organet tjera përreth. Afërsisht 2/3 e kancerit hasen në zorrën e trashë (kollon) dhe 1/3 në rektum.
 
Simptomat e kancerit kollorektal ndryshojnë varësisht nga lokalizimi i tumorit, përhapja dhe komplikimet. Ato mund të jenë:
* lodhja dhe dobësia trupore
* çrregullimi i jashtëqitjes (alterim i konstipacionit dhe barkqitjes)
* fecesi i përzier ose i mbuluar me gjak të freskët
* gjakderdhje nga rektumi
* diskonfort ose dhimbje në fund të barkut
 
Cilat janë faktorët e riskut për paraqitjen e kancerit kollorektal?
Shkaktarët e saktë të paraqitjes së kancerit CRC ende janë të panjohur, por ka disa faktorë që mund të rrisin mundësitë e shfaqjes së sëmundjes, e ato mund të jenë:
 
-Mosha: sa më i vjetër të jetë i sëmuri, aq më i lartë është rreziku i paraqitjes së kancerit të zorrës, mosha mbi 50 vjeç është mosha më e rrezikuar nga paraqitja e sëmundjes.
-Dieta: Disa studime tregojnë se paraqitja e kancerit te zorrës ka lidhshmëri me përdorimin e shtuar të mishit dhe produkteve të saj, dhe përdorim të zvogëluar të drithërave, pemëve dhe perimeve.
-Historia familjare (trashëgimi): Familjarët e afërt (prindërit, binjakët,fëmijët) të personit me kancer kollorektal kanë rrezik më të lartë për paraqitjen e sëmundjes, posaçërisht nëse njëri nga anëtarët e familjes është diagnostikuar në moshë të re. Nëse disa pjesëtarë të familjes kanë pasur kancer kollorektal, mundësia e paraqitjes rritet edhe më shumë.
-Obeziteti: Obeziteti dhe mungesa e aktiviteteve fizike rrit rrezikun e shfaqjes se CRC.
-Alkooli: Rrit rrezikun e shfaqjes së sëmundjes.
-Duhani: gjithashtu edhe duhani është faktor që mund të rris rrezikun.
-Lezionet e kollonit: Polipet e ndryshme, posaçërisht polipet adenomatoze, me madhësi mbi 1cm . Sëmundja trashëguese me baze gjenetike si polipoza adenomatoze familjare(FAP),ku vërejmë mbi 100 polipe madhësive të ndryshme në kollon, këta të sëmurë janë me rrezik të lartë të zhvillimit të kancerit. Zakonisht rekomandohet largimi i plotë të zorrës së trashë, në mënyrë që të parandalohet paraqitja e kancerit.
-Sëmundjet inflamatore të zorrës: Pacientët e sëmurë një kohë të gjatë mbi 10 vjet kanë rrezik më të lartë të zhvillimit të kancerit.
 
Si të zvogëlohet rreziku i paraqitjes së CRC?
* Të konsumohet sasi më e madhe e pemëve dhe perimeve (sidomos ato që përmbajnë folate, si brokoli, lakra), të zvogëlohet përdorimi i mishit dhe sallameve.
* Të shmanget pirja e alkoolit dhe birrës.
* Të zvogëlohet marrja e yndyrave dhe produkteve të saj.
* Të rritet konsumimi i marrjes së kalciumit, peshkut, salmon, vitamina të kalciumit me vitaminë D.
* Aktivitete fizike, ushtrime fizikale, ecje dhe vrapim 2-3 herë në javë.
* Të zvogëlohet mbipesha duke ngrënë ushqim të shëndetshëm dhe shtim i aktiviteteve fizike.
* Të ndalohet pirja e duhanit.
 
Çka është screening-u, dhe pse është me rëndësi?
Screening-u është kontrollimi i shëndetit për ndonjë sëmundje para se ajo të shkakton simptome. Screening-u kollorektal mund të zbulojë kancerin në fazat e hershme të saj, lesionet e ndryshme në zorrë në formë polipi ose lesioni të rrafshët, lesionet prekanceroze, inflamacionet kronike të zorrës, etj. Diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi adekuat parandalon paraqitjen e sëmundjes, parandalon përhapjen në organet tjera dhe shpejton shërimin më të shpejtë. Çdo vonesë në zbulimin e këtyre ndryshimeve të hershme rrit rrezikun e paraqitjes së kancerit.
 
Cilat janë metodat e screening-ut të popullatës për sëmundjen e kancerit të zorrës?
Çdo personel shëndetësor mund të këshillojë pacientin për të bërë njërin nga këto teste si vijon:
 
1. Gjaku okult në fece (FOBT) – me këtë test analizohet gjaku i fshehur në feces. Prania e gjakut në feces tregon se në zorrën e trashe ka sasi gjaku, që mund të vie nga ndonjë ndryshim në zorrë. Dyshimet mund te jenë nga më beninjet si hemorroidet e brendshme, deri tek polipet prekanceroze hemoragjike, lesione prekanceroze hemoragjike dhe kanceri i zorrës. Pasi të jetë verifikuar gjaku duhet të vazhdohet me ekzaminimet endoskopike si sigmoidoskopia ose kollonoskopia. Studimet kanë treguar se FOBT i bërë çdo 1-2 vjet në personat mbi moshën 50 vjeç ka zvogëluar numrin e vdekjeve nga kanceri i zorrës nga 15 në 33%.
 
2. Ekzaminimi digitorektal – Ky ekzaminim bëhet gjatë ekzaminimit rutinë të çdo pacienti. Me anë te ekzaminimit digjital (me gisht) ekzaminohet anusi, hyrja e kanalit anal dhe fillimi i rektumit.
 
3. Sigmoidoskopia – me këtë test ekzaminohet pjesa e brendshme e rektumit dhe sigmës, përmes një tubi fleksibil me kamerë në majë të aparatit. Gjatë sigmoidsokopisë mund të shihen lesionet kanceroze dhe prekanceroze, polipet e ndryshme, marrja e biopsisë(materialit) nga këto pjesë. Studimet kanë treguar se kontrollimi i rregullt mbi moshën 50 vjeçare zvogëlon në masë të madhe numrin e vdekjeve nga kanceri kollorektal.
 
4. Kollonoskopia – me këtë test ekzaminohet i tërë kolloni, deri në cekum dhe fillim të zorrës së hollë. Më këtë ekzaminim zbulohen në fazat e e hershme polipet e ndryshme, lesionet prekanceroze dhe kanceroze, largimi i tyre dhe marrja e materialit për analizë.
 
5. Pasazha e zorrës së trashë me barium – Polipet e vogla nuk mund të vërehen, me këtë metodë mund të zbulohen vetëm 30-50% e lesioneve kanceroze në krahasim me metodat endoskopike.
 
Shumë shtete në Evrope dhe SHBA, në programet e tyre shëndetësore kanë programin e posaçëm të screeningut, ku bëhet ekzaminimi i popullatës nga personeli shëndetësor i nivelit primar e deri tek ai terciar, në varësi nga modalitetet e programit diagnostik. Screeningu është metodë e sigurt dhe mjaft efektive. /Telegrafi
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit