0.1 C
Pristina
Monday, December 30, 2024

Cili llogaritet ezan në ditën e xhuma, ezani i parë apo i dyti?

Më të lexuarat

Pyetja:

Cili llogaritet ezan në ditën e xhuma, ezani i parë apo i dyti? Dhe a ka namaz në mes ezanit dhe ikametit në ditën e xhuma?
Përgjigjja:

Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim!
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimi qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin salallahu alejhi ue selem, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Në ditën e xhuma thirren dy ezanë. Këtë e ka bërë Uthman ibn Afani, Allahu qoftë i kënaqur me të, gjatë kalifatit të tij (pushtetit të tij). Pasi qyteti filloi të zgjerohet dhe popullsia filloi të shtohet, Othmani urdhëroi që të thirret një ezan para se të hynte koha e namazit të xhumasë, që t’ua tërhiqte vëmendjen muslimanëve, të cilët gjendeshin disa në tregje e disa në punët e tyre. Pra, ky ezan ka qenë si paralajmërim se koha e namazit të xhumasë ishte afruar, që të fillonin muslimanët të përgatiteshin për xhuma.
Kurse ezani i dytë, i cili thirret pasi hipën hoxha në minber, është ezani që është thirrur në kohën e Pejgamberit alejhi selam, për të treguar se koha e namazit ka hyrë. E, ky është ezani të cilin muslimanët duhet ta përsërisin dhe të bëjnë dua pas thirrjes së tij e jo ezani i parë, sepse ezani i parë është vetëm si paralajmërim, kurse ezani i dytë është ezani i cili thërret për faljen e namazit.
Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Ndërmjet ezanit dhe ikametit ka namaz”, që janë dy rekate, por në këtë rast (në ditën e xhuma) nuk ka mundësi të falet ky namaz, sepse siç e cekëm ezani i parë nuk është ezani për thirrjen në namaz, mirëpo është thirrje për t’u përgatitur për namazin e xhumasë, kurse pas ezanit të dytë nuk kemi mundësi ta falim atë namaz sepse e kemi të ndaluar të falemi gjatë mbajtjes së hytbes (përveç dy rekateve të tehijjetul mesxhid, dy rekatet e hyrjes në xhami).
Në këtë rast, nëse dikush ngrihet dhe fal dy rekate duke menduar se është duke falur dy rekate sunet që janë mes ezanit dhe ikametit, e ka gabim, sepse në realitet ky është duke falur dy rekate në mes dy ezanëve e jo në mes ezanit dhe ikametit.

Përktheu: Eroll Nesimi
4.4.2008

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit