-0.8 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Cili ishte qëndrimi i profetit Muhamed kundrejt besëtytnive…

Më të lexuarat

Besëtytnitë janë praktika dhe besime të pasakta, që nuk kanë bazë logjike apo ndonjë lidhje me jetën reale.

Edhe pse hasen dhe në fusha të tjera, ato janë më shumë të zakonshme në çështjet e fesë. Pavarësisht nga raca apo feja, besëtytnitë janë të pranishme në shumë shoqëri. Për sa i përket fesë, ato kanë ekzistuar në Islam si dhe në Krishterim dhe Judaizëm.

Transmetimi i disa elementëve të feve të vjetra në Islam, së bashku me padijen, kanë çuar në shfaqjen dhe aplikimin e disa besëtytnive të zakonshme në lidhje me hyjninë, të panjohurën, fatin e mirë dhe fatin e keq, si dhe kërkimin e ndihmës nga i vdekuri.

Besëtytnitë janë një prej karakteristikave të botës bashkëkohore, që janë zhvilluar në mënyrë të pafavorshme.

Në një kohë kur shkencat sociale dhe pozitive kanë përparuar shumë dhe kërkimi shkencor ka depërtuar në të gjitha aspektet e jetës, pritej që interesi për besëtytnitë të ulej.

Megjithatë, pavarësisht nga ndryshimet kulturore dhe gjeografike besëtytnitë vazhdojnë të ekzistojnë. Në këtë kontekst është e qartë, se qëndrimi i profetit Muhamed (a.s) ndaj besëtytnive dhe shembulli i tij i mirë kanë një kuptim shumë të rëndësishëm.

Çdo praktikë ose besim supersticioz, që pretendon se e ndryshon fatin e njeriut, përpiqet të marrë ndihmë nga një qenie ose objekt, që nuk është Allahu dhe e pengon njeriun të konsultohet me burime të besueshme; këto veprime janë refuzuar dhe ndaluar plotësisht dhe në mënyrë të qartë në Kuran dhe hadithe.

Profeti i luftoi besëtytnitë pothuajse në të gjitha veprimet e tij. Për shembull, ai nuk i aprovoi asnjëherë fallxhorët apo parashikimet e tyre.

Gjithashtu ai e ndaloi parashikimin e fatit, që përdoret pothuajse në çdo shtet, si mjet për të parashikuar të ardhmen me atë të mënyrave të mbinatyrshme, ose për të shfaqur karakteristikat e fshehura vetjake.

Veprime të tilla ishin të zakonshme mes arabëve. Gjatë xhahilijetit (periudhës së injorancës para Islamit), arabët e shpjegonin rrjedhën e ngjarjeve të ardhshme nga emrat, tingujt ose drejtimi në të cilin po fluturonin zogjtë. Ata përdornin sende si: guralecë, qiqra ose kokrrat e fasules për të parashikuar të ardhmen; të gjitha këto janë ndaluar nga profeti (a.s).

Profeti ndaloi konsultimin me falltarët, të cilët pretendonin se e parashikonin të ardhmen e fëmijëve, duke parë tiparet e tyre fizike, ose parashikimin e fatit duke parë një gotë të mbushur me ujë, diellin ose një copë kristali.

Profeti Muhamed ka thënë: “Mos shkoni tek fallxhorët”. Një ditë Muavija b.Hakem as-Suleim, një prej shokëve të profetit, i tha atij: “Para Islamit shkonim tek fallxhorët, që të zbulonim nëse diçka ishte shenjë e mirë apo e keqe për ne”.

Profeti i këshilloi shokët, të mos u besonin fjalëve të fallxhorëve dhe të bënin atë që kishin ndërmend, pavarësisht nga ato që mund t’u thoshin fallxhorët.

Kur një grup njerëzish e pyetën profetin (a.s) për fallxhorët, ai u përgjigj: “Fallxhorët nuk janë asgjë”. Ai shpjegoi gjithashtu: “Kushdo që e pranon një fallxhor apo astrolog, duke u këshilluar me të, është sikur ta ketë refuzuar Kuranin”.

Profeti (a.s) e ka sqaruar, se në Islam nuk ekziston koncepti i ogurit të keq dhe se besimi në ogurin e keq mund t’i çojë njerëzit në politeizëm (shirk).

Ai tha, se cicërima e një zogu apo mënyra si ai fluturonte nuk mund të interpretohet si ogur i keq dhe këshilloi, që objektet dhe ngjarjet e pazakonta të interpretohen pozitivisht. Ai ka thënë gjithashtu, se mbajtja e hajmalive apo përdorja e magjisë dëmton besimin në teuhid (Unitetin e Zotit).

Para Islamit banorët e gadishullit arabik adhuronin trupat qiellorë, në veçanti diellin, hënën dhe krijesat shpirtërore si engjëjt, xhindet ose djajtë.

Ata kishin gjithashtu besime supersticioze për ta. Për shembull ata besonin, se shiu binte nga yjet. Profeti tregoi, se këto besime e kishin prejardhjen nga periudha e injorancës para Islamit.

Arabët mendonin, se dielli ishte engjëll. Ata e interpretonin rënien e një ylli si personifikim të lindjes apo vdekjes së një personi të rëndësishëm, apo si afrimin e një katastrofe për atë rajon. Profeti bëri të ditur, se këto besime ishin besëtytni.

Një natë ndërsa profeti ishte ulur me shokët e tij, një yll që po binte, ndriçoi hapësirën përreth. Ai i pyeti shokët e tij, se çfarë do të kishin thënë për këtë në kohën e injorancës.

Ata u përgjigjën: “Do të kishim thënë, se ka lindur apo ka vdekur një person i rëndësishëm”. Pastaj profeti u tha: “Një yll nuk bie për vdekjen apo lindjen e një njeriu”.

Arabët besonin, se ekzistonte një fantazmë e mbinatyrshme e quajtur Gui. Ata kishin shumë besëtytni lidhur me këtë fantazmë, duke përfshirë dhe faktin se jetonte në fshat dhe se u shfaqej njerëzve në forma dhe ngjyra të ndryshme, i largonte nga rruga e tyre dhe pastaj i vriste.

Njerëzit vdisnin pas goditjes së parë me shpatë dhe pastaj pas goditjes së dytë ringjalleshin. Por profeti Muhamed shpjegoi, se një krijesë e tillë nuk ekzistonte dhe se gjithçka lidhur me të ishte besëtytni.

Profeti i këshilloi ata të thonë Bismilahi rrahmanir rrahim (Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!) kur një person mendonte se kishte parë një fantazmë, në mënyrë që gjendja e tij shpirtërore të forcohej.

Profeti e pastroi Qaben dhe Mekën nga besëtytnitë. Kur Islami erdhi në Arabi, magjitë si thirrja e djajve, lidhja e nyjave, përdorimi i shigjetave për të parashikuar fatin dhe parashikimet astrologjike ishin shumë të përhapura, përveç idhujtarisë që e praktikonin.

Profeti e quajti bërjen e magjisë si një nga mëkatet e mëdha; Një herë tha se ajo vjen pas politeizmit, që është mëkati më i madh. Ai tha, se ai njeri që bën magji, do ta humbasë besimin tek Allahu. Për magjistarët u caktuan disa ndëshkime të veçanta.

Bisedat e profetit me grupet që vinin në Medinë, nëntë ose dhjetë vjet pas hixhretit luajtën një rol shumë të rëndësishëm për të luftuar besëtytnitë, përveç rëndësisë së tyre të prezantimit dhe transmetimit të Islamit. Profeti u përpoq t’i shkatërronte besëtytnitë dhe praktikimin e tyre.

Si përfundim, është e ditur se sipas Kuranit dhe haditheve, studimi, dija, arsyeja, të menduarit dhe kërkimi janë shumë të rëndësishme.

Profeti i bazoi gjithmonë veprat e tij mbi vlerat si: besimi, vendosmëria, durimi, këmbëngulja, puna e madhe, mbështetja tek shkaqet dhe konsultimi me të tjerët dhe jo tek ndjekja e besimeve supersticioze.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit