2.2 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Cilësitë e gruas së ndershme

Më të lexuarat

Çdo motre besimtare të martuar dhe të pamartuar e cila e beson All-llahun dhe ditën e Gjykimit dhe e cila shpreson në Mëshirën e All-llahut dhe në xhennetin e Tij. All-llahu azze ve xhel-le thotë: “Në të gjitha këto ka përkujtim për ata që kanë zemër apo ia vënë veshin asaj duke qenë dëshmitarë.” (Kaf 37).

Çdonjërës e cila shpreson jetë të lumtur bashkëshortore dhe lumturi e gëzim në këtë botë dhe në Ahiret. All-llahu azze ve xhel-le thotë: “Kush bën vepër të mirë qoftë mashkull apo femër, e duke qenë besimtar, Ne do ti japim atij një jetë të mirë (në këtë botë) e (në botën tjetër) do t’ju japim shpërblim më të mirë për veprat e tyre” (En Nahël 97).

–përkthyesja-

 

Rëndësia e të drejtave ndaj burrit në fenë Islame

 

All-llahu xhel-le shanuhu thotë: “Burrat janë përgjegjës për gratë, ngase All-llahu ka graduar disa mbi disa të tjerët dhe ngase ata kanë shpenzuar nga pasuria e tyre…” (En Nisa’ 34)

 

Ibnu Kethiri thotë:”Burrat janë përgjegjës për gratë që d.m.th. se ai (burri) është përgjegjësi dhe zotëriu i saj, (ai është) më i lartë prej saj dhe ai është që e korrigjon gruan nëse ajo gabon”.

 

Dijetari i shquar Abdurrahman Es Sa’di ka thënë:”Sipas këtij ajeti të lartëpërmendur bën të qartë shkakun përse burri është më i lartë se gruaja. Arsyeja është se burrin e ka veçuar All-llahu xhel-le shanuhu me shumë dispozita në fe dhe se pozita e tij është më e lartë siç është sundimi apo udhëheqja që është e posaçme për burrat për arsye se të gjithë pejgamberët ishin burra; d.m.th. ka shumë rregulla dhe dispozita në sheriatin (legjislacionin) Islam që i kanë obligim ti kryejnë vetëm burrat si p.sh. xhihadi (lufta në rrugën e All-llahut), xhumaja etj. Poashtu te burri gjenden disa cilësi që All-llahu azze ve xhel-le ua ka dhënë vetëm burrave në dallim prej femrave si: mendjen e shëndoshë e të sigurtë, burri është i qetë (gjakftohtë), nëse e godet ndonjë e keqe i durueshëm, gjithashtu burri është përgjegjës për gratë e tij dhe se ai duhet të kujdeset për ato dhe të shpenzojë për ato sa i përket banimit, ushqimit, veshjes etj, gjë që gruaja nuk është e urdhëruar ta bëjë. Prandaj All-llahu subhanehu ve teala urdhëron e thotë: “…ngase ata kanë shpenzuar nga pasuria e tyre…” (En Nisa’ 34).

 

Sipas ajetit shihet se ata (burrat) janë të urdhëruar të harxhojnë dhe shpenzojnë për gratë e tyre dhe nuk kufizon All-llahu subhanehu ve teala se sa duhet të shpenzojnë për ato (gratë) gjë që na bën të kuptojmë se nuk ka pasuri të caktuar për arsye se ka ardhë në mënyrë të papërcaktuar. Sipas gjithë kësaj na bëhet e qartë se burri është zotëriu i gruas dhe se ajo duhet ti përgjigjet urdhërave të burrit të saj, kurse burri është i urdhëruar ta ruajë, të kujdeset dhe të respektojë vlerën që All-llahu azze ve xhel-le e ka nderuar me të. Gruaja duhet ti bindet All-llahut azze ve xhel-le dhe atë duke e respektuar dhe duke i’u përgjigjur urdhërave të burrit të saj”.

 

El Kasimi thotë:” që në gjuhën arabe don të thotë: <قوامون> e cila është shumësi i fjalës قوام që ka disa kuptime si: ”Përgjegjës” që d.m.th. “Ai është përgjegjës për të mirat e tyre, ai i rregullon e korigjon kur gabojnë”. E sipas kësaj mund të themi se burri është ai që i rruan gratë, i drejton ato, i rregullon sjelljet e tyre duke i urdhëruar në të mirë e duke i ndaluar ato nga e keqja, d.m.th. gjendet në pozitë sikurse zotëriu kur e urdhëron atë që është nën të. E tërë kjo gjindet në dy shkaqe. Shkaku i parë është natyra e burrit që ja ka dhënë All-llahu subhanehu ve teala dhe e ka veçuar e dalluar nga gruaja siç përmendem më lartë. Shkaku i dytë janë obligimet dhe detyrat me të cilat All-llahu azze ve xhel-le e ka obliguar burrin ndaj gruas. Këtë e sqaron ajeti i lartëpërmendur: “Ngase All-llahu ka graduar disa mbi disa të tjerë…” (En Nisaë 34).

 

Ky ajet ka të bëjë me burrin që don të thotë se ai është në pozitë më të lartë se gruaja se All-llahu azze ve xhel-le e ka graduar në këtë shkallë. Gjithashtu All-llahu subhanehu ve teala thotë: “…dhe atyre (grave) u takon e drejta sikur se edhe përgjegjësia në bashkëshortësi, e burrave u takon një përparësi ndaj tyre. All-llahu është i Gjithfuqishëm e i Urtë” (El Bekare 228).

 

Ibni Kethiri thotë:”Ky ajet na sqaron dhe na tregon se burrat janë më të lartë prej grave në shumë sende p.sh. në gradë siç thotë All-llahu xhel-le shanuhu: “Burrat janë një shkallë (gradë) ndaj tyre (më të lartë)…” (El Bekare 228).

 

Po ashtu burrat janë në vetë natyrën që All-llahu subhanehu ve teala i ka krijuar siç thotë All-llahu në ajetin e lartëpërmendur se ato (gratë) nëse shkurorëzohen duhet të presin tri menstruacione dhe se burri nëse don brenda asaj kohe ta rikthej ka të drejtë. Po ashtu kur burri e urdhëron ajo duhet ti bindet urdhërit të tij, ngase ai duhet të kujdeset e të shpenzojë për gruanë. Po ashtu burri është lartësuar në këtë botë dhe në Ahiret.

 

Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Të gjithë ju jeni barinj dhe secili do të jetë përgjegjës për tufën e tij. Kryetari është bari (përgjegjës) për popullin e vet, burri është bari (përgjegjës) në familjen e vet, gruaja është bareshë (përgjegjëse) në shtëpinë e burrit të saj dhe rojtare e fëmijëve. Pra të gjithë ju jeni barinj dhe secili do të jetë përgjegjës për tufën e vet”.

 

Pejagamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Sikur ta urdhëroja dikend ti bëj sexhde dikujt tjetër (përveç All-llahut) do ta urdhëroja gruan që ti bëjë sexhde burrit të saj. Pasha Atë që në dorën e Tij është shpirti i Muhammedit gruaja nuk e ka plotësuar urdhërin e All-llahut dhe tl drejtën e Tij derisa të mos i plotësojë urdhërin dhe të drejtën e burrit të saj, e sikur ai të kërkoj prej saj marrëdhënie intime kur ajo është e ulur në shalën e devesë (samarin), ajo s’duhet ta rrefuzojë atë”.

 

Gjithashtu Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nuk është e lejuar për njeriun që ti bëjë sexhde njeriut tjetër edhe sikur të ishte e drejtë për njeriun ti bëjë sexhde njeriut tjetër do ta urdhëroja gruan që ti bëjë sexhde burrit të saj për shkak të madhështisë e të drejtës së burrit ndaj saj. Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Muhammedit sikur të kishte ai (burri) plagë në trupin e tij dhe të rridhte prej te koka e deri te këmbët (qelb) dhe gruaja e tij të pijë (nga ajo atë plagë) ende nuk do ta kishte plotësuar të drejtën (hakun) e burrit të saj”.

 

Gjithashtu thotë Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem: “Të drejtat e burrit ndaj gruas së tij janë aq të mëdhaja sa që po të kishte (burri) një plagë që i rrjedh gjak e qelb e ajo (gruaja) ta gëlltiste atë, ende nuk do ta kishte plotësuar të drejtën ndaj burrit të saj” .

 

Nga Ebu Hurejra transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nuk lejohet të agjërojë gruaja (nafile-vullnetarisht) kur e ka burrin e saj prezent përveç se me lejen e tij , dhe nëse gruaja jep diçka prej pasurisë së saj për sadaka pa e pyetur burrin e saj atëherë gjysma prej shpërblimit (sevapeve) janë për burrin e saj” .

 

Eroditi dhe Muhadithi i kohës Shejh Albani (All-llahu e mëshiroftë) ka thënë: “Nëse është obligim i domosdoshëm që gruaja të dëgjojë burrin e saj kur ai e thërret në shtrat atëherë edhe më e domosdoshme dhe e rëndësishme për gruan për është që të dëgjojë burrin e saj në punët tjera më të rëndësishme siç janë: Rritja e fëmijëve, edukimi i tyre etj” .

 

Hafidh ibën Haxheri (All-llahu e mëshiroftë) thotë: “Ky hadith na tregon se e drejta (haku) i burrit është obligim i domosdoshëm (vaxhib) dhe se obligimi patjetër duhet të kryhet para gjithçkaje e cila është nafile” .

 

E kanë pyetur dijetarin e shquar Ibnu Tejmijje për një grua e cila agjëron tërë ditën dhe falë namaz natën, e kur burri i saj e thërret në shtrat ajo nuk i përgjigjet thirrjes së tij çfarë vlerësimi ka për këtë grua? Ibni Tejmijje (All-llahu e mëshiroftë) thotë: “Një gjë e tillë nuk është e lejuar në fenë islame, për arsye se ajo duhet të dëgjojë dhe ti përgjigjet thirrjes së burrit të saj se atë e ka obligim të domosdoshëm, kurse namazin e natës dhe agjërimin nafile (vullnetarisht jashtë Ramazanit) nuk e ka obligim të domosdoshëm, atëherë si mundet një besimtare e cila i frigohet All-llahut azze ve xhel-le t’u jap përparësi këtyre para hakut të burrit…dhe dihet se nuk ka asnjë të drejtë pas All-llahut dhe Pejgamberit më të rëndësishëm për gruan se sa e drejta e burrit të saj…”.

 

Muadh ibën Xhebeli transmeton se i Dërguari i All-llahut sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Sikur të dijë gruaja të drejtën e burrit të saj nuk do të ulej kur i’a shtron atij mëngjesin dhe darkën derisa të mbaronte ai” .

 

Gjithashtu nga Ebu Hurejre se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nëse një grua fal pesë kohët e namazit, mban Ramazan, e rruan vetveten dhe e dëgjon burrin e saj, asaj do t’i thuhet:Hyr në xhennet nga cila derë dëshiron” .

 

I Dërguari i All-llahut xhel-le shanuhu ka thënë: “Gratë që do të jenë prej njerëzve të xhennetit janë ato të cilat janë të dashura, të cilat lindin fëmijë dhe ajo e cila është e mirë me burrin e saj, e nëse ai hidhërohet ajo shkon dhe i ven duart e saja mbi duart e tij dhe i thotë: Unë nuk do të flej deri sa ti të jesh i kënaqur me mua” .

 

Paralajmërim për rrezikun e atyre grave që i hidhërojnë burrat e tyre, nuk dëgjojnë urdhërat e tyre dhe nuk i përfillin të drejtat e tyre

 

Transmetohet nga Fadël Ibën Ubejde radijall-llahu anhu se i Dërguari i All-llahut sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Mos pyetni për tre lloje njerëzish . Njeriu i cili nuk fal namazet me xhematë dhe kundërshton udhëheqësin (halifen) e vet dhe vdes në atë gjendje; një robëreshë ose rob i cili ikën prej zotëriut të tij dhe një grua burri i së cilës nuk është prezent dhe ia ka lënë asaj të gjitha gjërat që i nevojiten, kurse ajo (në mosprezencën e tij) zbukurohet, zbulohet dhe shëtit pa burrin e saj”. Thotë Pejgamberi mos pyetni për këta njerëz (se gjendje të keqe dhe dhe dënim të vështirë do të kenë në Ditën e Gjykimit). All-llahu i Lartësuar na ruajtë dhe na largoftë prej këtyre njerëzve (dhe veprave të tyre).

 

Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Janë tre lloje njerëzish lutja e të cilëve nuk ngritet më lartë se te veshët e tyre:Një rob i cili ikën prej zotëriut të vet derisa të kthehet, një grua prej të cilës burri i saj flen tërë natën i hidhëruar dhe një njeri i cili bëhet imam (udhëheqës) dhe njerëzit nuk e pëlqejnë atë” .

 

Gjithashtu Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “All-llahu nuk do ta shiqojë atë grua e cila nuk e falënderon burrin e saj e ajo nuk mund të bëjë pa të”.

 

Poashtu nga Ebu Hurejra radijall-llahu anhu transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Pasha Atë, në duart e të cilit gjindet shpirti im, nëse burri e thërret gruan e tij në shtrat dhe ajo e rrefuzon këtë, Krijuesi i qiejve do të jetë i hidhëruar me atë grua derisa burri i saj të jetë i kënaqur me të”.

 

I Dërguari i All-llahut sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur gruaja fle jasht shtratit të burrit të saj, e mallkojnë melaiket (engjujt) deri në mëngjes”.

 

I Dërguari i All-llahut sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nëse burri e thërret gruan e tij në shtrat e ajo e refuzon atë dhe nëse burri fle i hidhëruar dhe kalon natën i hidhëruar melekët do ta mallkojnë atë (grua) deri në mëngjes”.

 

Gjithashtu Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Në të vërtetë ai (burri yt) është xhenneti dhe xhehennemi yt”. Kjo don të thotë se gruaja e cila e dëgjon All-llahun azze ve xhel-le për burrin e saj dhe ia plotëson atij të drejtat, atëherë ai (burri) do të jetë shkaktar për hyrjen e saj në xhennet dhe nëse nuk e respekton burrin e saj atëherë ai do të jetë shkaktar për hyrjen e saj në xhehennem. All-llahu na ruajt nga kjo.

 

Muadh ibën Xhebeli thotë se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nëse një grua nënçmon dhe e fyen burrin e saj me fjalë në këtë dunja, gratë e tij në xhennet i thonë asaj:Mos e nënçmo atë, inshallah All-llahu të nënçmon ty, ai (burri) është si mik te ti i cili kalon një kohë të shkurtër me ty dhe mandej do të kalojë tek ne”.

 

Vlera dhe lartësia e gruas së ndershme

 

Transmeton Abdullah ibën Amir se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kjo botë dhe çka gjindet në të është e çmueshme, kurse gjëja më e çmuar në këtë botë është gruaja e ndershme”.

 

Gjithashtu nga Seid ibën Vekkasi se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem:”Katër gjëra janë prej mirësisë: Një grua e ndershme, shtëpia komode, fqiu i mirë dhe një kafshë (mjet transporti) e mirë dhe katër gjëra janë prej gjërave të këqia: Një fqi i keq, gruaja e keqe, kafsha (mjeti i transportit) e keqe dhe një shtëpi jokomode (e ngushtë)”.

 

Thevbani radijall-llahu anhu ka thënë: “Kur zbriti ajeti për arin e argjendin: “Ata të cilët e rruajnë arin dhe argjendin…” (Et Tevbe 34), pyetëm se çfarë pasurie na lejohet të kemi? Omeri radijall-llahu anhu tha se do ta pyeste Pejgamberin sal-lallahu alejhi ve sel-lem dhe i hipi devesë, kurse unë (Thevbani) e ndjekja pas. Omeri radijall-llahu anhu i tha: O i Dërguar i All-llahut çfarë pasurie mundemi të kemi? Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem u përgjigj: Le të ketë çdo njeri prej jush zemrën e cila falënderohet, gjuhë që e përmend All-llahun dhe një grua besimtare e cila i ndihmon atij me veprat e saja për jetën tjetër (Ahiretin)”.

 

Gruaja e ndershme është ajo për të cilën Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem na ka urdhëruar që ta martojmë. Nga Ebu Hurejra radijall-llahu anhu transmetohet se i Dërguari i All-llahut sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Gruaja martohet për katër gjëra: Për pasurinë e saj, prejardhjen e saj, bukurinë e saj dhe për fenë e mirë që e ka. E ju martoni atë të cilën e ka fenë e mirë, nëse doni që duart e juaja të jenë të lira e të qeta”. Hafidh ibën Haxheri thotë: “Ky hadith sqaron se njeriu besimtar dhe me sjeelje të mirë është obliguar të bëjë çdo vepër e cila pajtohet me fenë dhe se ai duhet të mendojë më shumë për gjërat të cilat janë afatgjate. Prandaj Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem na ka urdhëruar në këtë hadith që të martojmë grua e cila është më e mirë në fe”.

 

Karakteri i gruas së ndershme

 

1.Të i dojë e respektojë urdhërat e All-llahut azze ve xhel-le. Gruaja e ndershme duhet t’i kryej të drejtat ndaj All-llahut xhel-le shanuhu si p.sh. namazin, zekatin, agjërimin e Ramazanit, të mbulojë vetveten, mos të shoh gjëra të cilat janë të ndaluara për atë etj.

 

2.Të nderojë dhe të respektojë burrin e saj në çdo gjë e cila nuk bie në kundërshtim me të drejtat e All-llahut subhanehu ve teala dhe duhet e e ka obligim ti kryejë e ti plotësojë të drejtat ndaj burrit të saj ashtu siç cekëm më lartë në kapitullin e parë.

 

3.Duhet të ruajë dhe të mbulojë vetveten dhe nderin e saj kur nuk është burri i saj në shtëpi, të ruaj nderin dhe vetveten prej duarve të huaja, syrit të huaj që mos ta shohim, prej veshëve të huaj që mos ta ndëgjojnë zërin e saj të zbukuruar, gjithashtu duhet të ruaj dhe kujdeset për shtëpinë e burrit, fëmijët dhe pasurinë e tij. All-llahu xhel-le shanuhu thotë: “…Gratë e mira janë respektuese, besnike ndaj të fshehtës, me atë që All-llahu i bëri të ruajtur…”. (En Nisa’ë 34). Shejh Es Sa’di (All-llahu e mëshiroftë) thotë: “Domethënja e këtij ajeti është se ndëgjimi i All-llahut dhe i burrit të saj është atëherë kur ai nuk është prezent e ajo e ruan vetveten dhe gjërat e burrit të saj”. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Gruasë e cila i falë pesë kohët e namazit, agjëron Ramazanin, ruan vetveten dhe i bindet burrit të saj në ditën e Gjykimit do t’i thuhet:Hyn në xhennet prej cilës derë dëshiron”.

 

4. Ti shërbejë burrit të saj si p.sh. ti përgjigjet atij kur e thërret, t’i kryej punët e shtëpisë, t’i rrisë fëmijët e ti edukojë ata, ta pregaditë ushqimin, shtratit etj. Husejn ibën Mihsan radijall-llahu anhu ka thënë: “Që halla e tij i ka thënë:Unë njëherë shkova te i Dërguari i All-llahut sal-lallahu alejhi ve sel-lem për diçka dhe ai më pyeti: “A je e martuar?”;unë i thashë se po. Ai më pyeti : “Si je me burrin tënd?”; unë i thashë: Nuk i lë asnjë punë përveç se atë punë që nuk kam mundësi të kryej. Ai më tha: “Atëherë shih se si sillesh me atë se në të vërtetë ai është xhenneti dhe xhehennemi yt”.

 

Tani do të japim një shembull se si Esma bint Ebu Bekër i kryente punët e burrit të saj. Thotë ajo (Esma):”Kur u martova me Zubejrin nuk kishte as një pjesë toke, as shërbëtor asgjë tjetër përveç se një deve me të cilën e nxjerrte ujin nga pusi dhe kalin e vet. Kurse unë ushqeja kalin, merrja ujin prej pusit, e qepja enën për ujë, zija brumin e bukës, por nuk mundesha ta pjekë bukën mirë, kurse gratë e Ensarëve që ishin fqinje të mia shumë të mira dhe ato e piqnin bukën për mua dhe i sjellja hurmat të cilat i mblidhja prej kopshtit që ja kishte dhënë Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem burrit tim, e largësia e tij prej shtëpisë sime, ishte afër dy mile. Një ditë unë duke ardhur prej kopshtit me hurmat në kokë për në shtëpi u takova në rrugë me Pejgamberin sal-lallahu alejhi ve sel-lem që ishte duke ardhur me një grup ensarësh, e kur më pa mua në këtë gjendje i tha devesë së tij Ikh-ikh që të mundesha unë të hipi prapa Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem në deve, kurse mua më erdhi turp të shkoj me burrat, poashtu mu kujtua Zubejri se sa xheloz që është. Pejgamberi e pa që më vinte turp dhe e vazhdoi rrugën. Kur erdha në shtëpi i tregova Zubejrit se çka ndodhi me mua dhe se Pejgamberi më pa duke mbajtur hurma në kokë dhe deshi të më ndihmojë dhe të më bjerë në shtëpi kurse mua më vinte turp dhe mu kujtove se sa xheloz je. Zubejri më tha:”Pasha All-llahun azze ve xhel-le më rëndë më vjen se të ka parë Pejgamberi duke mbajtur hurmat në kokë se sa të vije me Pejgamberin sal-lallahu alejhi ve sel-lem”. Pastaj thotë Esma: Më vonë Ebu Bekri më dha mua një shërbëtore që të më shërbejë dhe kjo ishte sikur më liroi mua”.

 

Dijetarët kanë mendime të ndryshme për këtë çështje se a e ka ajo obligim të shërbejë burrin apo jo? Disa dijetarë thonë se nuk është obligim i domosdoshëm që gruaja t’i shërbejë burrit të saj, por sa i përket këtij mendimi dijetarët thonë se është mendim shumë i dobët, sikurse mendimi i atyre që thonë se gruaja nuk e ka obligim të rrijë me burrin e as të flejë me të. Kurse mendimi i vërtetë dhe i saktë është se gruaja duhet dhe e ka obligim të domosdoshëm t’i shërbej burrit të saj, për arsye se burri është zotëriu i saj e kështu na thotë libri i All-llahut të Madhëruar dhe Sunneti i të Dërguarit sal-lallahu alejhi ve sel-lem dhe ajo duhet t’i shërbejë zotëriut të saj e kjo është një gjë që dihet. All-llahu subhanehu ve teala thotë: “Burrat janë përgjegjës për gratë ngase All-llahu i ka graduar disa mbi disa të tjerë ngase ata kanë shpenzuar prej pasurisë së tyre. Gratë e mira janë respektuese, besnike ndaj të fshehtës me të cilën All-llahu i bëri të ruajtura” (En Nisa’ë 34). Ky ajet na tregon se gruaja duhet të respektoj dhe ti shërbejë burrit në çdo aspekt dhe në gjithçka p.sh. ta respektojë, t’i përgjegjet kur e thërret në shtrat, të jetë besnike për punët e tij dhe gjithçka tjetër që e kishte obligim sikur që e ka obligim t’i shërbejë nënës e babait të saj. E gjithë kjo kthehet te burri i saj pas martesës me të.

 

5.Të jetë besnike dhe t’i ruaj sekretet e burrit të saj, posaçërisht gjërat të cilat ndodhin ndërmjet tyre kur janë të vetmuar, sikurse gjërat intime, ose private që ndodhin gjatë martesës. Tregimi i sekreteve të burrit është shkak i hidhërimit të tij, si dhe dëmit të tij, mosrespektimi, mosndëgjimi etj. Gjitha këto janë të ndaluar për një grua e cila i frigohet All-llahut. Të ruash sekretin e burrit është një pjesë prej cilësive të gruas së ndershme dhe të mirë. All-llahu i Lartësuar thotë: “Gratë e mira janë respektuese, besnike ndaj të fshehtës…” (En Nisa’ë 34). E një prej atyre që duhet të fsheh gruaja është edhe ajo që të mos t’i tregojë sekretet e tij e burri i saj të mos jetë prezent.

 

Esma bintu Jezid ka thënë:Isha me burrin dhe një grup grashë te i Dërguari i All-llahut sal-lallahu alejhi ve sel-lem dhe ai tha:”Ndoshta dikush prej burrave tregon se çka bën me gratë e veta e ndoshta gratë tregojnë çka bëjnë me burrat e tyre?” Të gjithë heshtën kurse unë i thashë: Pasha All-llahun o i Dërguari i All-llahut me të vërtetë burrat e gratë e bëjnë një gjë të tillë. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem tha: “Mos veproni kështu se me të vërtetë kjo është sikurse një shejtan mashkull e takon një shejtan femër në mes të rrugës dhe bëjnë marrëdhënie në atë vend e i shohin të gjithë njerëzit”.

 

6.Duhet që para burrit të dalë (gruaja) e zbukuruar që ta gëzojë atë kur e sheh. Ebu Hurejre radijall-llahu anhu thotë: Njëri e pyeti Pejgamberin sal-lallahu alejhi ve sel-lem: Cila grua është më e mira? Tha:”Ajo e cila e gëzon burrin e saj kur ai e sheh, ajo që i përgjigjet urdhërit të tij kur e urdhëron, e cila nuk e kundërshton burrin në punët të cilat janë për atë (gruan) ose pasurinë e saj dhe nuk bën çfarë nuk pëlqen ai”.

 

7.Nuk duhet të harxhojë pasurinë e tij dhe pasurinë e vet pa lejen e tij. Thotë Abdullah ibën Amër ibën Asi se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nuk është e lejuar për një grua që të jap diçka pa lejen e tij”.

 

Muhadithi dhe fakihu Shejh Albani (All-llahu e mëshiroftë dhe në xhennetin Firdeus e vendoftë) thotë: Nuk i ka hije një burri besimtar të jetë i egër dhe i rreptë me gruan e tij nëse ajo ka dëshirë të përdorë pasurinë e saj në diçka pa dëmtuar asnjë, për arsye se ajo e ka këtë të drejtë dhe kjo është njëlloj sikur haku i veliut (kujdestarit) të vajzës, ku vajza nuk mund të martohet pa lejen e veliut përveç se kur ai e ndalon pa kurrëfarë shkaku, atëherë duhet ta marrë këtë punë përsipër Gjyqi Islam që ta rregullojë dhe ta drejtojë këtë çështje. Gjithashtu edhe burri nëse e ndalon gruan e vet pa kurrëfarë shkaku që ta përdorë vetëm në hallall dhe nuk e dëmton askend, atëherë ajo mund që këtë çështje ta paraqes te Gjyqi Islam që ta rregullojë këtë problem. Kjo nuk konsiderohet mosrespektim i burrit për arsye se burri e ka keqpërdorur këtë të drejtë që i është dhënë atij.

 

8.Nuk duhet të lejoj dikend të hyjë në shtëpinë e burrit pa lejen e tij. Tramsmeton Ebu Hurejra radijall-llahu anhu se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nuk i lejohet gruas që të agjërojë (nafile) kur burri i saj është prezent, përveç se me lejen e tij, gjithashtu nuk i lejohet që të lejojë dikend të hyjë pa lejen e burrit dhe çfarë jap ajo grua prej pasurisë për sadaka duke mos e ditur burri i saj atëherë gjysma e shpërblimeve (sevapeve) janë për burrin e saj”.

 

9.Nuk duhet të kërkojë shkurorëzim pa kurrëfarë arsye. Thevbani radijall-llahu anhu thotë se i Dërguari i All-llahut sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “اdo grua që kërkon shkurorëzim (të ndahet) prej burrit të saj pa kurrëfarë arsye të fortë, ajo nuk do të shijojë erën e xhennetit”.

 

10. Të largojë prej gjuhës së saj mallkimin, sharjen dhe nënçmimin. Transmeton Ebu Said El Hudriu radijall-llahu anhu se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem duke shkuar në faltore për bajram kaloi pranë grave e u tha: “Jepni zekat se me të vërtetë kam parë në xhehennem më së shumti gra”. Ato e pyetën: Përse o i Dërguari i All-llahut? Ju tha: “Për arsye se ju mallkoni (fyeni) shumë dhe nuk i falënderoni burrat tuaj”.

 

11.Duhet të falënderojë burrin e saj për të mirat që i ofron asaj dhe për sjelljen e mirë me të. E këtë falënderim gruaja mund të arrijë duke i folur fjalë të mira, t’i përgjigjet thirrjes së tij, të mos harrojë të mirat që burri ka bërë për të dhe mos të përbuz të mirën e burrit duke i thënë se nuk ka parë asnjë të mirë prej tij se këto janë shkaqe që e shpiejnë në zjarr (All-llahu na ruajt). Transmeton Ibën Abasi radijall-llahu anhu se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Unë e pashë xhehennemin dhe pashë se banorët e tij më së shumti ishin gra, për arsye se ato nuk falënderojnë”. Dikush i tha: A është se ato nuk besojnë All-llahun azze ve xhel-le? Ai tha: “Shkaku është se ato nuk i falënderojnë burrat e tyre dhe nuk i respektojnë ata. Po të sillesh me ato mirë çdoherë dhe nëse njëherë ajo sheh në ty diçka që nuk e pëlqen ajo do t’i thotë: Unë asnjëherë nuk kam parë ndonjë të mirë prej teje”.

 

Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem thotë: All-llahu nuk e shiqon atë grua e cila nuk i falënderohet burrit të saj e ajo nuk mund të bëjë pa të”.

 

12. Nuk duhet të zhvishet kur gjindet jashtë shtëpisë së burrit. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem thotë: “Cila grua zhveshë teshat e saja jashtë shtëpisë së burrit All-llahu do ta heqë mbrojtjen prej saj”. El Menavi thotë: All-llahu azze ve xhel-le do ta hjekë perden prej saj, për arsye se ajo nuk ruajti trupin e saj siç ishte urdhëruar të mbulohet para burrave të huaj dhe ky do të jetë dënimi i saj, e dënimi është sipas gabimit që e ka kryer.

 

Sipas këtij hadithi kuptohet se zhveshja ka për qëllim zhveshjen para burrave të huaj me qëllime amoraliteti (zina), kurse sa i përket zhveshjes para grave nuk është e ndaluar por me kusht që të mbulohet aureti i gruas ndaj gruas.

 

13. Duhet të mundohet ta gëzojë burrin e saj. Për këtë e kemi përmendur më lartë hadithin kur gruaja e mirë thotë: Unë nuk do të flej derisa ti të jesh i kënaquar me mua. Në librin El Kebair (Mëkatet e mëdhaja) Dhehebiu thotë: Prej gjërave që gruaja i ka obligim të domosdoshëm (vaxhib) është që ta gëzojë burrin e saj, mos ta hidhëroj atë dhe ti përgjigjet atij kur ai e thërret. Duhet të dijë gruaja se zotëriu i saj është burri kështuqë ajo s’duhet të bëj asgjë me pasurinë e saj e as të burrit të saj pa lejen e tij. Duhet t’i vëjë të drejtat e burrit para të drejtave të veta she të drejtat e familjes së tij para të drejtave të familjes së vet dhe trupi i saj duhet të jetë i pastër dhe i përgaditur për burrin e saj kur ai e thërret. Nuk duhet t’i lavdërohet burrit të saj për bukurinë e saj e të flasë diçka që burri nuk e ka të mirë apo të bukur. Ajo duhet të paraqitet para tij si e thjeshtë dhe të mos flasi shumë para tij, të shiqojë poshtë kur flet me të, t’i përgjigjet urdhërit të tij. Duhet të mos flas kur ai është duke folur dhe mos të bëjë diçka që e dëshpron atë, mos t’ia nxiejë fytyrën burrit kur ai nuk është prezent, në shtratin e tij, në pasurinë e tij dhe shtëpinë e tij. Duhet të jetë e parfumosur para tij me erë të mirë, të mbaj gojën e pastër, të vishet bukur kur ai është prezent e jo kur nuk është ai. Duhet të respektojë familjen e tij dhe duhet të ketë parasysh se diçka e vogël me burrin e saj është shumë e madhe për të.

 

Si mundesh ti ndihmosh bashkëshortes që të jetë prej grave të ndershme

 

T’ia bësh të njohur madhështinë e All-llahut të Madhëruar dhe se Ai azze ve xhel-le është Zoti i vërtetë i cili e meriton të adhurohet dhe se feja e Tij është e vërteta dhe rruga e drejtë, ta dijë se ligjet e Tij janë (udhëzuese) për në rrugën e drejtë.

 

Ta dijë përsosmërinë e diturisë së Tij dhe se dituria e Tij përfshinë gjithçka që ka urdhëruar ose ndaluar dhe çfarë është shkruajtur që të bëhet. Si më gjerësisht duhet të dijë se dituria e Tij është e madhe dhe përfshin gjithçka qoftë e fshehur qoftë e qartë. Sipas kësaj dihet se All-llahu subhanehu ve teala e din se çfarë është më mirë dhe çfarë është e keqe për robin e Tij. Din se çfarë është e vlefshme dhe i ndihmon robit të Tij dhe çfarë e prish atë. All-llahu i Lartësuar është i Pagabueshëm dhe i Plotmëshirshëm për çdo gjë që është e mëshirshme dhe e vlefshme. Ai i urdhëron robërit e tij që të kryejnë ato, me të cilën robi i Tij bëhet i lumtur në jetë e gjithashtu edhe në Ditën e Gjykimit, e i ndalon ata nga veprat e këqia që e dëshprojnë atë në dunja e Ahiret. Atëherë motër atë që e ka urdhëruar i Pagabueshmi i Plotmëshirshmi je e urdhëruar ta kryesh dhe se kush e ndjekë këtë rrugë do të jetë e gëzuar dhe do të ketë sukses në këtë botë dhe në botën tjetër, e jo ato që e refuzojnë këtë urdhër dhe kryejnë vepra që kundërshtojnë urdhërat e ligjet e All-llahut xhel-le shanuhu. All-llahu azze ve xhel-le thotë: “Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, duke qenë besimtar, Ne do ti japim atij një jetë të mirë (në këtë botë) e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblim më të mirë për veprat e tyre” (En Nahl 97)

 

Gjithashtu All-llahu azze ve xhel-le thotë: “E kush ia kthen shpinën udhëzimit tim do të ketë jetë të vështirë” (Ta Ha 124). Sipas kësaj themi se nëse gruaja e njeh madhërinë e All-llahut dhe diturinë e Tij të përsosur dhe se Ai din gjithçka e Ai është Mëshirploti, atëherë me siguri ajo do të pranonte që ti përgjigjet urdhërit të All-llahut xhel-le shanuhu dhe do të respektonte urdhërat e burrit të saj, për arsye se Ai që e ka urdhëruar për një gjë të tillë është All-llahu i Lartësuar. Ajo duhet të shpejtojë që ta kryejë urdhërin e burrit pa kurrëfarë përtacie dhe nuk duhet asnjëherë të thotë: Përse duhet të jetë burri më i lartë se unë?! Përse duhet ta dëgjojë unë atë?! Përse, …përse?! All-llahu subhanehu ve teala thotë: “Kur All-llahu ka vendosur për një çështje ose i Dërguari i Tij, nuk i takon (lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjedhje tjetër. E kush kundërshton All-llahun dhe të Dërguarin e Tij ai është larguar shumë larg së vërtetës” (El Ahzab 36).

 

Gjithashtu All-llahu subhanehu ve teala thotë: “Për Zotin tënd jo ata nuk janë besimtarë derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndjejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe derisa të mos binden sinqerisht” (En Nisa’ë 65).

 

Gjërat të cilat i ndihmojnë gruas që të jetë prej grave të ndershme

 

Të shpresojë dhe dëshirojë për atë që All-llahu i ka premtuar asaj në xhennet. Gjëra të mira dhe shpërblim të madh që as syri nuk i ka parë, as veshi nuk i ka dëgjuar e as një zemër njeriu mund t’i mendojë.

 

Të ketë frigë prej dënimit të rreptë të All-llahut subhanehu ve teala, frigë prej gjithçka që All-llahu azze ve xhel-le e ka përgaditur për mizorët dhe përbuzësit e urdhërave të Tij. Dënim të turpshëm e të rreptë dhe tortura shumë të këqija (All-llahu ne ruajtë prej tyre). Kemi folur më lartë në kapitullin e parë për të drejtat e burrit atëherë:

 

-Duhet të kërkosh ndihmë nga All-llahu azze ve xhel-le për arsye se asnjë punë nuk mund të kryhet pa ndihmën e All-llahut. All-llahu xhel-le shanuhu thotë: “…Gratë e mira janë respektuese, besnike ndaj të fshehtës, me atë që All-llahu e bëri të ruajtur…” (En Nisa’ë 34).

 

Taberiu (All-llahu e mëshiroftë) dhe dijetarët tjerë thonë se “Ndihma e All-llahut vjen tek ato dhe All-llahu i ruan ato, nëse ato i kanë cilësitë e përmendura në këtë ajet”.

 

Prej gjërave që i ndihmojnë gruas është edhe:

 

-Që të ketë shoqërinë (shoqet) e ndershme e të mira dhe të mundohet të jetë sikurse ato dhe të largohet prej (shoqeve) të këqija dhe të mos i dëgjojë fjalët e tyre. Me të vërtetë duhet të ruhet dhe të largohet prej atyre që e zbulojnë trupin e tyre, që kanë cilësi të këqia si p.sh. ato të cilat kohën e kalojnë para televizionit, videos ose vendeve që Islami nuk i lejon, largohuni prej tyre nëse doni të shpëtoni. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Shembulli i shoqërisë së mirë e shoqërisë së keqe është një lloj sikur shembulli i atij që shet misk dhe ai që shkrin hekur (farkatari). Ai që shet misk nëse nuk blen prej tij, mjafton se era e miskut do të mbesë në trup, kurse farkatari nëse asgjë nuk merr prej tij mjafton se mund t’i djegësh teshat ose era e keqe do të mbesë në teshë”. Imam Neveviu thotë: Ky hadith tregon vlerën dhe mirësinë nëse shoqërohesh me njerëz të mirë, me ata që kanë sjellje të mirë dhe i frigohen All-llahut xhel-le shanuhu ose dijetarët e gjithashtu tregon se është e ndaluar të shoqërohesh me njerëz të këqinj, me ata që nxjerrin risi (bidate), ata të cilët flasin për njerëzit e tjerë (bëjnë gibet) ose me ata të cilët e humbin kohën me gjëra që janë në kundërshtim me fenë islame. Er Ragib thotë: Ky hadith ka për qëllim që njeriu duhet të zgjedhë dhe të rrijë sa të mundet me njerëz të ndershëm dhe të mirë, për arsye se njeriu i keq mundet të bëhet i mirë sikurse edhe njeriu i mirë mund të bëhet i keq nëse shoqërohet me njerëz të këqinj. Nëse ajri dhe uji prishen nëse gjinden në trup të kalbur, vallë çfarë mund të ndodh me shpirtin e njeriut i cili shumë lehtë bëhet i mirë dhe më lehtë bëhet i keq kur gjindet në mesin e të këqijve?

 

-Të zgjedhë e të pranoj për bashkëshort burrë besimtar dhe me moral të mirë e nuk duhet të pranojë atë të cilin nuk i vënë rëndësi fesë dhe sjelljen nuk e ka të mirë për arsye se burri duhet të jetë ai i cili i ndihmon gruas me punët e tij për botën tjetër (Ahiretin). Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem thotë:”Po t’ju vijë juve (veliut-kujdestarit të vajzës) njeri (që kërkon të martohet) me karakter (moral) dhe fe të mirë atëherë martonie me atë, e nëse nuk e bëni do të bëhet në tokë shumë sherr e fesad (amoralitet) i madh”.

 

Siç është gruaja e urdhëruar ta dëgjojë, respektojë, gëzojë burrin dhe të plotësojë të drejtat ndaj tij, ashtu edhe burri është urdhëruar të respektojë gratë e tij, t’i marrë me të mirë, të sillet mirë me to dhe të ketë durim me to nëse sheh diçka çka nuk e pëlqen prej tyre. Ai duhet të jap hakun si p.sh. ushqimi, veshja, sjellja e mirë etj. All-llahu xhel-le shanuhu thotë: “…çoni jetë të mirë me to…” (En Nisa’ë 19). Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ruani gratë”. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Besimtari me iman të plotë është ai që është më i sjellshëm kurse më i miri prej jush është ai që është më i mirë me gratë e tij”. Nga Iljas ibën Abdull-llah ibën Ebu Dhubabeh radijall-llahu anhu thotë se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Mos i rrihni robët (femrat) e All-llahut”. Mandej erdhi Omeri radijall-llahu anhu te Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem e i tha: O i Dërguar i All-llahut gratë kanë nisur t’i ngrisin kokat lartë ndaj burrave të tyre. Atëherë Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem i liroj (që t’i rrihnin gratë) dhe i rrihnin. Pastaj shumë gra shkuan te gratë e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem dhe ankoheshin prej burrave të tyre. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ve sel-lem në mëngjes u tha burrave: “Erdhën 70 gra te gratë e mia në mbrëmje dhe ankoheshin prej burrave. Dini se me të vërtetë ata burra (që i rrahin shumë e shpesh) nuk janë prej burrave të mirë në mesin tuaj”.

 

Me këtë përfundon ajo çka dëshiruam të tregojmë dhe të shpjegojmë në këtë broshurë të shkurtër dhe e lus All-llahun azze ve xhel-le që të na bëj të vërtetën ta kuptojmë të vërtetë e të pavërtetën ta kuptojmë të pavërtetë dhe të na bëj prej atyre që ndëgjojmë dhe ndjekim më të mirën. Amin! …

 

Fjala e përkthyesit:

Me siguri shumë njerëz do ta shohin dhe do ta kuptojnë këtë broshurë sipas shijeve të veta kush drejtë e kush shtrembër. Dikush prej burrave mund t’ia dhurojë gruas së vet kurse, dikush që ende nuk është martuar mund ta lexojë që të shohë se si duhet të sillet gjatë martesës dhe si mund të bëhet bashkëshorte e mirë.

 

Me siguri do të ketë prej atyre njerëzve të cilët do të kundërshtojnë dhe do të flasin keq për këtë broshurë, duke thënë se kjo broshurë thërret kundër të drejtave të femrave, që ato të mbulohen dhe të bëhen si shërbëtore e të rrijnë vetëm në shtëpi. Por, duhet të dimë se këta lloj njerëzish shumë rrallë i lexojnë librat si duhet. Lehtë është të shfletohen shpejt e shpejt fletat e kësaj broshure e në fund të thuhet se kjo është vepër e ndonjë burri fanatik musliman vetëm që ti bëjë gratë se s’janë asgjë. E vërteta qëndron në faktin se autori ka mbledhur vetëm ajete kur’anore e hadithe të vërteta që t’ju ndihmojë grave që më lehtë të bëhen prej grave të ndershme dhe besimtareve të vërteta, t’u tregojë atyre se çfarë të drejta kanë ndaj burrave të vet, si mund ta gëzojnë All-llahun azze ve xhel-le duke i kryer urdhërat e Tij, duke nderuar burrin dhe duke respektuar të drejtat e tij.

 

Dikush mund të mendojë dhe të thotë se në këtë broshurë gjinden disa fjalë të rënda, të rrepta e të çuditshme. Por, duhet ta dini se gabimi gjindet në mendjen e tij, sepse ai është i ngarkuar me mendime të njëjta si të njerëzve në Perëndim, ku thuhet se çdo gjë është e lejuar. Nga përvoja e dimë se çdo gjë është e lejuar vetëm te kafshët. Këto mendime janë shumë larg Islamit, i cili e ka ngritur njeriun ndaj kafshëve dhe i ka caktuar kontroll e kufi në çdo vepër.

 

Puna që duhet ta kryejmë para së gjithash është të besojmë All-llahun i cili është Një, dhe i vetmi i Cili meriton adhurim si dhe të ndjekim urdhërat e Tij. Kur na urdhëron diçka duhet ta kryejmë pa kurrëfarë dileme. Nëse kjo gjindet te besimtari, atëherë lirisht mund të flasim për temat tjera të Islamit, e në këtë rast edhe për martesën. Pas besimit gjithçka do të jetë e qartë për një grua besimtare. Ajo do ta ketë lehtë t’i pranojë të drejtat e burrit të saj, duke e ditur se respektimi i tij është pjesë e fesë dhe se All-llahu subhanehu ve teala gëzohet me atë vepër.

 

Kështu shihet se autori nuk flet këtu me fjalë të veta por prej fillimit e deri në fund flet me fjalë të All-llahut azze ve xhel-le dhe të Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem, siç dhe shumë herë i ka shpjeguar ato me fjalë të dijetarëve të njohur. Pasiqë është kështu, për një besimtare që e beson All-llahun xhel-le shanuhu dhe të Dërguarin sal-lallahu alejhi ve sel-lem, nuk mbetet asgjë tjetër pos që t’i pranojë këto urdhëra e rregulla me zemër të sinqeritë. All-llahu azze ve xhel-le thotë: “Kur All-llahu ka vendosur për një çështje ose i Dërguari i Tij nuk i takon asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetër. E kush e kundërshton All-llahun dhe të Dërguarin e Tij ai është larguar shumë larg së vërtetës.” (El Ahzabë 36)

 

Nëse e lexojmë këtë broshurë dhe mendojmë me sinqeritet, do të shohim se kjo broshurë nuk është që t’i bëhen padrejtësi e vështirësi gruas e lehtësi burrit, por se qëllimi është që të ndihmohet çifti bashkëshortor që të ketë jetë të lumtur. Nëse një martesë fillon me të mirë, burri e gruaja i pranojnë rolet e tyre dhe i respektojnë rolet e njëri tjetrit sipas Kur’anit e Sunnetit, atëherë pasha All-llahun azze ve xhel-le me të vërtetë martesa e tyre do të jetë e lumtur dhe e suksesshme në të dy jetët (Dunja e Ahiret). Kjo kështu do të jetë për arsye se ata i janë mbështetur dhe nënshtruar All-llahut subhanehu ve teala i Cili e din se cila është e mirë e cila është e keqe për robin e vet.

 

Edhe pse fletët e kësaj broshure janë të pakta, dituria dhe vlera që gjindet në to është e madhe. Andaj nëse dikush prej nesh i kryen gjysmën prej këtyre, le ta dijë se e mira e tyre ndikon në vetvete, në familje e edhe në rreth më të gjerë.

 

I falënderohem All-llahut azze ve xhel-le që tani ka libër për gratë në Perëndim dhe iu tregon atyre se jeta e lumtur e tyre është nëse ndjekin Kur’anin e Sunnetin dhe jo mendimet e qafirave (jobesimtarëve). Prej tyre duhet të largohemi sepse prej të vdekurve nuk kërkohet jetë. Muhadithi i kohës sonë Muhammed Nasiruddin El Albani (All-llahu e mëshiroftë) thotë: “Nëse don që mos të shohësh ëndërra të këqija, atëherë mos bano mbi varreza”. Të kthehemi nga kjo rrugë e të ndjekim shembullin më të mirë, Kur’anin dhe Sunnetin.

 

Nuk iu takon burrave keqpërdorimi i kësaj broshure. Kjo është vetëm udhëzim dhe përkujtim. Ata duhet t’i kenë frikë All-llahut azze ve xhel-le dhe të sillen mirë me gratë e tyre e të mos sillen e të veprojnë me to si njerëzit e Perëndimit. Në këtë broshurë tregohen obligimet e burrit ndaj gruas dhe bëhet e qartë se suksesi i martesës nuk varet vetëm nga gruaja por prej të dyve.

 

Lusim All-llahun xhel-le shanuhu për autorin e kësaj broshure. Gjithashtu lutemi edhe për të gjitha gratë që e lexojnë këtë libër që të bëhen prej grave të mira dhe prej atyre që me veprat e tyre iu ngjajnë atyre grave që Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i ka përmendur në hadith dhe të cilat All-llahu azze ve xhel-le i shpërblen me xhennet. Lusim All-llahun xhel-le shanuhu që edhe burrat t’ju ndihmojnë grave të tyre që të bëhen prej grave të ndershme dhe t’ju ndihmojnë grave të tyre me punët e tyre që të bëhen prej grave të xhennetit. Amin!/albislam

 

Autor: Muhammad Shoman 

Shqip: Ummu Amina (Islami) Zekiri

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit