Në vitin 2020, njerëzit u detyruan të përshtaten me situatën e krijuar nga pandemia COVID-19. Shumë kompani u kërkuan punonjësve të punojnë nga shtëpia, e me të mësuarit me këtë mënyrë jetese, puna në distancë u kthye në një përfitim joshës dhe të panegociueshëm për shumë njerëz.
E, parashikimi se cilat karriera do të lulëzojnë në botën tonë post-COVID-19 nuk është e lehtë.
Megjithatë, sipas prestigjiozes Forbes, këto janë pesë fushat kryesore të karrierës në rritje në vitet në vijim.
Kujdesi shëndetësor
Pandemia pati një ndikim të madh te punonjësit e kujdesit shëndetësor. Disa u infektuan nga virusi, shumë u sëmurën ose madje humbën jetën. Pas durimit të një sulmi prej muajsh të pacientëve, studimet sugjerojnë se mbi një e treta po mendojnë të largohen nga profesioni. Ndonëse prej vitesh ka mungesë infermierësh të aftë, pandemia e bëri këtë situate edhe më keq. Kjo është një arsye pse kujdesi shëndetësor është një fushë kryesore e së ardhmes.
Do të ketë nevojë për të paktën 500 mijë infermierë të tjerë të regjistruar deri në vitin 2027. Ndërkaq, sipas Byrosë së Statistikave të Punës në SHBA, në vitin 2020 paga mesatare për një mjek infermier ishte pothuajse 112 mijë dollarë.
Teknologjia e Informacionit
Sigurisht që IT ka qenë një fushë rritjeje prej vitesh. Por fokusi në zgjerimin e punës në distancë dhe zhvillimin e telefonave të mençur ka rritur kërkesën për zhvilluesit e softuerëve dhe të aplikacioneve. Edhe pse kjo fushë ka kërkuar tradicionalisht një diplomë bachelor të shkencës, kompanitë tani po rekrutojnë njerëz që kanë mësuar të kodojnë në internet. Pra, nëse jeni duke menduar për një ndryshim karriere dhe jeni të orientuar drejt teknologjisë, mund të merrni parasysh disa kurse kodimi.
Byroja e Statistikave të Punës në SHBA, parashikon që deri në fund të dekadës, fusha e zhvillimit të softuerit do të rritet me 22 për qind, që do të thotë mbi 300 mijë vende të reja pune me një pagë mesatare mbi gjashtë shifra. Dhe nëse prireni të jeni introvert, zhvillimi i softuerit ose aplikacioneve është një zgjedhje e shkëlqyer për karrierën.
Menaxhimi i Zinxhirit të Furnizimit
Blerja nga paniku që filloi përpara bllokimeve të vitit të kaluar, përmbysi metodat e dorëzimit në kohë, në të cilat ishin mbështetur prej kohësh kaq shumë shitës me pakicë. Punët në këtë fushë përfshijnë agjentin e blerjeve, analistin e logjistikës dhe menaxherin e shpërndarjes. Inxhinierët industrialë janë gjithashtu të shumtë në menaxhim të zinxhirit të furnizimit.
Menaxhimi Financiar
Karriera në këtë fushë pritet të rritet me 15 për qind gjatë dekadës së ardhshme. Menaxherët financiarë punësohen për të ekzaminuar shpenzimet dhe të ardhurat e një kompanie ndërsa kërkojnë mënyra për të maksimizuar përfitimin. Të ardhurat mesatare i afrohen 120 mijë dollarëve amerikan. Konsulentët e menaxhimit gëzojnë ritme të ngjashme të larta rritjeje dhe të ardhura mesatare të larta.
Aktuarist dhe statisticien
Aktuarët gëzojnë një normë rritjeje prej gati 20 për qind deri në fund të dekadës dhe të ardhura mesatare mbi gjashtë shifra. Nëse ju pëlqejnë të dhënat dhe statistikat, kjo mund të jetë fusha perfekte me rritje të lartë. Shumica punojnë për kompanitë e sigurimeve, duke vendosur nëse do të sigurojnë apo jo një klient të mundshëm. Të jesh në gjendje të vlerësosh rrezikun është një aftësi e kërkuar. Aktuarët shpesh kanë një diplomë në shkencën aktuariale dhe kanë kaluar një sërë provimesh licencimi.
Statisticienët përmbushin një rol të ngjashëm për kompanitë duke analizuar të dhënat dhe duke projektuar shitjet, fitimet dhe pengesat në rritje në të ardhmen. Shkencëtarët e të dhënave, të cilët ndihmojnë kompanitë të përdorin më mirë informacionin, gëzojnë një rritje të parashikuar prej 30 për qind të punësimit deri në vitin 2030.
Sigurisht, puna më e mirë për ju nuk mund të jetë ajo me pagën më të lartë, as ajo me rritjen më të shpejtë. Çelësi është të përdorni grupin tuaj të aftësive dhe të arrini rezultatin më të mirë të mundshëm.