0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Cilat janë diplomat e pavlefshme nga Evropa Juglindore?

Më të lexuarat

Shkollat e Larta austriake paralajmërojnë për diplomat e pavlefshme të universiteteve private nga Evropa Juglindore. Shumë studentë, që duan të studiojnë në Vjenë refuzohen sepse diplomat e tyre nuk njihen.

Udhëtimin për në Vjenë boshnjakja Amila e kishte menduar ndryshe. Ajo donte të vizitonte miqtë, të shikonte bukuritë e Vjenës dhe të kryente njëkohësisht të gjitha formalitetet për t´u regjistruar në Universitetin e Vjenës. Por kur shkoi të regjistrohej në një degë masteri, përjetoi shok. “Kur panë diplomën dhe emrin e Universitetit ku unë kam studiuar në Bosnjë – Hercegovinë, refuzuan menjëherë të më regjistronin. Sekretarja tha se diploma ime boshnjake nuk njihet në Austri. Mua më ngecën fjalët në grykë!”
Në atdheun e saj Amila ka studiuar në një Universitet privat, dhe fjala “ndërkombëtare” është madje edhe në emrin e universitetit. “Më shumë mërzitem, sepse kur isha në Universitet në Bosnjë më kanë thënë se me këtë diplomë mund të studiohet kudo në botë. Ndërkohë që ata nuk i kanë kontrolluar diplomat në asnjë vend të botës”, thotë Amila e zhgënjyer.
Surprizë e keqe jashtë vendit
Raste të tilla dëgjohen shpesh në universitetet austriake. Diplomat e pavleshme që vijnë nga jashtë janë përditë temë e qendrave për këshillimin në shkollat e larta austriake në Vjenë. Atje bëhen përpjekje që studentët me probleme të tilla të ndihmohen, por shpesh një gjë e tillë nuk është e mundur, tregon një nga këshillueset e studenteve, Sanja Muratovic. “Në fakt është një gjë e thjeshtë. Nëse një universitet i Austrisë dhe i Evropës nuk e njeh diplomën, atëherë të prekurit nuk kanë diplomë të vlefshme Bachelor dhe nuk mund të regjistrohen për studime masteri.”
Nga ana e institucioneve arsimore nuk është e ndershme, “kur u premtohet të rinjve se mund t`i vazhdojnë studimet ku të duan në botë. Këto universitete private marrin shpesh shumë para dhe shumë njerëz japin aty groshën e fundit,” thotë Sanja Muratovic.
Me probleme të ngjashme nuk konfrontohen vetëm studentët nga ish-Jugosllavia, por edhe ata nga Rumania, Bullgaria dhe Sllovakia. Që nga fillimi i vitit, Muratovic punon në Bashkimin Kombëtar të Studentëve austriakë në këshillimin e studentëve të huaj. Por ajo ka hasur më pak raste nga këto vende, dhe më shumë raste nga Bosnja, tregon ajo: “Pavarësisht nga cili vend vijnë, të gjithë të prekurit janë mashtruar në të njëjtën mënyrë, duke mos iu treguar për vlerën e vërtetë të diplomës së tyre. “Ne kemi përjetuar shumë. Njerëzit mërziten kur refuzohen në Vjenë. Ata zemërohen dhe nuk besojnë askënd, as ne që përpiqemi të japim këshilla. Ata shkojnë në të gjitha instancat dhe kthehen sërish këtu, me bindjen e dhimbshme se ia kanë dhuruar tre ose katër vjetë të jetës një universiteti të gabuar”, thotë Muratovic.

Cilat universitete njihen?
Kur studentët vijnë nga një universitet që njihen, ndryshimi i universitetit bëhet pa problem. Vërtet që bëhet krahasimi i lëndëve dhe mund të ndodhë që në Austri të duhet të jepen disa provime. Por parimisht nuk ekzistojnë vështirësi. Problemet shfaqen kur universitetet nuk njohin diplomat, pjesa më e madhe e të cilave vijnë nga universitetet private, thotë Muratovic.
Dr. Heinz Kasparovsky, president i Qendrës Kombëtare Ausriake për njohjet akademike shpjegon se njohja e diplomave jashtë vendit bëhet në bazë listave ENIC/NARIC. ENIC do të thotë “Rrjeti evropian i qendrës informative për njohjet akademike”, NARIC – “Rrjeti i qendrave kombëtare të njohjeve akademike”. Këto lista nxirren nga ministritë e arsimit të vendeve përkatëse, në bashkëpunim me të dy nismat evropiane ENIC dhe NARIC. “Në faqen e internetit nxirren listat e të gjitha vendeve evropiane, si dhe SHBA-së. Nëse klikon tek një vend në listë, atëherë të del lista me të gjitha shkollat e larta dhe universitetet që njihen”, shpjegon Dr. Heinz Kasparovsky. “Nëse një instutucion shkollor ndodhet në listë atëherë ai njihet. Natyrisht që bëhet edhe krahasimi i niveleve të mësimit dhe përmbajtjeve mësimore, kështu që mund të ndodhë që të duhet të jepen provime shtesë. Por parimisht, diplomat e këtyre instutucioneve kanë dritën jeshile tek ne në Austri.” Kurse studentët e universitetve që nuk ndodhen në liste, nuk mund të vazhdojnë studimet e tyre në Austri./dw

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit