1.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Cila është rëndësia e saj dhe përse mbahet e fshehur Nata e Kadrit?

Më të lexuarat

Dhjetë ditët e Ramazanit tanimë janë aktuale dhe besimtarët i presin ato me shtim në adhurime, lutje dhe përshpirtshmëri. Këto ditë përmbajnë brenda tyre natën më të vlefshme dhe më të gjurmuar të gjithë muajit të Ramazanit, atë që njihet si Nata e Kadrit.
Ajo është një natë, të cilën Zoti e ka përzgjedhur për ta mbushur me madhështi dhe mirësi të veçanta.
Siç thuhet në Kuran, ajo është një natë më e vlefshme se njëmijë muaj, në të engjëjt e Zotit të kryesuar nga Xhebraili zbresin në dynja dhe në të përcaktohet fati i një viti për çdo njeri si edhe ajo që është një natë e bereqetshme dhe mbizotëruar nga paqja deri në agim.
Pavarësisht rëndësisë së saj, është i mirënjohur fakti se Nata e Kadrit nuk është saktësisht e përcaktuar.

Opinionet e dijetarëve në lidhje me të kanë qenë të shumta, përcjell gsh, por ekziston një konsensus i përgjithshëm, sipas së cilit Nata e Kadrit gjendet në një nga dhjetë netët e fundit të Ramazanit dhe me shumë mundësi në një nga dhjetët netët teke të tij.
Shumë besimtarë ndjehen të intriguar nga fakti i fshehjes së kësaj nate. Përse Zoti nuk e ka bërë qartësisht të ditur atë?
Përse ajo është mbajtur e fshehtë dhe besimtarët janë urdhëruar ta kërkojnë atë në një nga dhjetë netët e fundit të Ramazanit?
Në vijim do të përzgjedhim disa prej arsye teologjike për një fakt të tillë, ashtu siç janë ofruar ata nga Imam Fakhrudin el-Razi në komentin e tij të Kuranit “Mefatih el-Gajb”.
Ndonëse, ato nuk mund të quhen në asnjë mënyrë shteruese, gjithsesi ato hedhin dritë mbi disa prej urtësive që qëndrojnë pas fshehjes së natës së Kadrit.
Pikësëpari, Imam Razi këmbëngul se habia jonë me fshehjen e Natës së Kadrit është në fakt dëshmi se nuk i kemi kushtuar vëmendjen e duhur mënyrës se si Zoti e ka ndërtuar fenë e Tij.
Nëse do ta kishim bërë një gjë të tillë, do të kishim kuptuar se nuk ka asgjë të pazakontë në fshehjen e Natës së Kadrit.
Kjo, sepse Zoti e ka fshehur atë njësoj siç ka fshehur pranimin e veprave të adhurimit, në mënyrë që të kryejmë sa më shumë prej tyre.
Ai e ka fshehur pranimin e lutjeve në mënyrë që ne të mos i neglizhojmë ato, por të përpiqemi të kryejmë sa më shumë. Ai e ka fshehur pranimin e pendimit tonë, në mënyrë që ne të jemi gjithnjë në gjendje pendimi.
Zoti e ka fshehur prej nesh emrin e Tij më të madh, përmes të cilit është e mundur përmbushja e çdo lutjeje, në mënyrë që ne të mos i neglizhojmë emrat e tjerë të Tij, por të thellohemi në meditimin e tyre dhe në lutjen e Zotit me to.
Po ashtu, Ai e ka fshehur prej robit të tij ditën se kur ai do të vdesë, në mënyrë që njeriu t’i druhet Zoti dhe ta adhurojë Atë çdo ditë njësoj sikur ajo të jetë e fundit . Njëlloj si këto arsye që sapo përmendëm, si edhe shumë të tjera përveç tyre, Zoti ka vendosur të fsheh edhe natën e Kadrit në mënyrë që ne të përpiqemi në adhurime gjatë gjithë Ramazanit dhe veçanërisht gjatë dhjetë ditëve të fundit të tij.
Së dyti, nëse Zoti do ta kishte bërë të ditur natën e Kadrit dhe do të urdhëronte që ajo të kalohej në adhurime dhe lutje, atëherë është krejt e mundur që besimtarët të shtyrë nga dëshirat e ulëta të nefsit dhe vesveset e shejtanit nuk do ta përmbushnin atë ashtu siç duhej, por përkundrazi do ta kalonin atë duke kryer gjynahe dhe vepra të liga.
Në këtë rast, kryeja e një gjynahu duke qenë i vetëdijshëm se është Nata a Kadrit është më e rëndë se kryerja e një gjynahu duke mos e ditur saktësisht se ai është kryer në Natën e Kadrit.
Kësisoj Zoti e ka fshehur atë si mëshirë për adhuruesit në mënyrë që besimtari të mos sprovohet përtej mundësisë së tij dhe të mos bie në një gjynah të madh gjatë asaj nate.
Së treti, nëse Zoti do ta kishte bërë të ditur Natën e Kadrit dhe do të kishte urdhëruar që ajo të kalohej në adhurime dhe lutje dhe besimtari për një arsye apo tjetrën do refuzonte me vetëdije kryerjen e adhurimeve dhe lutjeve gjatë saj, atëherë kjo do të përbënte kufër, duke qenë se një veprim i tillë do të nënkuptonte refuzimin e vetëdijshëm të urdhrit të Zotit.
Duke pasur parasysh natyrën e dobët njerëzore dhe vesveset e shejtanit, Zoti i madhëruar e ka fshehur Natën e Kadrit në mënyrë që besimtari të mos bie në një gjendje të tillë gjatë saj dhe të shpresojë gjithnjë se ajo natë që ai ka kaluar në gjynah ndoshta nuk ka qenë Nata e Kadrit.
Transmetohet se një ditë profeti (a.s.) hyri në xhami dhe pa se një nga sahabët ishte duke fjetur gjumë dhe iu drejtuar Aliut duke i thënë: “Zgjoje atë në mënyrë që të marrë abdes”.
Aliu e zgjoi personin në fjalë dhe më pas iu drejtua Profetit (a.s.) duke i thënë: “O i dërguari i Zotit, ti je i pari në punët e mira, përse atëherë nuk e zgjove ti vetë atë?”
Profeti iu përgjigj: “Sepse refuzimi i tij ndaj teje (d.m.th. refuzimi i kërkesës tënde që ai të zgjohej) nuk përbën kufër, prandaj unë veprova në këtë mënyrë nga droja se mos ai kryente krim (d.m.th. mosbindje, kufër) nëse do të kishte refuzuar kërkesën time”.
Pra, si kundërshtimi i vetëdijshëm i Profetit (a.s.) ashtu edhe kundërshtimi i Zotit konsiderohen kufër dhe natyra njerëzore është e dobët, prandaj edhe Profeti dërgoi Aliun që ta zgjonte sahabin në fjalë, sepse i frikësohej ndonjë reagimi refuzues të tij si pasojë e gjendjes së përgjumjes.
Në të njëjtën mënyrë edhe Zoti duke e njohur më së miri natyrën njerëzore e ka fshehur natën e Kadrit në mënyrë që besimtari të mos e refuzojë atë si pasojë e dobësisë së nefsit apo vesveseve të shejtanit.
Së pesti, fshehja e natës së Kadrit shërben, gjithashtu, si një nxitje për besimtarin që të mendojë mirë për agjërimin e tij dhe të mos pezmatohet. Nëse nata e Kadrit do të ishte e ditur dhe besimtari do të kishte dështuar në përmbushjen e saj ashtu siç duhej, atëherë ai do të pezmatohej në ditët në vijim dhe do të mendonte se agjërimi i tij nuk ishte i pranuar tek Zoti.
Fshehja e natës së Kadrit i jep mundësi besimtarit që të jetë optimist për agjërimin e tij, që të mos e humbë shpresën dhe që të ketë mundësi që të rekuperojë një herë tjetër natën që e ka humbur duke mos iu kushtuar adhurimeve të Zotit.
Ndonëse arsyeja e vërtetë e fshehjes së natës së Kadrit mbetet në fund të fundit një çështje që i përket vetëm Zotit, gjithsesi besimtarët janë të urdhëruar që të përpiqen të zbulojnë urtësitë e Zotit dhe të meditojnë për kuptimin e tyre.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit