-1.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Çfarë u bisedua në takimin e fundit Thaçi- Daçiq

Më të lexuarat

Në Bruksel përfundoi takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiç, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Takimi që kishte filluar rreth orës 20 përfundoi pas orës një pas mesnate dhe gjatë tij thuhet se janë diskutuar çështje që kanë të bëjnë me veriun e Kosovës.

Shefja e Politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton, e cila ndërmjetëson bisedimet tha nëpërmjet një komunikate për opinion se “diskutimet ishin të gjata dhe konstruktive”. Ajo tha se janë dakorduar që të takohen sërish në muajin shkurt.

Në komunikatë thuhet se të dy kryeministrat kanë arritur një marrëveshje për pagesën dhe mbledhjen e taksave doganorë në katër vendkalimet kufitare ku tashmë po zbatohet marrëveshja për menaxhimin e përbashkët të kufirit.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaci, tha menjëherë pas takimit se është arritur marrëveshja përfundimtare për doganat dhe tash e tutje ato do të paguhen njësoj në të gjitha vendkalimet kufitare.

Kryeministri serb Ivica Daçiç tha se paratë e mbledhura nga doganat në veri do të derdhen në një fond që do të themelohet nga Bashkimi Evropian dhe ato do të shfrytëzohen vetëm për veriun e Kosovës.

Kryeministri Thaçi tha po ashtu se pala serbe ka marrë përsipër që të punojë për mënjanimin e strukturave paralele në veriun e Kosovës.

Ndërkaq, kryeministri serb tha se “për herë të parë seriozisht është hapur çështja e paralelizmit të institucioneve dhe qasjes së posaçme ndaj popullit serb që jeton në Kosovë. Kjo është çështje thelbësore që nuk mund të zgjidhet për një natë, por rruga është hapur”. Sipas tij zgjidhja qëndron në formimin e institucioneve të reja në veri që do të ishin të pranueshme edhe për Prishtinën edhe për serbët e Kosovës.

 


 

Gjatë ditës së sotme në Bruksel filloi raundi i katërt i dialogut në nivel të lartë politik në mes të Kosovës dhe Serbisë, me takimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq.

Edhe kësaj radhe takimi zhvillohet në ndërtesën e shërbimit të jashtëm diplomatik të BE-së, saktësisht në zyrën e baroneshës Catherine Ashton, përfaqësuese e lartë e BE-së për politikë të jashtme për siguri, e cila edhe është ndërmjetësuese në këtë dialog.

Sot në selinë e BE-së në Bruksel kanë konfirmuar edhe një herë se çështja e veriut do të jetë njëra ndër temat kryesore të këtij raundi të dialogut.

Të pyetur në lidhje me platformën apo rezolutën që ka Serbia për Kosovën, zyrtarët e BE-së kanë përsëritur që nuk dëshirojnë komentojnë.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Catherine Ashtonit, ka thënë se për Bashkimin Evropian me rëndësi është të merren konkluzat e ministrave të BE-së nga dhjetori, të cilat, sipas saj, shpjegojnë se kah duhet të shkojë zgjidhja për veriun e Kosovës.

Sot gjatë ditës, kryeministri Thaçi së pari u takua në një takim bilateral me baroneshën Ashton, pastaj përfaqësuesja e lartë pati takim të veçantë edhe me kryeministrin e Serbisë, në mënyrë që të pasohet me darkën e punës.

Përpos veriut të Kosovës, temat e diskutimeve thuhet të jenë edhe zbatimi i deritashëm i Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, më saktësisht zgjidhja për mënyrën e mbledhjes të të ardhurave nga dogana, pastaj edhe Telekomi dhe energjia.

Ditëve të kaluara ka pasur takime në nivel të grupeve punuese, kështu që nuk përjashtohet mundësia, siç thonë në BE, që të arrihet marrëveshje edhe në këto drejtime.

Sa i përket Bashkimit Evropian, zyrtarët e BE-së përsërisin se presin që të dyja palët, si Prishtina, po ashtu edhe Beogradi, të vazhdojnë të jenë të përkushtuar në dialog, dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe serioze, që të shfrytëzohen muajt në vijim, për të arritur përparim të mëtejmë në këtë dialog.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit