1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Çfarë po ndodh në Turqi?

Më të lexuarat

Dr. Shefqet KRASNIQI

Protestat, që filluan vikendin e javës që lamë pas, dolën të ishin më shumë se një revoltë qytetare kundër një projekti qeveritar për ndërtimin e një qendre të madhe tregtare në Stamboll. U tha se ishte një pakënaqësi e qytetarëve kundër qeverisë që kinse po ua zvogëluaka gjithnjë e më shumë hapësirën e gjelbëruar, por, jo vetëm nga vazhdimi i protestës por edhe nga forma e ushtrimit të saj dhe tendencës për përhapje të saj në të gjithë vendin u kuptua se Sheshi Taksim ishte vetëm pretekst.

Protesta evoluoi nga një pakënaqësi kundër një projekti qeveritar në pakënaqësi kundër tërë qeverisë. Thënë të drejtën, jo çdo ditë, por çdo orë e zhvillimit të protestës zbulonte gjithnjë e më shumë të vërtetën që qëndronte prapa saj. Protestuesit nuk kursyen as xhamitë. Protesta eskaloi. Ajo u shndërrua në dhunë. Motoja e tyre për ta ruajtur ambientin e gjelbër u zhduk.

Por, nuk është kjo gjëja e vetme që u zbulua. E vërtetë, protestuesit me djegien e veturave, me demolimin e lokaleve, me përdhosjen e xhamive, me shkatërrimin e pronave publike, me shishet e birrave në duar dëshmuan se janë shkatarraqët e vërtetë. Por, krahas kësaj, u vërtetua se ata nuk janë tjetër vetëm se mjet. Populli i gjorë nuk e kanë idenë se çfarë po ndodh. Për të vërtetuar atë që Kryeministri Erdogan thotë se prapa kësaj qëndrojnë të tjerë, do të doja që këtë çështje ta shtjelloj me lexuesit si një diskutim virtual. Do të doja të pyesja:

1) Përse mllefi ndaj një projekti qeveritar u shndërrua në protestë kundër tërë qeverisë?

2) Çfarë simbolizojnë shishet e birrave në duart e protestuesve?

3) A është motiv i protestave gjendja e rëndë ekonomike?

4) Përse nuk respektohen parimet demokratike: Zgjedhjet si mjet i ndërrimit të pushtetit?

Unë kam përgjigjet, të cilat me kënaqësi do t’ua thosha, por në vend të kësaj dua që t’ua përkujtoj disa gjëra, të cilat do të doja t’i kini në konsideratë shumë para se të nxitoni me përgjigjet tuaja.

Turqia është një ndër vendet e vetme, që për një dekadë ka arritur ta përmbysë mjerimin ekonomik dhe shoqëror, duke bërë jo vetëm që vendi të lulëzojë ekonomikisht, por edhe të merret si model se si, në kohën kur ekonomi të mëdha botërore zhyten në recensione, ajo shënon rritje të sigurt dhe sistematike. Sipas parashikimeve të bëra për vitin 2013, rritja ekonomike do të jetë hiç më pak se 4%, ndërsa për vitet 2014-2015 është parashikuar të bëhet në 4.5%, respektivisht 5%.

Turqia, nën administrimin e AKP-së, ka arritur që, përkundër dyerve hermetike të Evropës, të hap dyer në tërë botën. Turqia është e pranishme kudo në botë. Ajo ka shënuar edhe përparime në fushën e të drejtave. Mbulesa e diskutuar për dekada, ka arritur më në fund të njihet si e drejtë. Është luftuar maksimalisht kundër dukurive devijante. Turqia ka arritur që të zgjidhë edhe një problem që për dekada ka ngulfatur vendin. Konfliktit me kurdët i është dhënë fund dhe shumë shpejt pritet edhe finalizimi i marrëveshjes.

Turqia nuk është ndalur vetëm me zhvillimin e brendshëm. Ajo ka luajtur një rol të madh dhe vazhdon ta luajë edhe sot në Botën Islame në përgjithësi. Përkrahjet e saj për revolucionet çlirimtare kanë dhënë sinjalin se mbi të gjitha objektiv i kësaj qeverie në pushtet është humanizmi. Turqia, në vend të homoseksualëve, vëmendje i ka kushtuar familjes; në vend të shthurjes, vëmendje i ka kushtuar nderit; në vend të dhunës, vëmendje i ka kushtuar shërbimit. Si mund ta quajnë diktator njeriun që me modestinë e tij arriti ta mahnit botën?!

Natyrisht, përparimet e bëra dhe progresi i shënuar nuk kanë qenë lajm i mirë për partitë sekulare, për shkak se, në një farë forme, ato kanë reflektuar edhe dobësinë dhe dështimin e tyre politik, ekonomik dhe shoqëror. Sekularistët, jo vetëm që rrënuan superfuqinë botërore, porse nuk u ndalën ta luftojnë identitetin më të theksuar të Turqisë, derisa përfundimisht e dobësuan atë duke e bërë një ndër shtetet më të varfra, më të korruptuara dhe më agresive e diktatoriale në botë. Ardhja e islamistëve në pushtet ia ndërroi kahjen Turqisë, fitoi simpatinë e qytetarëve të saj e më pas edhe të tërë botës së civilizuar. Sot Turqia merret shembull për përparimin dhe menaxhimin e suksesshëm. Në kohën kur ekonomitë më të mëdha botërore po zhyteshin thellë në recension, Turqia po shënonte rritje sistematike të ekonomisë. Këtë gjë e kanë dëshmuar edhe perëndimorët.

Portali gazetaexpress.com publikoi një shkrim nga The Economist ku, ndër tjera, për partinë në pushtetin dhe politikën e saj u thanë këto fjalë: “Një dekadë e pushtetit të PZHD ka sjellë prosperitet të paprecedent. Të ardhurat për frymë janë trefishuar, eksportet janë rritur me pothuajse dhjetëfish dhe bankat turke gëzojnë shëndet të plotë. Nisma guximtare e Erdoganit për t’u dhënë fund dekadave të konfliktit me kurdët po ecën përpara. Partitë e opozitës (përjashto kurdët) mbeten të dobëta dhe të përçara.”

Revoltimi i laikëve në Turqi nuk ndryshon shumë nga ajo që po vazhdojmë ta shohim në botën arabe, me theks të veçantë në Egjipt dhe Tunizi, ku, për shkak të etjes së madhe për pushtet, ata destabilizojnë shtetin dhe dëmtojnë rëndë interesin shoqëror.

Për fund, nuk do të doja të keqkuptohem sikur jam kundër protestave, që në sistemin demokratik janë formë e shprehjes së pakënaqësisë, jo, unë jam vetëm kundër atyre që dhunojnë të drejtat, porse në rastin e protestuesve turq e vërteta nuk qëndronte në anën e tyre. Ndërrimi i pushtetit në një vend demokratik bëhet me votë, por, siç duket, ata kanë frikë votën, ngase, sipas disa anketave, sikur të organizoheshin zgjedhjet tani, AKP-ja do të merrte hiç më pak se 50.3% të votave të përgjithshme.

Zoti i ruajt të gjithë ata që mundohen për të mirën e shoqërisë dhe mbarë njerëzimit.

Mirë u takofshim javën e ardhme!

Deri atëherë, selam alejkum!/krenaria/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit