Gruas me menstruacione dhe lehonë i ndalohen të gjitha veprat që i ndalohen xhunubit:
1- Falja e namazit dhe nuk obligohet ta kompensojë atë1.
2- Agjërimi.
I ndalohet agjërimi, të cilin e kompenson kur të pastrohet. Muadhi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Pyeta Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të) përse gruaja me menstruacione kompenson agjërimin e nuk e kompenson namazin, e ajo më tha: “Ndodhte kjo me ne në kohën e Resulullahut salallahu alejhi ue selem e na urdhëronte që të kompensonim vetëm agjërimin, por jo edhe namazin.”2
3- Tavafi rreth Qabes
Transmetohet se gjatë kohës së haxhit Muhamedi alejhi selam hyri tek Aishja, e cila po qante dhe e pyeti: “A je me menstruacione?” Ajo tha: “Po”. I Dërguari alejhi selam i tha: “Vërtet kjo është një gjë që Allahu ia ka përcaktuar bijave të Ademit (femrave). Ti vepro gjithçka që bën haxhiu, përveç tavafit rreth Qabes, derisa të pastrohesh.”
4- Hyrja në xhami
Qoftë vetëm për ta kaluar, edhe nëse nuk është për qëllim qëndrimi. Ky është mendimi i hanefive dhe i malikive dhe këtë e bëjnë duke bërë analogji me ajetin që e ndalon xhunubin të hyjë në xhami, por janë më rigorozë dhe nuk lejojnë as të kalojë, derisa kjo i lejohet xhunubit, për arsye se është e mundur që t`i pikojë ndonjë ndyrësirë asaj në atë periudhë. Kurse hanbelitë dhe shafitë lejojnë që ajo të kalojë sikurse xhunubi.
Disa nga ulematë e mëvonshëm kanë lejuar qëndrimin e femrës në xhami, nëse kjo është e domosdoshme ose e nevojshme, sikurse dëgjimi i ndonjë ligjërate apo diç të ngjashme. Por më e sakta është që në këtë të jemi më rigorozë, posaçërisht që të kuptohet vlera dhe nderimi i xhamive. Vërtetohet se kur në namazin e Bajramit, Muhamedi salallahu alejhi ue selem urdhëroi të dalin në vendfalje të gjithë, edhe gratë që ishin me menstruacione, tregohet se ai urdhëroi që të largohen nga vendfalja gratë me hajz. Prandaj, nëse është e mundur ta dëgjojë ligjëratën gruaja nga jashtë, le të qëndrojë aty e të mos hyjë brenda, pasi kjo është më e drejtë dhe më e sigurt.
5- Prekja e mus`hafit
Ky është qëndrimi i katër imamëve të nderuar dhe aludon për respektin dhe nderimin e fjalës së Allahut. Por nëse prekja është e domosdoshme, atëherë le të bëhet me ndonjë leckë ose me doreza.
6- Leximi i Kuranit
Mendimi i shumicës së fukahave është se gruas i është e ndaluar të lexojë Kuran në periudhën e menstruacioneve dhe të lehonisë. Por pasi në disa raste kjo ndalesë mund t’i shkaktojë dëm besimtares dhe privim nga disa të mira, pastaj edhe nuk ka ndonjë argument të prerë që do ta ndalonte këtë veprim, në disa raste specifike si përgatitja për provim të Kuranit, në rast të sëmundjes, frikës, etj., lejohet leximi i Kuranit. Kësaj problematike i kemi kushtuar një temë të posaçme, prandaj ata që dëshirojnë të dinë më gjerësisht mund të lexojnë këtu:
http://www.klubikulturor.com/fikh/2007/leximi_i_kuranit_nga_gruaja_lehone_dhe_me_menstruacione.htm
7 – Kontakti seksual
Allahu subhanehu ue teala thotë: “Të pyesin ty për menstruacionet (hajzin). Thuaj: “Ajo është gjendje e neveritur, andaj largohuni prej grave gjatë menstruacioneve dhe mos iu afroni atyre (për marrëdhënie) derisa të pastrohen. E kur të pastrohen, atëherë afrohuni atyre ashtu siç u ka lejuar Allahu. Allahu i do ata që pendohen dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme.”3
Resulullahu salallahu alejhi ue selem thotë: “Bëni çdo gjë, përveç kontaktit seksual.”4
Dispozitat e sheriatit për atë që kryen aktin seksual me gruan e cila është me menstruacione
Imam Neveviu, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Nëse ndonjë musliman beson se kryerja e aktit seksual me gruan që është me menstruacione është e lejuar, del prej feje dhe bëhet renegat – murted. Ndërsa nëse dikush prej muslimanëve e kryen këtë vepër duke mos besuar se është e lejuar, e bën këtë nga harresa apo nuk e di se gruaja e tij është me menstruacione dhe nuk e di se kjo punë është e ndaluar ose detyrohet – atëherë nuk ka mëkat e as që duhet të japë shpagim (kefaret). E nëse e kryen aktin seksual me gruan që është me menstruacione me qëllim, duke ditur se është haram kjo punë, atëherë ka bërë mëkat të madh, duhet të pendohet. Kurse sa i përket shpagimit, ka dy mendime.5Kurse mendimi më i vërtetë është se këtij njeriu i bëhet obligim shpagimi, duke u bazuar për këtë në hadithin e Ibn Abbasit, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili tregon se atij që ka pasur kontakt seksual me gruan e tij, e cila ka qenë me menstruacione, Resulullahu salallahu alejhi ue selem i ka thënë: “Jepni shpagim një dinar ose gjysmë dinari.”6
“Në këtë hadith janë dhënë dy shuma për shpagim (1 din dhe 1/2 din), që domethënë se nëse kontakti seksual me gruan që është me menstruacione kryhet në fillim të menstruacioneve, duhet dhënë një dinar. E, nëse është në fund të menstruacioneve, duhet dhënë gjysmë dinari.” Kështu ka thënë Ibn Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur me të.7
Alaudin Abazi
1.2.2008
1 Më poshtë do të sillet argumenti.
2 Shënon Buhariu dhe Muslimi.
3 El-Bekare: 222