Ditën e sotme ka spikatur deklarata e deputetit socialist, Ilir Beqja, që në mbledhjen e radhës në Komisionin e Medias, ka propozuar që përveç taksës mujore për Radio Televizionin Publik Shqiptar, qytetarët duhet të paguajnë dhe një taksë të re “taksa e aparatit televiziv”
Beqja sqaroi se kjo taksë do të paguhet për çdo televizor në shtëpi, zyrë, hotel, bar-kafe etj.
“Mesa di unë, ajo nuk është taksë për shërbimin, por është taksë për aparatin televiziv kur është vendosur. Pa dashur të futem në emra të përveçëm, një hotel me 40 dhoma duhet të paguajë 40 herë taksë sepse ka 40 aparate televizive. Një pikë bastesh sportive duhet të paguajë 20 taksa se ka 20 aparate televizive.”, ka thënë Ilir Beqaj.
Deklarata e ish-ministrit të Shëndetësisë, i akuzuar jo pak herë për përfitime nga kontratat koncesionare të Check-upit, ngjalli reagimin e menjëhershëm të socialistit Fidel Ylli, por duket se propozimi nuk ka qenë një lajthitje.
Gentian Sala, kreu i AMA-së, është hedhur menjëherë në mbrojtje të deputetit, dhe mes krahasimeve me taksat në vendet e rajonit, Sala tha se nëse qytetarët do paguajnë taksën e propozuar nga deputeti Ilir Beqja, atëherë cilësia e 12 kanaleve do jetë më e mirë.
“Të mbash 12 kanale me të njëjtin buxhet dhe të jenë cilësore, kjo nuk është e mundur. Pasi mund të them që taksa në Shqipëri është 8.7 euro. Nuk ka vend që e ka poshtë 17 eurove. Mali Zi e ka taksën 17 euro, Maqedonia 37 euro, Serbia e ka taksën 30. Nëse duhet të kemi një operator publik të shëndetshëm, nuk e mbulon dot me atë buxhet”, u shpreh Salaj.
Duket se gjërat nuk janë dhe aq të thjeshta sa përpiqet ish-ministri të na i tregojë…
Kush qëndron pas këtij propozimi?
Pak ditë më parë, shumë media raportuan një takim të fshehtë të Kryeministrit Edi Rama me pronarët kryesorë të mediave kombëtare në vend.
Qëllimi u përfol se ishte shkrirja e Radio Televizionit Kombëtar, duke u propozuar që paratë që shteti i jep RTSH-së t’i jepen mediave private.
Deklarata e deputetit socialist Ilir Beqja, vjen si një sinjal se ajo çka u tha në media nuk qëndron vetëm si ‘thashethem”.
Duket se kemi të bëjmë me një loje të pastër interesash, ku televizionet më të mëdha private po lobojnë fort pranë qeverisë për të marrë pjesën e tyre në “tortën e taksave” që çdo muaj u grumbullohen shqiptarëve.