1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Çfarë është metrologjia, që pak e njohin, por shumë abuzojnë!

Më të lexuarat

Metrologjia është shkenca e matjeve. Pavarësisht se në dukje është pak e rëndësishme për këdo nga ne dhe pavarësisht se si prezantohet kjo shkencë dhe rëndësia e saj tek publiku i gjerë, të gjithë ne jemi direkt të prekur dhe të përfshirë në arritjet e kësaj shkence dhe sidomos në zbatimin dhe implementimin e saj nga institucionet përkatëse shtetërore.

Metrologjia lidhet direkt me ekonominë e çdo vendi dhe sigurisht është e lidhur ngushtë me jetesën e përditshme të çdo njeriu. Ne marrim vendime të bazuara në rezultatet e matjeve, si p.sh. kur shkelim pedalin e gazit të makinës dhe makina është me shpejtësi përtej limitit, ne shpresojmë se prodhuesi i ka matur dhe ka koordinuar mirë presionin që ushtrojmë ne me energjinë e prodhuar, drejtimin apo frenimin e makinës. Në fushën e mjekësisë, kur ne konsumojmë ushqime të ëmbla dhe matim nivelin e sheqerit në gjak, si dhe çdo matje tjetër si tensioni i gjakut, sasia e medikamenteve që përdorim. Pra flasim për matje të cilat janë të rëndësishme për jetën dhe shëndetin. Në këto raste, ne jemi të bindur dhe shpresojmë se matim saktësisht parametrat e mësipërm, se përdorim dozën e duhur të medikamenteve por jo vetëm ato.

Gjithçka që ne blejmë është e llogaritur prej matjeve. Një aparat që nuk mat saktë energjinë elektrike apo ujin e pijshëm që ne konsumojmë në shtëpitë tona sjell pagesë më të madhe nga ajo që duhet të paguajmë në realitet, dhe kjo vlen edhe për aparatet celularë. Nga një aparat matës i pasaktë ne shpenzojmë më shumë para për karburantin si përdorues automjetesh apo gazin për përdorim shtëpiak. I njëjti arsyetim vlen për ushqimet e përditshme të secilit prej nesh. Nëse prodhuesit apo tregtarët e ndryshëm të produkteve që ne konsumojmë nuk përdorin masa të sakta, ne shpenzojmë më shumë para për të plotësuar nevojat tona. Gjithashtu i njëjti parim vlen edhe për produktet e papaketuara, ku ai që i tregton, bazohet në matës peshe, volumi, gjatësie, mase, presion etj., të cilat me ose pa dashjen e tij, matin gabim. Këtu përfshihet, por pa u limituar vetëm në to, buka, mishi, fruta-perimet etj.

I njëjti problem është i ndërsjellë edhe ndërmjet tregtarëve të cilët blejnë lëndën e parë apo çdo tjetër nga tregtarë të tjerë dhe në këtë rast, ata bëhen njëkohësisht subjekt dhe objekt i matjeve të pasakta. Që këtu fillon zinxhiri i gabimeve në matje, ku çdo tregtar do të bazohet mbi atë që blen dhe me apo pa dashje kjo transformohet në vjedhje për konsumatorin final.

Lista e rasteve kur duhet të përdoren matës të saktë është shumë e gjatë, por këto ishin momentet kryesore ku secili prej nesh është i prekur, në një formë apo në një tjetër, ku të gjithë jemi vulnerabël ndaj ndërgjegjes së tregtarit që kemi përballë dhe ku të gjithë shpresojmë të mos na vjedhin. Por për fat të keq, realiteti në Shqipëri është ndryshe.

Për fat të keq rëndom ndodh që po të peshosh bukën, mishin dhe produktet e shportës që ne blejmë përditë, do të rezultojë që ka diferencë ndërmjet asaj që më lart e quajtëm peshë apo sasi nominale me peshën apo sasinë e vërtetë. Jo në pak raste, nëse mbush një enë të caktuar me karburant në disa pika shitje të tilla në Shqipëri, po ta matësh me matës të saktë rezulton se ke blerë më pak seç ke paguar. Jo në pak raste të tjera edhe me sy të lirë dallohet ndryshimi në sasi i një produkti të parapaketuar me një produkt tjetër të të njëjtit lloj.

Struktura përkatëse që pasqyron vullnetin e shtetit dhe që duhet të zbatojë legjislacionin në fuqi në vendin tonë është Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë dhe strukturat vartëse të saj.

Në çdo rast të konstatimit të rasteve të tilla si më lart, në çdo rast kur qytetarët vidhen, që për fat të keq shpeshherë me dijeni por që nuk kanë zgjidhje tjetër dhe në çdo rast kur problematika të tilla janë ngritur në media, jemi përballë një performance të dobët të strukturave të metrologjisë shqiptare, të drejtuesve të saj apo personave përgjegjës.

Në disa raste, drejtues të përfaqësive të huaja në Shqipëri kanë ngritur zërin për këtë unifikim dhe rëndësinë e tij, por për fat të keq ne jemi në të njëjtin vend dhe vetëm teorikisht u kemi dhënë të drejtë dhe kemi premtuar që do ta realizojmë shumë shpejt, por kjo lloj shpejtësie duket shumë e ngadaltë. Është lehtësisht e kuptueshme dëmi që i sjell ekonomisë shqiptare performanca e dobët e metrologjisë shqiptare.

Në mënyrë që të përmbushë këtë mision të rëndësishëm, metrologjia, drejtues dhe përfaqësues të saj duhet së pari të kenë dëshirën e mirë, vullnetin për t’u përballur dhe për të ndryshuar realitetin që na rrethon si dhe duhet të mbledhin rreth vetes personelin e përshtatshëm, ekspertë të specializuar të fushës së metrologjisë. Sigurisht, përballja me sistemin universitar bëhet e mundur vetëm nëse personat drejtues kanë kualifikim të thelluar shkencor në këtë fushë.

Për fat të keq, burimet njerëzore të këtij institucioni lënë për të dëshiruar. Nuk është profesionale që në vend të specialistëve të fushës, të gjesh personel me arsimimin jo përkatës si p.sh ekonomik, histori, gjeografi etj., kur sipas ligjit duhet të jenë inxhinierë në degët mekanike, elektrike, ndërtim, matematikë, fizikë etj. Kam shumë respekt për profesionet e tjera, por problemi është se nuk mund të ushtrojnë funksionet specifike pa arsimimin përkatës.

Nëse do të ballafaqojmë performancën e këtij institucioni me legjislacionin përkatës do të vëmë re mangësi të ndryshme që fillojnë që nga mosvënia në dispozicion të publikut të rezultateve të matjeve apo mungesa e një baze të dhënash për të gjitha pajisjet matëse ligjërisht të kontrolluara.

Më pas vihet re performancë e dobët në lidhje me metrologjinë ligjore, ku përfshihen, por pa u limituar në to, kujdesi shëndetësor për verifikimin dhe kalibrimin e aparateve dhe pajisjeve mjekësore, si p.sh. aparaturat me lazer dhe ultratinguj, aparatet optike, termometri i blerë në farmaci etj. Kaq të rëndësishme për jetën dhe shëndetin e secilit nga ne.

Pajisjet e rendit dhe sigurisë publike, radarët e matjes së shpejtësisë apo analizuesit e pranisë së alkoolit që përdor qarkullimi rrugor, një pjesë e tyre duhet të dalin jashtë përdorimit, pasi matin gabimisht. Policia ka një numër të vogël të radarëve profesionalë, por që janë të pakalibruar. Gabimi i këtyre radarëve ndikon direkt në dënimin e një qytetari të pafajshëm, si edhe mosdënimin e një autori të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor.

Gjendja e metrologjisë shqiptare, për fat të keq ka probleme të ndryshme. Këtu përmendëm disa që janë më të ndjeshme direkt për konsumatorin final, për qytetarin e thjeshtë. Megjithatë problemet e këtij sektori shtrihen më gjerë.

Kreshnik HAKRAMA

*Doktorant në shkencën e metrologjisë

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit