2.2 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

ÇFARË ËSHTË MËKATI I ATIJ TEK I CILI NUK KA ARRITUR KUR’ANI?

Më të lexuarat

ÇFARË ËSHTË MËKATI I ATIJ
TEK I CILI NUK KA ARRITUR
KUR’ANI?

Pas një të menduari të gjatë miku ynë, vazhdoi duke e theksuar çdo fjalë të pyetjes së re:
Mirë! – Çfarë është mendimi juaj për njeriun deri te i cili nuk ka arritur Kur’ani as ndonjë libër tjetër i Shpalljes së Zotit, as që i ka ardhur I dërguar i Zotit? Çfarë është mëkati i tij? Ç’do të ndodhë me të në Ditën e dhënies së llogarisë, për të cilën ju flitni?
I thashë atij:
Së pari më lejo të japë shenjë në supozimin e gabuar të pyetjes sate. Zoti xhel-le shanuhu qartë thotë se askujt nuk ia ka ndaluar Mëshirën e Tij, Shpalljen e Tij, Fjalët e Tij dhe Ajetet e Tij:
“Dhe nuk ka pasur popull të cilit nuk i ka ardhur ai i cili ka qortuar (tërhequr vërejtjen).” (El-Fâtir, 24).
“Ne mesiguri çdo populli i kemi dërguar nga një Të dërguar.” (En-Nahl, 36).

Pejgamberët e përmendur në Kur’an nuk janë Të dërguarit e vetëm të Zotit. Përveç tyre ka pasur me mijëra të tjerë për të cilët nuk dimë asgjë. Zoti xhel-le shanuhu për këtë i thotë Muhammedit (a.s.):
“… Për disa prej tyre të kemi rrëfyer e për disa nuk të kemi rrëfyer.” (El Mu’minûn, 78).

All-llahu frymëzon çdo gjë, madje edhe bletën:

“Zoti yt e ka frymëzuar bletën: Bëni vetes shtëpi nëpër male dhe lisa dhe në ato që njerëzit i ndërtojnë.” (En-Nahl, 68).

Nganjëherë Shpallja vjen në formë të librit të cilin e sjell Xhibrili, nganjëherë në formë të dritës e cila penetron në zemrën e njeriut, nganjëherë në formë “të të hapurit” të kraharorit për të vërtetën, nganjëherë në formë të urtësisë, të të kuptuarit dhe të vërtetës, kurse nganjëherë në formë të nënshtrimit, frikës dhe frikërespektit.
Çdonjëri që nuk tregohet i shurdhër ndaj Shpalljes, pavarësisht nga mënyra me të cilën ajo arriti tek ai, do të shpërblehet nga Zoti xhel-le shanuhu. Sa u përket atyre të cilët nuk duan të dëgjojnë dhe me zemër të ndiejnë, atyre s’u ndihmojnë as librat as pejgamberët sadoqoftë që të jenë.
All-llahu thotë se mëshirën ia ndanë kujt të dojë dhe për këtë askujt nuk i përgjigjet.
Nganjëherë Zoti, nga mençuria që vetëm Ai e di, e dënon dikë, kurse dikë e falë, duke e pranuar besimin e tij më të dobët. Kush prej nesh di mbase vetëm një shikim i njeriut më të rëndomtë i drejtuar me respekt dhe frikë te Zoti, është shpëtues dhe më i pranuar se falja jonë.
Studimi më i ri i formave primitive të religjiozitetit të bashkësive më të vjetra njerëzore, tregon se edhe ato kanë pasur Të dërguar dhe libra qiellorë sikur libri ynë.
Në fisin Mau-Bau është zbuluar besimi në një zot, të cilin ata e quajnë “Mugaj” dhe të cilin e përshkruajnë se është një, nuk ka lindur as që është i lindur, askush s’është i barabartë as i ngjashëm me Të, se nuk shihet dhe se nuk mund të kuptohet, përveç nëpërmjet veprave dhe krijimeve të Tij, se Ai është Krijues, Furnizues, i Mëshirshëm, Dhurues, i shëron të sëmurët, i ndihmon fatkeqët, jep shiun, i pranon lutjet. Për rrufenë thonë se është thika e Tij, kurse bubullima është trokëllima e këmbëve të Tij. A nuk është ky Mugaji sikur edhe Zoti ynë? Prej nga këtyre kjo dije përveç nëse në historinë e tyre nuk ka qenë I dërguari dhe transmetuesi i asaj që i është shpallur, dhe se koha me këtë mësim ka bërë ndryshimin.

Në fisin Nijam-Nijam gjejmë gjithashtu besimin në një zot, të cilin e quajnë “Mubil”. Në pyellin virgjër, siç besojnë ata, çdo gjë lëviz sipas vullnetit të Tij. Ai me rrufe i gjuan njerëzit e këqij, ndërsa të mirët i shpërblen me furnizim, bekim dhe sigurim.
Në fisin Shejlak besojnë në një zot të cilin e quajnë “Xhok”, ndërsa e përshkruajnë se fshehet dhe paraqitet, se është në qiell dhe në çdo vend. Ai është krijuesi i çdo gjëje.
Në fisin Denka besojnë në një zot me emrin “Nijalok”. Kjo fjalë do të thotë: Ai i cili është në qiell, i cili është më i larti.

Si t’i quajmë të gjitha këto besime, a mund të themi për to se janë diç tjetër përveç vetë Islami?
A mos janë këto diç tjetër pos Shpalljes të cilën e kanë transmetuar të dërguarit nga këta popuj gjatë historisë së tyre?

Feja është një:
“Mesiguri ata që kanë besuar, e edhe ata që kanë qenë hebrenj, të krishterë ose sabejë – ata që i kanë besuar All-llahut dhe botës tjetër dhe kanë bërë vepra të mira – vërtet i pret shpërblimi prej Krijuesit të tyre, për ata nuk ka as frikë as pikëllim.” (El-Bekare, 62).

Madje edhe sabejët, të cilët e kanë adhuruar Diellin si njërën prej shenjave të Zotit kurse të cilët kanë besuar në Një Zot, Ditën e gjykimit, ringjalljen, dhënien e llogarisë dhe kanë bërë vepra të mira, do të kenë shpërblim te Zoti xhel-le shanuhu.
Pikëpamjet e mëshirës së Zotit janë të ndryshme. Dikush lindet i verbër, derisa të tjerët linden me të pamur. Ata të cilët kanë jetuar në kohën e Musaut (a.s.) kanë parë me sytë e tyre se si ai me një goditje të shkopit të tij e çau detin. Bashkëkohësit e Isaut (a.s.) kanë qenë dëshmitarë se si ringjallë ai të vdekurin.

Sa na përket neve, ne për këto ndodhi dimë vetëm atë që e kemi dëgjuar, kurse të dëgjohet nuk është e njëjtë çka edhe të shihet, as që është i barabartë ai që sheh dhe ai që dëgjon. Përveç kësaj, besimi ose jobesimi nuk janë të kushtëzuar me mu’xhize.
Kokëfortët dhe mendjemëdhenjtë i kanë parë mu’xhizet e të dërguarve të tyre dhe se edhe më tepër kanë thënë se ato janë “gënjeshtra”.
Nuk ka dyshim se deri te miku ynë, doktori i shkencës, kanë ardhur që të tre librat qiellorë: Tevrati, Inxhili dhe Kur’ani, e ky i fundit në gjuhën e tij amtare, e me këtë vetëm shtohej ashpërsia me të cilën ai futej në këto polemika. Nga shkaqet dhe rrugët e vërteta në diskutimin autentik, miku iku në situatën e cila s’është e tij, duke pyetur për njeriun abstrakt të cilit nuk i ka ardhur I dërguar dhe deri te i cili nuk ka depërtuar Kur’ani as ndonjë libër tjetër qiellor, me qëllim që të gje jë jopërkryeshmërinë e drejtësisë hyjnore dhe mangësitë e saj.

Së këndejmi ai edhe pyet: Përse aspektet e Mëshirës Hyjnore janë të ndryshme? Përse Zoti dikujt i lejon t’i shohë shenjat e Tij kurse të tjerëve vetëm të dëgjojnë për to?
I përgjigjemi se kjo mbase nuk do të ishte mëshirë por dënim. A nuk u ka thënë All-llahu xhel-le shanuhu ithtarëve të Isaut (a.s.) të cilët kanë kërkuar t’ua dërgojë sofrën nga qielli:
“All-llahu tha: Unë do t’ua zbresë atë, por ai që e mohon edhe pas kësaj prej jush, atëherë unë do ta dënoj me një dënim me çfarë askënd në botë nuk do ta dënoj.” (El-Mâide, 115)

Kjo është kështu për arsye se për atë i cili pas pamjes së mu’xhizes nuk beson, dënimi ashpërsohet dhe rritet. Lum për atë kush besoi pamjen e mu’xhizes, kurse mjerë për atë kush e pa por nuk besoi! Kur’ani në duart tua është dëshmi dhe vërejtje, ndërsa në ditën e llogarisë do të jetë dënim
Mosekzistimi i dëshmisë së qartë për eskimezët e viseve polare, mund të jetë lirim, falje dhe mëshirë në Ditën e dhënies së llogarisë, njëlloj sikur që vetëm një shikim i tyre i mbushur me respekt dhe frikë të devotshme në një çast të jetës së tyre mund të jetë i mjaftueshëm që te Zoti të pranohen si besimtarë të sinqertë.
E pse Zoti xhel-le shanuhu është më i mëshirshëm ndaj dikujt, kjo i përket urtësisë së Tij:

“Ai ka ditur ç’ka në zemrat e tyre, andaj ka zbritur qetësi mbi ta, dhe do t’i shpërblejë me një fitore të afërt.” (El-Fet’h, 18)

Dija e Zotit mbi ne dhe zemrat tona zgjatë më tepër se fillimi ynë fizik në mitrat e nënave, kur shpirtrat tanë kanë qenë rreth Arshit, dhe se ndër ne ka asish të cilët janë mbuluar rreth dritës së Tij, ndërsa ka edhe asish të cilët janë larguar prej Tij, duke u kënaqur me ato me të cilat Ai i krijoi, dhe duke harruar në bukuritë e Krijuesit të Tij. Për këtë arsye edhe meritojnë shkallë më të ulët në Ditën e dhënies së llogarisë dhe më pas. Kështu flasin ata të cilët shohin.
Atë që ne e shohim gjatë jetës sonë të shkurtër në këtë botë nuk është e tëra. Vetëm I Gjithëdijshmi e di urtësinë e çdo dhembjeje dhe fatkeqësie. Çdo gjë që shohim e ka kuptimin e vet, por ne nuk mund ta kuptojmë domethënien dhe mençurinë e tërë ekzistuese, sepse kjo mundësi nuk i është dhënë askujt.
Ndoshta për këtë shkak edhe ekziston bota tjetër, dita në të cilën do të vihen kandarët e vërtetë dhe kur I Gjithëdijshmi do të na lajmërojë për ate për çka jemi ndarë.

Në fund, miku im, do të të qetësoj me fjalën kryesore të të vërtetës, në të cilën Zoti xhel-le shanuhu shprehimisht thotë:

“Dhe asnjë popull Ne nuk e kemi dënuar derisa nuk i kemi dërguar pejgamber.” (El-Isrâ, 15).

Do të më lejosh të të tregoj edhe për diçka shumë të çuditshme në pyetjen tënde. Në shikim të parë ajo zbulon keqardhjen tënde ndaj atij të cilin drita kur’anore ka mundur ta kalojë, mëshira dhe përudhja e Zotit. Kuptimi më i thellë i pyetjes zbulon mosbesimin tënd në Kur’an, mëshirën dhe përudhjen e Zotit. Kjo është me të vërtetë orvatje e mashtrimit dhe gënjimit. Sipas kësaj ajo bart kundërthënie evidente; del me dëshminë e cila për ty vetë nuk është kurrfarë dëshmie. A nuk po sheh se logjika të cilën po e përdorë kërkon korrigjime rrënjësore?

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit