-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Çfarë është Libra? Çdo gjë që duhet të dini rreth kriptomonedhës së Facebook

Më të lexuarat

Facebook ka njoftuar se do të lançojë një monedhë dixhitale të quajtur Libra e cila do të dalë në përdorim në vitin 2020 dhe do tu mundësojë të gjithë përdoruesve të platformës të bëjnë transaksione financiare përmes internetit.

Teknologjia e re kërcënon të ndryshojë traditën e transaksioneve bankare dhe tashmë është bërë subjekt i polemikave, pasi Facebook po përballet me akuza të privatësisë.

Lexo: Mark Zuckerberg: “Me Libra do të krijojmë një infrastrukturë financiare globale që fuqizon miliarda njerëz”

Kur mund të filloni ta përdorni monedhën e re dixhitale të Facebook-ut? Ja çfarë duhet të dini.

Çfarë është Libra?

Facebook thotë se Libra është një “monedhë globale dhe infrastrukturë financiare”. Me fjalë të tjera, është një pasuri dixhitale e ndërtuar nga Facebook e mundësuar nga një version i ri i blockchain, teknologji e koduar që përdoret nga bitcoin dhe monedhat tjera dixhitale.

Pse quhet Libra?

Emri Libra vjen nga njësia matëse e peshës në Romën e lashtë. Shkurtimi i njësisë matëse “pound” në “lb” vjen nga Libra dhe simboli “£” është një variacion i L-s në Libra.

Pse Facebook vendosi të lançonte një kriptomonedhë dhe a i lejohet ta bëjë këtë?

Facebook thotë se dëshiron që t’i mundësojë 1.7 miliardë përdoruesve në mbarë botën që nuk kanë akses në një llogari bankare të mund të kryejnë transaksione online.

Kompania me shumë gjasa do të përballet me pengesa të shumta nga autoritetet sidomos në një kohë kur ato po bëjnë thirrje për shkatërrimin e rrjetit social.

Menjëherë pas spekulimeve lidhur me projektin e ri financiar të Facebook, anëtarët e Senatit Amerikan i dërguan një letër Mark Zuckerberg-ut duke i kërkuar shpjegime për çështjen e privatësisë.

Kush e drejton Libra-n?

Kriptomonedha do të menaxhohet nga një grup i kompanive i quajtur “Shoqata Libra”. Funksionon si një monedhë e qëndrueshme “stablecoin” vlera e së cilës bazohet në asetet ekzistuese si dollari Amerikan apo Euro-ja, me qëllim që vlera e saj të mos jetë subjekt i paqëndrueshmërisë me të cilën po përballen kriptomonedhat e tjera.

Shoqata Libra përshkruhet nga Facebook si e pavarur dhe jofitimprurëse me seli në Zvicër. Ajo i shërben dy qëllimeve kryesore: të bëjë të vlefshme transaksionet në blockchain-in Libra dhe të financojë donacionet për çështjet sociale.

Shoqata Libra do të këtë një bord drejtues i quajtur Këshilli i Shoqatës Libra, i cili përbëhet nga përfaqësues të secilit prej anëtarëve të shoqatës dhe do të votojë çdo politikë drejtuese dhe vendimet operative.

Facebook pretendon që pavarësisht se ka krijuar Libra-n, kur monedha të lançohet në vitin 2020, kompania do të tërhiqet nga roli i udhëheqjes dhe të gjithë anëtarët e shoqatës do të kenë fuqi të barabartë votuese.

Kompanitë të cilat kanë kontribuar të paktën 10 milionë dollarë do të listohen si anëtarë themelues të Shoqatës Libra, siç janë PayPal, Ebay, Spotify, Uber, Lyft dhe firma financiare si Andreessen Horowitz, Thrive Capital, Visa dhe Mastercard.

Si do të duket Libra?

Facebook vendosi të mos hyjë në detaje sesi kriptomonedha do të jetë e disponueshme kur të debutojë, por prezenca e firmave tradicionale të pagesave në këtë projekt si Visa dhe Mastercard lë të kuptojë se Facebook do të jetë shumë i kënaqur që t’i lejojë përdoruesve të blejnë kriptomonedhën.

Por ekziston mundësia që Facebook të dhurojë falas sasi të vogla të kriptomonedhës në përpjekje për të ushqyer një ekosistem. Një gjë e tillë do të ketë një rol kyç nëse kompania do të përmbushë qëllimet e saj për tu ofruar njerëzve shërbimet financiare pa pasur nevojë të përdoret një llogari bankare.

Si mund ta përdor?

Kur kriptomonedha të lançohet, përdoruesit mund ta shkarkojnë Calibra-n, një portofol dixhital i cili bën të mundur dërgimin e kriptomonedhës tek secili që ka një telefon të mençur. Do të jetë e disponueshme në Messenger, WhatsApp dhe si aplikacion më vete.

Nuk dihet se në cilat vende të botës do të jetë fillimisht e disponueshme por Facebook tha se pothuajse kushdo në çdo cep të botës do të mund ta shkarkojë aplikacionin.

Çfarë mund të blini me të?

Përveç transaksioneve në aplikacion, Facebook dëshiron të lehtësojë edhe përdorimin e Libra-s për transaksione në baza ditore.

Uber dhe Lyft janë investitorët e parë në këtë projekt duke na lënë të kuptojmë se përdoruesit e këtyre shërbimeve do të mund t’i kryejnë pagesat përmes Libra-s.

A është e sigurt?

Ka disa shqetësime lidhur me aplikacionin financiar të Facebook. Kompania tha se do të implementojë teknologji të cilat do të parandalojnë pastrimin e parave dhe mashtrimet.

Gjithashtu Facebook thotë se do të ofrojë mbështetje në kohë reale për të ndihmuar ata që humbin aksesin e llogarive të tyre ose humbin paratë nga mashtrimet.

Për këtë çështje rrjeti social ka premtuar edhe rimbursim.

Kompania gjithashtu do të implementojë një program shpërblimesh për ata që gjejnë defekte në platformë.

Si do të bëjë Facebook para nga kjo?

Libra do të mbahet përmes një tarife të vogël për transaksionet në blockchain, tha Facebook. Shumica e këtyre tarifave do të transferohet tek kompanitë që lejojnë përdorimin e monedhës.

A do t’i shesë Facebook të dhënat e mia të kriptomonedhës tek kompanitë e reklamimit?

Facebook pretendon se do të mbajë transaksionet e Libra-s të veçuara nga profilet e reklamimit. Blockchain do tu mundësojë përdoruesve të krijojnë identitete të cilat nuk janë reale. Informacionet e llogarive dhe të dhënat financiare të konsumatorëve të Calibra nuk do të përdoren për të përmirësuar reklamimin në Facebook.

TheGuardian

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit