-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Çfarë e rrëzoi Mursin?

Më të lexuarat

Shekullarizmi i hershëm i shoqërisë egjiptiane

Thirrjet e hershme për ndryshimin e identitetit

Ushtria egjiptiane

Qemal Ataturku i dha fund kalifatit osman në Stamboll në vitin 1926, gjë e cila e zhyti në pikëllim botën islame. Një valë zemërate pllakosi çdo cep të saj.
Ulematë, ftuesit, organizmat dhe institucionet e ndryshme u vunë në lëvizje për tu përballur me atë që kishte ndodhur. Reshid Rida shkroi librin “Lidershipi i madh”, ndërkohë që disa ulema themeluan “Të rinjtë myslimanë” në Kajro, viti 1927. Hasan El-benna themeloi “Vëllezërit Myslimanë” në vitin 1928. Rikthimi i kalifatit dhe sheriatit islam u shndërrua në një qëllim në të gjitha territoret islame dhe ishte një nga objektivat kryesore për të cilat u themelua Vëllazëria Myslimane.
Vëllazëria Myslimane në Egjipt, arriti të marrë postin e presidentit të vendit, nëpërmjet dr Muhamed Mursi, pas zgjedhjeve të lira dhe demokratike që u zhvilluan në vend. Me 30 maj 2012, Muhamed Mursi u bë presidenti i Egjiptit.

Pyetja që lind është: Çfarë ndodhi? Përse u rrëzua nga posti i tij? Cilët ishin faktorët që i ndihmuan puçistët?
Numërohen disa faktorë të cilët ndihmuan në rrëzimin e Mursit nga presidenca e Egjiptit, ku ndër më të rëndësishmit janë:

Shekullarizimi i hershëm i shoqërisë egjiptiane
Shoqëria egjiptiane është përballur me shekullarizimin që në ditët e tij të para, që në shekullin e 19. Ismail Pasha, pati deklaruar nga mesi i shekullit 19, se Egjipti është një pjesë e Evropës. Me këtë, ai donte të thoshte se Egjipti duhet të ndjekë linjën perëndimore.

Taha Husejn, në fillim të shekullit të njëzetë, deklaroi se Egjipti duhet ta adaptojë civilizimin perëndimor, me të mirat dhe të këqijat e tij, nëse kërkon të bëhet një shtet i civilizuar dhe i zhvilluar. Thirrje të ngjashme patën lëshuar pothuaj të gjithë elitat vendase në Egjipt, si Ahmed Lutfi Sejjid, Islmail Madh’her, Muhamed Husejn Hejkel, Abas Mahmud Akkad i cili qe shumë i dhënë pas sistemit politik anglez, por dhe të tjerë.
Kërkesa më e spikatur e këtyre intelektualëve të ndikuar nga civilizimi perëndimor, ishte ndarja e fesë nga punët e shtetit, kufizimi i saj brenda objekteve të kultit dhe adaptimin e përvojës perëndimore, e cila e ka ndërtuar jetën e saj sociale, kulturore dhe ideologjike, larg fesë dhe ligjeve të saj.

Me revolucionin e vitit 1952, Naseri vendosi parimet socialiste dhe komuniste, të cilat jo vetëm që e ndajnë fenë nga politika, por e çrrënjosin fenë nga jeta e njerëzve dhe mbjellin dyshime në vlerat, parimet dhe bazat e saj.
Përpjekjet e gjata për shekullarizimin e shoqërisë egjiptiane, bënë që një pjesë e popullit të luhatet mes largimit të fesë nga politika dhe izolimit të saj në objektet e kultit dhe mes çrrënjosjes së saj nga mendjet e njerëzve, pasi nuk është gjë tjetër veçse mite dhe legjenda të pabaza. Por, vlen të dihet se shumica e popullit egjiptian, vazhdoi i kapur fort pas fesë, i besonte fuqishëm rolit të saj, mesazhit dhe domosdoshmërisë së aktivizimit të ligjeve të saj në të gjithë aspektet e jetës.
Zgjedhjet e lira dhe pluraliste që u zhvilluan pas revolucionit të 25 janarit 2011, për të zgjedhur përfaqësuesit e popullit në parlament, ato presidenciale më pas dhe referendumet për kushtetutën egjiptiane, treguan vërtetësinë e mësipërme, se: Shumica e popullit egjiptian vazhdon të qëndrojë në krah të islamit dhe se përpjekjet për shekullarizimin e tij, patën sukses vetëm tek një pakicë. Ndërkohë, shumica e shoqërisë egjiptiane, me gjithë përpjekjet për shekullarizimin e saj, mbeti e bindur se feja islame duhet të shtrihet në të gjitha sferat e jetës. Këtë e vërtetuan kutitë e votimit, të cilat e çuan Mursin në postin e presidentit.
Por, megjithëse pakicë, shtresa e shekullaristëve dominon skenën politike të vendit këto dy muajt e fundit, ajo ngriti flamurin për domosdoshmërinë e rrëzimit të Mursit dhe largimit të tij nga pushteti.

Thirrjet e hershme për ndryshim të identitetit
Që herët janë lëshuar thirrje për zhveshjen e Egjiptit nga identiteti i tij islam dhe arab, duke e konsideruar atë si një komb më vete, rrënjët e të cilit shtrihen tek Egjipti i lashtë faraonik. Tashmë vendi duhej të ndërgjegjësohej për këtë realitet të ri dhe marrëdhëniet me të tjerët ti bazonte pikërisht mbi të. Këto thirrje filluan të lëshoheshin që pas luftës së parë botërore dhe burimi i tyre ishin burrat e mëdhenj të Egjiptit, si Sad Zaglul, Ahmed Lutfi, Selame Musa, Luis Ived e të tjerë.
Me ardhjen e Abdu Naserit, filluan thirrjet për kombin arab, duke e kthyer Egjiptin sërish në identitetin e tij arab. Por bojkoti i arabëve ndaj Enver Sadatit, për nënshkrimin e Kamp Dejvid në vitin 1978, i ktheu sërish thirrjet për Egjiptin faraonik. Më vonë, erdhi Husni Mubarak, i cili ndoqi linjën e Sadatit, ku Egjipti merrej me punët e tij të brendshme dhe roli i tij rajonal u kufizua në maksimum.

Të gjithë këto zhvillime, bënë që një pjesë e popullit egjiptian, të besojë se ka identitet faraonik dhe se nuk ka asnjë lidhje me arabët dhe Islamin. Kjo është një realitet për një pjesë shumë të pakët të popullit egjiptian, pasi tek pjesa më e madhe e tij, Islami qarkullon me gjakun në vena. Atë e gjen në çdo aspekt të jetës së egjiptianit, sociale, ideologjike, edukative, artistike, morale dhe vlerore. Është e pamundur ti kuptosh fenomenet njerëzore të jetës së popullit egjiptian, traditat, zakonet, veshjet, ushqimin, shijet, ambiciet, shpresat, ëndrrat etj… veçse nëpërmjet parimeve të islamit, mësimeve, vlerave dhe ideve të tij.
Orvatjet për zhveshjen e popullit egjiptian nga identiteti arab dhe islam dështuan, pasi ato ishin thirrje dhe orvatje jo aktuale. Prandaj dhe një tërheqje e madhe nga këto ide u vu re në mesin e intelektualëve të viteve pesëdhjetë, ku Muhamed Husejn Hejkel shkroi libra për Ebu Bekrin dhe Omerin, Akkadi shkroi për gjenialitetin e shumë figurave islame, duke e kthyer identitetin e popullit egjiptian për islamin akoma më të fortë seç kishte qenë më parë.
Nuk duhet harruar se një pjesë e popullit egjiptian u zhvesh nga identiteti i tij arab dhe islam, bëhet fjalë pikërisht për atë pjesë e cila doli kundër presidentit Mursi, ajo pjesë e cila vazhdon ta refuzojë linjën islame të presidentit të zgjedhur nga populli, ajo që nuk dëshiron që ta shohë Egjiptin me identitetin e vet islam.

Ushtria egjiptiane
Ushtria egjiptiane ka luajtur një rol aktiv në udhëheqjen e popullit pas revolucionit të 1952. Ajo e mori pushtetin në mënyrë të drejtpërdrejtë gjatë Xhemal Abdu Naserit, gjë e cila vazhdoi edhe me Enver Sadatin dhe Mubarakun. Presidentët e rinj, i kushtonin vëmendjen e duhur ushtrisë, institucionit më të rëndësishëm që kishin në duar. Ushtria ishte gurthemeli i shtetit, garantuesi dhe mbrojtësi i tij. Ata treguan kujdesin e duhur që ushtria të harmonizohej me idetë e tyre dhe meqë orientimi i tyre ishte shekullarit, edhe ushtria do të ishte e tillë. Kështu, i ngritën pritë të gjithë orientimeve dhe ndikimeve të tjera, islame qofshin apo joislame.
Ushtria egjiptiane i forcoi marrëdhëniet me ushtrinë amerikane, pas nënshkrimit të Kamp Dejvid nga ana e Enver Sadatit në vitin 1978 me Izraelin, ku Amerika ishte garanti. Amerika e mbajti fjalën dhe e furnizoi ushtrinë me armatimet e nevojshme, si dhe për ndihmën vjetore prej mbi një miliardë dollarë.

Kjo marrëveshje hapi një urë të re komunikimi mes ushtrisë egjiptiane dhe asaj amerikane. Bashkëpunimi ushtarak mes Egjiptit dhe Amerikës, përfshin shkëmbimin e përvojës, konsulencën dhe ofrimin e këshillave.
Kur opozita u ngrit kundër Mursit dhe politikave të tij, duke e akuzuar se kërkon të instalojë Vëllazërinë Myslimane në të gjithë institucionet e shtetit, ushtria me në krye gjeneral Sisin, u vu në lëvizje dhe u kërkoi dy palëve të ulen për bisedime për të sheshuar konfliktin. Me 30 qershor, opozita nxori në shesh njerëzit, duke i bërë thirrje Mursit për të dhënë dorëheqjen. Ushtria deklaroi se numri i protestuesve ishte mbi katër milionë njerëz. Ajo i dha 48 orë kohë Mursit që ti japë fund konfliktit me opozitën, përndryshe do të ndërhynte. Ashtu ndodhi. Abdul Fettah Sisi, me 3 korrik, publikoi hartën e rrugës, e cila përfshinte dhe rrëzimin e Mursit.

Po përse e hodhi këtë hap Sisi bashkë me krerët e ushtrisë?
Ai e bëri këtë sepse ushtria ka orientim shekullarit dhe emëruesi i përbashkët me opozitën është pikërisht shekullarizmi. Kështu, ushtria egjiptiane luan rolin e mbrojtësit dhe garantuesit të shekullarizimit të shtetit, njëlloj siç vepronte ushtria turke më parë.

Përmbledhje:
Këto ishin tre faktorët që së bashku, çuan në rrëzimin e presidentit të zgjedhur nga populli, Muhamed Mursi, nga posti i tij. Këto tre faktorë ishin: Faktori shekullarit, faktori faraonik lokal dhe ushtria e Egjiptit. Këto tre faktorë, lindën dhe u zhvilluan gjatë shekullit të kaluar. Dy faktorët e parë, gjithmonë kanë qenë të kufizuar si në numër ashtu dhe në forcë. Por, numrin dhe forcën e tyre, e plotësoi ushtria egjiptiane, e cila hyri në lojë si garantuese e shekullarizmit./AON

Gazi Tobe
Përktheu: Elmaz Fida

*Qëndrimet e reflektuara në analizë nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet edhe të redaksisë kohaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit