3.4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Çfarë do t’i them Atij?

Më të lexuarat

Kjo ngjarje ka ndodhur në njërin nga vendet arabe, ku jetonin tre djelmosha, që ishin duke e kaluar rininë e tyre kot, në humbje e dëfrim pas kënaqësive të kësaj bote, duke i kaluar gjithë kufijtë e Allahut me mëkate.

Ata nuk mendonin asnjëherë për Allahun e Lartësuar, se Ai është Zoti i madh, i Gjithëmëshirshëm dhe i Gjithëfuqishëm, Mëshirëplotë, i Cili robërve të Tij u jep afat dhe ua shtyn dënimin vetëm e vetëm që ata të pendohen. Por asnjëherë Allahu nuk harron se çfarë kanë bërë robërit e Tij në të kaluarën.

E, kur Ai i dënon, i dënon me një dënim të rëndë që askush nuk ka mundësi që të dënojë me atë lloj dënimi, siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran: “Askush nuk mund të dënojë si Ai.” (Suretu El-Fexhër: 25)

Po ashtu, Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Ja, kështu është ndëshkimi i Zotit tënd, kur dënon vendet që janë zullumqare. Vërtet, ndëshkimi i Tij është i dhembshëm, e i ashpër.” (Suretu Hud: 102)

Një ditë prej ditësh, ata djelmosha kishin dalë në një park në periferi të qytetit e me vete kishin marrë gjithçka me të cilën mund t’i bëhet Allahut mëkat: drogë, alkool, muzikë, etj.

Kur erdhi koha e drekës, njëri nga ata shkoi që të blejë ushqim. Duke shkuar me veturën e tij në qytet, ishte duke dëgjuar muzikë në veturë. Dihet shumë mirë se muzika është e ndaluar me Kuran e Sunet. Vetura e tij gjëmonte nga muzika dhe ai i jepte me shpejtësi shumë të madhe. Nga shpejtësia e madhe humbi drejtimin dhe mbizotërimin mbi veturën e tij dhe u rrokullis. Për disa sekonda mbeti nën veturën e tij dhe muzika e kasetefonit ende ishte me zë të lartë. Pasi u vonua shumë, njëri nga shokët e tij vendosi që të shkonte me veturën e tij që të shikonte se çfarë i kishte ndodhur.

Kur mbërriti te vetura e përmbysur, pa se shoku i tij kishte humbur drejtimin dhe ishte rrokullisur me veturën e tij dhe ishte lënduar shumë, madje ishte thuajse i alivanosur. Shumë shpejt erdhi ndihma e shpejtë dhe u nisën drejt spitalit. Rrugës personi i aksidentuar sikur filloi të pëshpëriste diçka dhe shoku i tij u gëzua për fatin e shokut të tij, se ende kishte mbetur gjallë dhe mendoi se do të shpëtonte nga vdekja edhe këtë herë. Ai afroi veshin më afër që të dëgjonte se çfarë ishte duke pëshpëritur dhe i dëgjoi fjalët që ai po i thoshte me vështirësi: “Çfarë do t’i them Atij? Çfarë do t’i them Atij?”

Shoku i tij u çudit nga fjalët e tij dhe nuk e kuptoi se çfarë donte te thoshte, se për kë e kishte fjalën. E pyeti se për çfarë e kishte fjalën, se kujt do t’i thoshte diçka, dhe ai iu përgjigj: Allahut! Dhe menjëherë vdiq. Shokut të tij këto fjalë i lanë mbresa të thella në shpirtin e tij dhe e kuptoi që pyetja e shokut të tij, se çfarë do t’i thoshte Allahut, vlente edhe për të dhe për të gjithë njerëzimin, prandaj tha: “Vallahi, po unë çfarë do t’i them Allahut? Dhe vendosi që të pendohet nga ajo jetë e kotë plot epshe që ishte duke bërë.

Ai u largua menjëherë nga ajo shoqëri e devijuar dhe mëkatare. Hapi një faqe të re të jetës së tij me Allahun duke u përgatitur për botën tjetër dhe për takimin me Allahun e Madhëruar në Ditën e Gjykimit. O vëllezër musliman, vallahi nuk ka njeri që do t’i shpëtojë pyetjes së Allahut se si e ka kaluar këtë jetë, rininë e tij, jetën e tij. Siç na tregon Muhamedi salAllahu alejhi ue selem në hadithin e tij kur thotë: “Nuk do t’i lëvizin këmbët birit të Ademit në Ditën e Gjykimit derisa nuk pyetet për katër gjëra: për jetën ku e ka harxhuar, për rininë, ku e ka kaluar, për pasurinë, ku e ka fituar dhe ku e ka harxhuar dhe për diturinë, çka ka vepruar me të.” (Hadithi është hasen, transmeton Tirmidhiu)

Lus Allahun e Madhëruar që të na bëjë të qëndrueshëm në fenë e Tij derisa të vdesim dhe që veprat tona më të mira të jenë në fundin e jetës sonë dhe e lusim Allahun e Madhëruar që të na mbrojë nga përfundimi i keq!

Përgatiti: Hevzi Kadriu/klubikulturor/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit