-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Cfar eshte plagjiatura ? | Ekonomia Islame

Më të lexuarat

Plagjiatura në ditët e sotme ka marrë përmasa shqetësuese kudo në botë. Për të luftuar këtë dukuri të shëmtuar universitete të ndryshme të botës po përpiqen të gjejnë metoda për zbulimin e rasteve të plagjiaturës, madje janë krijuar edhe programe të ndryshme softuerike për zbulimin e këtyre rasteve.

Plagjiatura

Çka është, në të vërtetë plagjiatura?

Përkitazi me plagjiaturën shkencëtarët kanë dhënë përkufizime të ndryshme, mirëpo ne do të mjaftohemi me përkufizimin që na e jep Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe:

PLAGJIATURË f. sh. libr. Paraqitja nga dikush e një vepre të një tjetri ose e një pjese të saj sikur të ishte e vetja; vjedhje letrare, muzikore etj. që bëhet duke marrë pjesë nga vepra e dikujt tjetër pa treguar burimin; vepra a pjesa e vjedhur nga një tjetër në këtë mënyrë.[1]

Fjala plagjiaturë rrjedh nga fjala latine “plagium”[2] që do të thotë kusari.

Cilat janë format më të shpeshta të plagjiaturës?

Plagjiatura mund të shfaqet në forma të ndryshme, mirëpo që të gjitha ato përbëjnë shkelje të të drejtave të autorësisë. Në vijim po i paraqesim disa nga këto forma:

1. Kur dikush e paraqet si të veten një vepër, të cilën ia ka punuar tjetërkush (autori i vërtetë nuk dihet).

2. Kur dikush e paraqet një vepër të huaj me emrin e tij (plagjiaturë e plotë).

3. Kur dikush huazon ndonjë tekst (apo pjesë të ndonjë teksti) dhe nuk e bën me dije burimin (plagjiaturë e pjesshme).

4. Kur dikush e përkthen ndonjë shkrim (apo ndonjë pjesë të tij) nga ndonjë gjuhë e huaj dhe nuk e tregon burimin, pra e paraqet si të ishte i tiji (plagjiaturë përkthimi).

5. Kur dikush huazon pjesë të ndonjë teksti të huaj dhe bën ndryshime të vogla në të (parafrazon) pa cituar burimin (plagjiaturë parafrazimi).

6. Kur dikush huazon ndonjë pjesë të ndonjë teksti të huaj, ndoshta edhe e parafrazon atë, por nuk e tregon burimin në vendin e duhur, pra e fsheh në bibliografi apo në ndonjë fusnotë tjetër (plagjiaturë e fshehur).

7. Kur dikush e paraqet një vepër të vetën (apo ndonjë pjesë të saj) në provime apo ngjarje të ndryshme (vetë-plagjiaturë). [3]

Prej formave më të përhapura të plagjiaturës në internet është plagjiatura e pjesshme, gjegjësisht huazimi i teksteve të huaja pa e përmendur burimin, që ndryshe quhet edhe plagjiatura copy & paste. Ky lloj i plagjiaturës zakonisht bëhet për t’i shtyrë njerëzit të mendojnë se teksti i përket personit që e ka huazuar. Mirëpo, mund të ndodhë që ndonjëherë të bëhet edhe për shkak të smirës që kanë plagjiatët ndaj autorit apo ndaj faqes së internetit në të cilin punon autori, duke mos dashur “t’ia rrisin famën”. Sido që të jetë, plagjiatura është dhe do të mbetet gjithnjë e përbuzur, pa marrë parasysh format e saj.

Plagjiatura ndiqet me ligj

Në të gjitha vendet e zhvilluara të botës plagjiatura ndiqet me ligj. Është i njohur rasti i ish-ministrit të Mbrojtjes të Gjermanisë, Karl-Theodor zu Guttenberg, të cilit, pasi u konstatua se në temën e tij të disertacionit kishte pasur tekste të shumta, të cilave nuk i është përmendur burimi, më 23 shkurt 2011 iu revokua grada shkencore “doktor” nga universiteti Bayreuth.[4] Madje, nga presioni i madh iu desh të jepte dorëheqje nga të gjitha postet politike.[5]

Plagjiatura në universitete

Në kohën e internetit, universitetet brengosen rreth plagjiaturës që e bëjnë studentët në punimet e tyre.

Në vitin 2006, Sebastian Sattler-i, për punimin e tij të magjistraturës në sociologji, anketoi 226 studentë të sociologjisë lidhur me temën “universiteti dhe detyrat e shtëpisë”. Pasi kontrolloi punimet e 159 studentëve pa se 19.5% e punimeve të tyre ishin plagjiaturë.[6]

Shkaqet e plagjiaturës te studentët

Që nga zbulimi i internetit, plagjiatura në punimet dhe detyrat e studentëve është rritur dukshëm, sepse kjo gjë është thjeshtësuar tej mase. Por, është edhe më brengosës fakti se shumë studentë plagjiaturën e konsiderojnë si diçka të ligjshme. Prej shkaqeve të plagjiaturës te studentët mund t’i përmendim:

– Përtacia, gjegjësisht mungesa e motivimit.

– Pengesat gjuhësore, kur studentët kanë vështirësi me gjuhën në të cilën duhet të shkruajnë.

– Mungesa e njohjes për së afërmi e detyrës së shkrimit shkencor dhe e rregullave të citimit, mungesa e vetëdijes.

– Keqadministrimi i kohës, presioni i kohës për shkak të afateve të caktuara (duke përfshirë edhe provimet e shpeshta dhe puna krahas studimit).

– Presioni për të arritur nota të mira.[7]

Si ta luftojmë plagjiaturën?

Shumica e njerëzve dëshirojnë të mësojnë, të dinë të shkruajnë dhe t’i përmbahen rregullave etike gjatë shkrimit të tyre. Kështu që, profesorët duhet ta shfrytëzojnë dhe ta kultivojnë këtë fenomen, duke u mbajtur studentëve ligjërata lidhur me plagjiaturën dhe dëmet e saj.

Për të luftuar sa më shumë plagjiaturën patjetër duhet që:

– instruktorët t’ua mësojnë studentëve rregullat e citimit dhe t’ua sqarojnë rrezikun e plagjiaturës,

– duhet të ngrihet vetëdija te njerëzit, e sidomos te studentët përkitazi me plagjiaturën dhe dëmet e saj,

– duhet të formohen komisione, të cilat do të merreshin me identifikimin e rasteve të plagjiaturës,

– duhet kërkuar metoda dhe teknika të ndryshme për zbulimin e këtyre rasteve,

– duhet që plagjiatura të ndiqet me ligj, etj.

 

 

Literatura:

– Wikipedia (http://de.wikipedia.org/wiki/Plagiat)

– Mandy Schiefner, Wissenschaftliche Redlichkeit im Zeichen der Zeit, (http://www.afh.uzh.ch/aboutus/publikationen/G_4_7_Schiefner.pdf).

– Schwarzenegger, Ch., Wohlers, W. 2006. Plagiatsformen und disziplinarrechtliche Konsequenzen. Unijournal der ETH Zürich 36/4 (http://www.rw.uzh.ch/SAP-KLR-STAT/klr/unijournal-2006-4.pdf).

– Sebastian Sattler Plagiate in Hausarbeiten. Erklärungsmodelle mit Hilfe der Rational Choice Theorie. Mit einem Vorwort von Andreas Diekmann. Hamburg 2007, ISBN 978-3-8300-3068-3

– Fjalori i Shqipes së Sotme, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë.


[1] Fjalori i Shqipes së Sotme, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë.

[3] Shih: Schwarzenegger, Ch., Wohlers, W. 2006. Plagiatsformen und disziplinarrechtliche Konsequenzen. Unijournal der ETH Zürich 36/4 (http://www.rw.uzh.ch/SAP-KLR-STAT/klr/unijournal-2006-4.pdf).

[7] Mandy Schiefner, Wissenschaftliche Redlichkeit im Zeichen der Zeit, (http://www.afh.uzh.ch/aboutus/publikationen/G_4_7_Schiefner.pdf)

 

Shkruar nga: Jusuf H. Kastrati

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit