2.1 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Çështje të sigurisë dominojnë fushatën elektorale në Izrael

Më të lexuarat

Pas mosmarrëveshjeve për buxhetin, kryeministri i Izraelit, Netanjahu shpalli zgjedhje të reja. Në fushatën elektorale ai futet me një axhendë të përshtatur vetes. Nëse do ta arrijë dot, kjo nuk është e sigurtë.
Nga një gjendje buxhetore e tensionuar, në një gjendje që i kalon kufijtë është vetëm një hap i vogël. Dhe çfarë ndodh kur bëhet ky hap, këtë e kanë demonstruar bindshëm vitet e fundit disa shtete të BE. Dhe meqenëse ai donte ta pengonte një gjendje të tillë në vendin e tij, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu vendosi të ndërmarrë një plan të ashpër konsolidimi. Të paktën 13 miliardë shekel të rinj (rreth 2,6 miliardë euro) donte të kursente ai në marrëveshje me Bankën federale izraelite. Shkurtimet preknin para së gjithash tri poste buxheti: mbrojtjen, ku qe planifikuar të shkurtoheshin 6 miliardë shekel; infrastrukturën dhe transportin, që duhet t’i shkurtonin shpenzimet me 4,5 miliardë shekel; dhe shpenzimet sociale, të cilat Netanjahu donte t’i shkurtonte me 2,5 miliardë shekel. Pas protestave të konsiderueshme të partnerëve të tij të koalicionit – Netanju qeveris me një koalicion pesëpartish- kryeministri vendosi t’i tërheqë pjesërisht planet për shkurtimet në buxhetin e mbrojtjes dhe në atë social. Meqenëse shkurtimet në fushën sociale qenë sërish shumë të larta për njërin nga partnerët në qeverinë, për partinë konservatore fetare Shas, Netanjahu vendosi që të shpallë në fillim të vitit të ardhshëm zgjedhje të reja.

Terrorizmi dhe kërcënimi nga Irani
Që në vitet e shkuara, izraelitë me orientim kryesisht laik protestuan në demonstrata masive për gjendjen e rëndë ekonomike të shumë qytetarëve. Para së gjithash janë shpenzimet e larta për banimin që u shkaktojnë probleme shumë izraelitëve. Në këtë pikë takohen laikët me pjesët ultraortodokse të popullatës, e cila për shkaqe fetare thuajse nuk merr pjesë në punën e përditshme.

Vërtet që në fushatën elektorale të Netanjahut pritet që të luajë rol edhe tema e shpenzimeve sociale, mendon eksperti i politikës në Universitetin Haifa, Gabriel Weimann. Por kryeministri mund të vërë në rend të parë edhe tema të tjera. “Netanjahu do të përqendrohet me siguri tek çështjet e sigurisë, pra tek ndërtimi i bombës atomike iraniane dhe te terrorizmi”. Netanjahu e di se mund të shënojë pikë me këto çështje. “Nga ana tjetër, ai duhet të jetë pak i interesuar, që zgjedhësit të merren me çështjet ekonomike dhe sociale të vendit, si për shembull me ndarjen sociale në vend”, mendon Gabriel Weimann.

Një politikë e re mbetet e mundur
Se cilin kurs do të ndjekë pas zgjedhjeve Netanjahu, i cili në sondazhe merr mbështetje të madhe për kursin e tij, nuk është e qartë. Eksperti i Izraelit që jep mësim në Universitetin e Mainzit, Alfred Wittstock e konsideron krejtësisht të mundur, që kryeministri të korrigjojë kursin e tij të deritashëm. Përballë problemeve sociale dhe ekonomike, Netanjahu mund të mendojë që të heqë dorë nga kursi i tij i djathtë. “Kjo ka të bëjë edhe me faktin, se Ehud Olmerti, ish-kryetari i Partisë Kadima do të shpallet i pafajshëm nga të gjitha akuzat kundër tij.” Olmerti, i cili ishte kryeministër nga viti 2006 deri në vitin 2009, u akuzua për shpërdorim parash, por u shpall pjesërisht i pafajshëm për akuzat nga një gjykatë. Nëse politikani që konsiderohet i moderuar caktohet nga partia e tij si kandidat për postin e kryeministrit, atëherë Netanjahu duhet të reagojë. “Kjo do t’i ofronte atij mundësinë të lëvizte drejt qendrës politike”, thotë Alfred Wittstock./dw

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit