Ministri i Punëve të Bashkimit Evropian (BE), Ëmer Çelik (Ömer Çelik) tha se ka ardhur koha për rishikimin e Marrëveshjes së Ripranimit, që është arritur me Bashkimin Evropian (më 18 mars 2016).
Ëmer Çelik dha një reportazh për agjencinë “Reuters” të lajmeve në lidhje me tensionin e kohëve të fundit në marrëdhëniet Turqi-BE.
“Në një kohë që Turqia ka bërë çdo gjë që i takon asaj lidhur me marrëveshjen e (ripranimit të) refugjatëve, BE-ja nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet e bëra. Këtë marrëveshje Turqia mund ta rishikojë kur të dojë dhe si të dojë. Madje ka ardhur edhe koha për ta bërë një gjë të tillë”, theksoi ministri, duke shtuar se nuk mendon se ka mbetur më ndonjë arsye për ta vazhduar zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
“Në lidhje me liberalizimin e vizave (për lëvizjen e lirë të qytetarëve turq në vendet e BE-së) ne kemi kuptuar këtë; që BE-ja nuk do të prodhojë një qasje objektive dhe të drejtë në lidhje me këtë çështje, kjo ka marrë fund. Në kushtet e sotme nuk mund ta zgjerojmë legjislacionin për terrorizmin. Do të kishim një takim edhe me Timmermans-in (ndihmëspresidentin e Komisionit Evropian Frans Timmermans), por kur e pashë që nuk kishte progres, nuk besoj se kjo është e nevojshme për momentin”, tha ministri Çelik.
Bërja e premtimeve dhe mos-mbajtja e tyre është shndërruar në një praktikë të BE-së, theksoi Çelik, duke shtuar se marrëdhëniet nuk mund të vazhdojnë më tutje në rast të mos-zgjidhjes së kësaj dileme.