-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Çeku: Serbia duhet ta ketë frikë Kosovën?

Më të lexuarat

Serbia duhet ta ketë frikë Kosovën, nëse vazhdon të ketë pretendime territoriale ndaj saj, vlerëson Agim Çeku, ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ku paralajmëron krijimin e armatës së ardhshme të Kosovës.
Viti 2013 është viti i ushtrisë së Kosovës, këmbëngul ministri Çeku, sipas të cilit ndërtimi i kësaj force po bëhet në bashkërendim të ngushtë me vendet e NATO-së, me synimin që askush të mos e konsiderojë këtë ushtri si rrezik për sigurinë e vet.
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thotë se ky qëllim i fqinjësisë së mirë, ku askush s’ia ka frikën tjetrit, vlen edhe për Serbinë si vend fqinj, por në rast se vazhdon të mos sillet konform standardeve të njëjta, atëherë sipas tij, ushtria e ardhshme do t’i dal ballë trysnive eventuale nga jashtë.
“Do të jetë rrezik për Serbinë, në qoftë se Serbia ka pretendime territoriale. Ne nuk kemi pretendime territoriale për Serbinë, dhe nuk mund të jemi rrezik për të. Por do të jetë faktor shkurajues për Serbinë, me siguri, në qoftë se do të ketë pretendime territoriale ndaj Kosovës. Ky s’është kërcënim [për Serbinë]. Ushtritë në çdo vend, për atë janë [ekzistojnë] për të mbrojtur sovranitetin. Është obligim, është mision. Edhe i ushtrisë sonë e edhe i çdo ushtrie tjetër”.
Forca e Sigurisë së Kosovës, është formuar në bazë të planit të Ahtisaarit, dhe ka 3,000 pjesëtarë të uniformuar dhe të armatosur lehtë.
Ministri Agim Çeku, sqaron se ushtria e ardhshme e Kosovës është nevojë për vendin, meqë një prej parakushteve të strategjisë dalëse të NATO-së nga Kosova, është pikërisht ndërtimi i kapaciteteve vetjake të Kosovës.
Andaj në saje të rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë, ai thotë se edhe emri i përafërt është gjetur për ushtrinë e ardhshme të Kosovës, në saje të evoluimit të FSK-së.
“Në qoftë se FSK-ja merr detyra, dhe kompetenca, dhe me siguri se do ta merr obligim për mbrojtjen e vendit, për mbrojtjen e sovranitetit, dhe integritetit territorial, me siguri që do ta ketë [emrin], së paku Forcat e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës”, thotë Cceku për Radion Evropa e Lirë.
NATO-ja në bashkëpunim me FSK-në është duke e bërë këtë studim për të caktuar konkretisht se cilat kapacitete i mungojnë Kosovës, për të qenë e aftë dhe në gjendje që të garantojë sigurinë.
Krahas kësaj, ushtria e ardhshme e Kosovës edhe do të duhet të ketë një simetri me armatat e tjera në rajon, për të garantuar një balans të forcës.
“Raporti inicial i këtij studimi do të dal në qershor të këtij viti, dhe aty mendoj ne në qershor, ndoshta nuk do ta kemi ushtrinë, sepse ushtria bëhet me ligj, por do ta kemi, do të dihet se Kosova do ta ketë dhe çfarë ushtrie do të ketë. Viti 2013, është viti i ushtrisë. Padyshim!”, tha ministri.
Sipas tij, studimi është një proces e jo një ngjarje, dhe se në bazë të tij në qershor do të merren vendime të rëndësishme për të ardhmen e vendit, meqë do ta vendos forcën e saj të ardhshme ushtarake në binarë.
Kosova deri më tani ka nënshkruar vetëm një marrëveshje për bashkëpunim ndërkombëtar në fushën e sigurisë – që ndryshe njihet si Marrëveshja e Statusit të Forcës (Status of Forces Agreement-SOFA) dhe atë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Administrata në Prishtinë, ka nisur procedurat që së shpejti të nënshkruaj të njëjtën marrëveshje edhe me Shqipërinë./Indeksonline/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit