Pyetja:
Ç’duhet të bëjë haxhiu që haxhi i tij të jetë i pranuar tek Allahu xhele shanuhu?
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Që haxhi të jetë i pranuar, duhet që të bëhet sinqerisht nijeti për kryerjen e haxhit për hir të Allahut xhele shanuhu dhe të bëhen të gjitha ceremonitë e haxhit ashtu siç i ka bërë edhe Pejgamberi salallahu alejhi ue selem. Pra, çdo vepër e mirë nuk pranohet tek Allahu pa plotësuar këto dy kushte:
1. Sinqeriteti,
2. Kryerja e atij obligimi ashtu siç e ka kryer Pejgamberi salallahu alejhi ue selem.
Allahu xh.sh. thotë: “E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zekatin, se ajo është feja e drejtë.” [El-Bejjineh, 5]
Gjithashtu, Pejgamberi salallahu alejhi ue selem thotë: “Me të vërtetë çdo vepër shpërblehet sipas qëllimit.”
Dhe thotë: “Ai i cili punon ndonjë punë që nuk e kemi bërë ne, ajo është e refuzuar.”
Pra, haxhiu kësaj duhet t’i kushtojë rëndësi, që të jetë i sinqertë në qëllimin e tij, që qëllimi të jetë vetëm për hir të Allahut e assesi për shkak se “do të më quajnë të tjerët haxhi”.
Pastaj, duhet të ketë kujdes që të mos bëjë diçka që nuk e ka bërë Pejgamberi salallahu alejhi ue selem, sepse ajo do të jetë e refuzuar, por t’i kryejë ceremonitë e haxhit ashtu siç i ka kryer edhe Pejgamberi salallahu alejhi ue selem. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Merrni nga unë ceremonitë e haxhit.”
Nga kushtet e tjera është edhe që haxhi të bëhet me para hallall, sepse haxhi me para haram nuk është i lejuar, ndërsa disa dijetarë thonë se ai haxh nuk është i pranuar tek Allahu xhele shanuhu.
Pastaj duhet që haxhiu të mos shajë dhe të mos grindet me dikë. Ai duhet t’i përmbahet ajetit, ku Allahu xhele shanuhu thotë: “Haxhi është në muajt e caktuar, e kush bën (ia fillon të zbatojë) haxhin në këta muaj, nuk duhet t’i afrohet gruas, nuk bën të marrë nëpër këmbë dispozitat e sheriatit, as nuk duhet të shkaktojë grindje.” [El-Bekare, 197]
Haxhiu gjatë haxhit duhet t’u largohet të gjitha ndalesave dhe duhet të jetë i butë dhe të mos i shqetësojë muslimanët e tjerë me gjuhën e tij apo dorën e tij. Gjithashtu, duhet që haxhiu t’i mësojë të gjitha dispozitat e haxhit nga ndonjë hoxhë, që ta adhurojë Allahun xhele shanuhu me argumente e jo nga hamendja e tij apo si veprojnë të tjerët.
Përgatiti: Eroll Nesimi
Marrë nga fetvaja e Shejh Uthejminit, Allahu e mëshiroftë, me sqarime të shkurtra
23.11.2007