ANKARA (AA) – Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, gjatë vizitës së tij në Shqipëri tha se në qoftë se SHBA-të zhvendosin ambasadën e tyre në Jerusalem, atëherë në rajon do të vijë kaosi në vend të paqes, raporton Anadolu Agency (AA).
“Shpresojmë që këto lajme të mos jenë të vërteta, të jenë të gabuara”, tha Çavuşoğlu në fjalën e tij në ceremonimë e ndarjes së Çmimeve “Mehmet Akif Ersoy” në Shkencë dhe Art në Tiranë, duke iu referuar lajmeve se SHBA-të do ta transferojnë ambasadën nga Tel Avivi në Jerusalem.
“Një hap i tillë, ashtu sikurse nuk do të kontribuonte në zgjidhjen e problemit, do të bënte strukturën rajonale edhe më të brishtë dhe më të rrezikshme, ndërsa në vend të paqes, do të vinte kaosi. Procesi i zgjidhjes do të zhbëhej tërësisht”, tha shefi i diplomacisë turke.
Ai theksoi se zgjidhja e vetme për problemin mes Izraelit dhe Palestinës është zgjidhja me dy shtete të pavarura.
“Një shtet i pavarur palestinez me kufijtë e vitit 1967 dhe me kryeqytet Jerusalemin Lindor si dhe një shtet izraelit. Paqja dhe qetësia në rajon mund të sigurohet vetëm në këtë mënyrë”, tha ministri Çavuşoğlu, duke shtuar se Jerusalemi është vendi i shenjtë për tre fetë dhe se çdokush duhet ta respektojë këtë fakt.
Ai tha se edhe sikur çdokush të hesht lidhur me këtë çështje, Turqia nuk do ta bëjë një gjë të tillë. “Ne themi të vërtetat dhe qëndrojmë kundër gjërave të gabuara”, shtoi Çavuşoğlu.