Ministri i Punëve të Jashtme Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) ka reaguar ndaj qëndrimit hipokrit të vendeve perëndimore në lidhje me terrorizmin.
“Operacioni “Dega e Ullirit”, i filluar nga Forcat e Armatosura të Turqisë për të neutralizuar anëtarët e PKK/KCK/PYD-YPG dhe DAESH-it në zonën Afrin të Sirisë, si dhe për të shpëtuar popullatën miqësore e vëllazërore të rajonit nga represioni dhe persekutimi i terroristëve, nuk është një operacion që bëhet vetëm me synimin për të eliminuar një kërcënim që i drejtohet Turqisë, por është një operacion që realizohet për të sjellë qetësinë, paqen, stabilitetin në Siri dhe për të ruajtur kufijtë dhe tërësinë territoriale të Sirisë”, tha Çavushollu në një fjalim që mbajti të premten në qytezën Manavgat të Antalias.
Ndërsa nga njëra anë Turqia vazhdon të rritet, nga ana tjetër ajo do të eliminojë të gjitha kërcënimet që do ti vijnë nga cilido.
Në Afrin është parë edhe një herë bashkëpunimi që organizatat terroriste PKK/KCK/PYD-YPG dhe DAESH bëjnë me njëra-tjetrën, theksoi Çavushollu, ndërsa shtoi se terroristët po marrin nën armë edhe banorët e krishterë të zonës.
Duke iu referuar deklaratës së kryetarit të Unionit Botëror të Asirianëve (Johny Messo, 01.02.2018), ministri Çavushollu tha PKK/KCK/PYD-YPG po i detyron të gjithë fëmijët e krishterë në Afrin të luftojnë kundër Turqisë, po grabit pasuritë e të krishterëve; në zonë ka sjellë pjesëtarë të DAESH-it dhe e gjithë bota e krishterë po hesht përballë kësaj situate.
Çavushollu reagoi edhe ndaj deklaratave të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron për operacionin (turk). “Të mos merakosen aspak, pasi ne nuk jemi Franca, ne jemi Republika e Turqisë, ne jemi turq. Të gjitha vendet që dikur i kanë pushtuar kontinentet, që i kanë parë vendet e tjera si koloni dhe që i kanë shfrytëzuar ato mendojnë se edhe Turqia është si ata. Ne ua njohim shumë mirë të kaluarën këtyre. Ne e shikojmë se çfarë kolonizuesish janë”, nënvizoi shefi i diplomacisë turke.
Autoritetet turke kur shkojnë në Afrikë i shikojnë si një vlerë të veçantë këto vende,- theksoi Çavushollu, duke shtuar se Turqia është e dyta në botë për sasinë e ndihmave humanitare.
Me raketat që hedhin terroristët, që kanë pushtuar Afrinin, vriten civilët brenda kufijve të Turqisë, u shpreh Çavushollu dhe iu drejtua me këto fjalë vendeve Perëndimore: “Përse i anashkaloni këto? Përse nuk i mbroni të drejtat e civilëve që vdesin këtu (në Turqi)? Mos duhet të jesh vallë terrorist që të të mbrohet e drejta?! Përse mbroni vetëm të drejtat e terroristëve? Përse merrni në mbrojtjen puçistët, pjesëtarët e organizatës terroriste FETO, dhe nuk mbroni të drejtat e 251 vëllezërve tanë që ranë dëshmorë natën 15 korrikut, apo të drejtat e familjeve të tyre? Përse nuk mbroni të drejtat e 2 mijë e 194 shtetasve tanë që u plagosën në atë natë? A nuk janë njerëz këta? Përse detyroheni të mbroni përherë terroristët, puçistët?! Kjo ka vetëm një shpjegim, armiqësia kundër Turqisë, turkofobia, islamofobia, xhelozia dhe ligësia”.
Përballë kësaj tabloje Turqia duhet të jetë shumë e fuqishme, përfundoi ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavushollu.