9 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Çavuşoğlu: Mbështesim procesin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit

Më të lexuarat

“Ne si disa të tjerë, nuk e shikojmë Ballkanin si një zonë të konkurrencës. Ne nuk jemi një shtet apo komb që përpiqet që të sigurojë interes nga problemet në mes të shteteve të Ballkanit”

 

Ministri i Jashtëm i Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, sot në Prizren u shpreh se Turqia mbështet procesin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe se nuk e shikojnë Ballkanin si një zonë të konkurrencës, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Jashtëm i Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, në kuadër të vizitës së tij dy ditore në Kosovë sot vizitoi qytetin e Prizrenit, ku realizoi një takim me bashkatdhetarët turq në Kosovë, ku morën pjesë edhe ministri i Administratës Publike në Kosovë Mahir Yağcılar, ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë Kıvılcım Kılıç, konsullja e Përgjithshme në Prizren, Eylem Altunya dhe deputetët e komunitetit turk në Kosovë.

Çavuşoğlu tha se në kuadër të vizitës së tij në Kosovë ka realizuar takime shumë frytdhënëse. Ai tha se ndodhet në Kosovë për të theksuar edhe një herë mbështetjen e Turqisë për Kosovën në këtë periudhë kritike. Duke vënë në dukje se Turqia është ndër shtetet që ka dhënë mbështetjen më të fuqishme për zhvillimin ekonomik dhe pavarësinë e Kosovës, Çavuşoğlu tha se tregtia dypalëshe dhe investimet e kompanive turke në Kosovë po vazhdojnë të rriten.

“TIKA ka realizuar më shumë se 600 projekte në Kosovë dhe vlera totale e këtyre është gjithsej 100 milionë euro”, tha ai, duke shtuar se janë aktive edhe në fushën e kulturës dhe arsimit me Institutin “Yunus Emre” dhe Fondacionin Maarif.

Duke vënë në dukje se Ballkani është një prej elementëve kryesore të politikës së Turqisë, Çavuşoğlu theksoi se Ballkani është prioritet i tyre. “Ne si disa të tjerë, nuk e shikojmë Ballkanin si një zonë të konkurrencës. Në të njëjtën kohë ne nuk jemi një shtet apo komb që përpiqet që të sigurojë interes nga problemet në mes të shteteve të Ballkanit. Për këtë arsye ne mbështesim procesin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.Ne e dimë se nuk do të jetë një proces i lehtë, por shpresojmë se do të rezultojë në një mënyrë të cilën do të pranojnë që të dy palët. Jemi të gatshëm që të ofrojmë çdo kontribut për këtë çështje”, tha ai.

Duke rikujtuar tentativën për grusht shteti të vitit 2016 në Turqi, Çavuşoğlu tha se pas kësaj tentative shtete të shumta kanë parë se sa e rrezikshme është organizata terroriste FETO, e cila ndodhet prapa kësaj tentative. Ai tha se tani shtete të shumta kanë transferuar shkollat e kësaj organizate te Fondacioni Turk Maarif, ose kanë marrë vetë menaxhimin e tyre për të cilat ofron mbështetje Fondacioni Maarif dhe Ministria e Arsimit të Turqisë.

“Është e drejtë e jona më e natyrshme që gjërat e njëjta të kërkojmë edhe nga shteti mik dhe vëlla Kosova”, tha ai, duke shtuar se këtë e ka shprehur edhe në takimet e realizuara dje dhe sot me zyrtarët kosovarë.

“Siç shihet, ashtu si në Turqi këta nuk janë të vetëm as këtu, kanë mbështetjen e shteteve të treta, të misioneve të tyre. Ne e dimë që këta nuk janë të vetëm. Për fat të keq këtu deri më sot realizuan aktivitetet e tyre, por në takimet tona bashkëbiseduesit tanë thanë se nuk do të lejojnë askënd që është në aktivitet kundër Turqisë. Por kemi pritje për ekstradim në Turqi dhe duam që këto kërkesa të përmbushën, do të vazhdojnë përpjekjet tona në këtë drejtim”, shtoi kryediplomati i Turqisë.

Gjatë këtij takimi, ministri Yağcılar deklaroi se Kosova po kalon nga një proces i rëndësishëm. “Procesi i dialogut është një provim dhe pritje e rëndësishme për Kosovën dhe të ardhmen e Kosovës. Në këtë kuadër në fillim vjen mbrojtja e integriteti të Kosovës dhe të stabilitetit të saj”.

Kujtojmë se Çavuşoğlu pas vizitës së tij në Shqipëri ku zhvilloi takime me zyrtarë të lartë të këtij shteti, dje nisi vizitën e tij zyrtare në Kosovë, ku u takua me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Jashtëm, Behgjet Pacolli. Sot gjatë ditës Çavuşoğlu u takua edhe me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit