Ministri i Jashtëm Mevlyt Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) zhvilloi një bisedë telefonike me Sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson.
Ministri i Jashtëm Mevlyt Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) zhvilloi një bisedë telefonike me Sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson.
Biseda e Çavushollusë me homologun amerikan u zhvillua me kërkesë të sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson.
Në bisedë u shkëmbyen mendime në lidhje me gjendjen në rajonin e Gjirit Persik dhe çështjet e Irakut dhe Sirisë.
Ndërkaq, në programin e iftarit në nënprefekturën Allanja (Alanya) të rrethit Antalya, Çavushollu në fjalimin e mbajtur në lidhje me krizën ndërmjet Katarit dhe disa vendeve arabe, tha: “Ne japim kontribut për zgjidhjen e problemit. Në një periudhë ku përjetojmë muajin e Ramazanit, duhet që vëllazëria të përforcohet dhe solidariteti duhet të fuqizohet më shumë. Ne nuk e shohim të drejtë këtë krizë dhe këto hapa. Madje nuk shohim të drejtë vendimet e marra jo kundër qeverive por kundër popullit. Ne nuk shohim të drejtë, njerëzore dhe islamike embargon e ushqimeve dhe ilaçeve gjatë Ramazanit. Çfarë faji kanë njerëzit?”.
Ai theksoi se Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) i ka telefonuar shumë liderëve në botë në lidhje me krizën e Katarit si dhe vazhdon të telefonojë për të arritur zgjidhjen e çështjes.
“Sepse ne jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë dhe ashtu siç kemi luajtur një rol konstruktiv deri më sot ashtu do vazhdojmë edhe në të ardhmen” tha Çavushollu duke nënvizuar se Turqia i ka përballuar problemet me të cilat ka mbetur ballë për ballë.
Ai tërhoqi vëmendjen edhe në problemet e Sirisë dhe Irakut dhe theksoi se tërësia territoriale e këtyre vendeve është e padiskutueshme për Turqinë.