Ç’thanë mediat e huaja mbi Ramazanin?
Thuajse të gjithë mediat ndërkombëtare i kanë kushtuar vëmendje fillimit të muajit të Ramazanit, njëkohësisht fillimit edhe të agjërimit. Shumë prej tyre shkruajnë për uljen e krimeve gjatë këtij muaji, domethënien fetare të agjërimit dhe për vendet ku nuk ka perëndim të Diellit.
“Muaji i agjërimit, Ramazani, ka një domethënie të veçantë për mbi 4 milionë muslimanë gjermanë. Kurani i detyron ata që nga 18 Qershori, të agjërojnë çdo ditë, të falin namazin dhe të japin lëmoshë”, shkruan mes tjerash tabloidi Bild.
Më pas tabloidi sqaron edhe mënyrën e agjërimit dhe sesi gjatë këtij muaji ulen krimet në Stamboll.
“Nga agimi deri në perëndim të Diellit, muslimanët nuk duhet të hanë, të pijnë, dhe të kryejnë marrëdhënie seksuale. Por jo vetëm kjo, pasi muslimanët duhet t’u shmangen edhe fjalëve të kota e gënjeshtrave, ka ndikuar në uljen e krimeve përgjatë këtij muaji. Në Stamboll, gjatë Ramazanit vjedhjet ulen në 16%”, e përfundon artikullin Bild
E përditshmja zvicerane, NZZ, e ka përshkruar këtë fillim të muajit të shenjtë, me fotografi dhe sqarime të gjata nga e gjithë bota Islame. Ajo shkruan sesi gëzohen fëmijët në Filipine, sesi në Bahrein shikojnë me dylbi Hënen e re, por ka edhe disa foto të emigrantëve në kufijtë e Evropës, që sipas NZZ, “përkundër vuajtjeve dhe migrimeve, ata e presin Ramazanin me falje e agjërim”
Edhe britanikja, The Economist, ka shkruar disa artikuj për fillimin e Ramazanit dhe tregon për oraret e ndryshme të agjërimit. “Muaji i Ramazanit është muaji i nëntë i kalendarit Islam dhe fillon me shfaqjen e Hënës së re. Këtë vit, në shumë vende ky muaj i gjen në 18 Qershor. Në Brazil duhet të agjërohet 11 orë, Egjipt 14 orë, Hollandë 18 orë, Gjermani 16 orë, ndërsa në vendet nordike deri në 21 orë”, shkruan The Economist, që njëherësh ka botuar edhe një tabelë me oraret e agjërimit.
Një artikull të gjatë ka shkruar edhe New York Times, që u përgjigjet disa nga pyetjet më me rëndësi për këtë muaj, “Pse agjërojnë muslimaët?”, “Si agjërojnë”, “Si kryhet iftar?”, “Kush lirohet prej agjërimit?”.
Në pyetjen e fundit New York Times, i kushton rëndësi edhe muslimanëve ujgurë në Kinë.
“Agjërimi nuk është obligim për fëmijët, udhëtarët, grave gjatë ciklit të mensturacioneve. Mirëpo përkundër kësaj, në disa nga vendet e Lindjes së Mesme, si në Emiratet e Bashkuara dhe Saudi, mund të dënohesh nëse ha ushqim në publik.
Interesante që Partia Komuniste në Kinë ka ndaluar profesorët, studentët dhe administratën, që të agjërojnë gjatë Ramazanit. Bile edhe fëmijët dhe gratë që të shkojnë në xhami dhe të veshin mbulesën respektivisht”, shkruan e përditshmja New York Times.
Magazina gjermane, Der Spiegel, shkruan gjithashtu për emigrantët, ditët e gjata të agjërimit, dhe kohën kur fillon agjërimi.
“Fillimi i Ramazanit ka një domethënie të rëndësishme për 1.4 miliardë muslimanë, që sot i gjen nga shpërnguljet e shumta të sirianëve e afganistanezëve, deri te vilat luksose të arabëve të Gjirit. Ata duhet të nisin abstenimin nga haja, pija dhe marrëdhëniet intime, prej momentit kur të dallohet qartazi peri i bardhë dhe i zi”, shkruan mes tjerash Der Spiegel.
“Pas 29 ditësh agjërim, fillon festa tre ditore e Fitër Bajramit, që ju mund t’ua uroni kolegëve muslimanë arabë e turq me shprehjen – Id al-Fitr Mubarek Kerim ose Bajram Mubarek Olsun gjegjësisht,” e përfundon magazina gjermane.
Përgatiti
Fitim Dika