Kryeministri i Maqedonisë, Nilloka Gruevski ka ftuar partitë opozitare që të mos manipulojnë me qytetarët duke bllokuar miratimin e buxhetit për vitin 2013.
Gruevski e ka bërë apelin, siç ka thënë vetë ai, jo si kryeministër dhe politikan, por si njeri dhe qytetar i thjeshtë.
Sipas tij, mos miratimi i buxhetit lë peng dy milion qytetarë të vendit, maqedonasit, turqit, serbët, vllehët, ndërsa me qëllim apo pa qëllim, ka harruar të përmend shqiptarët të cilët zyrtarisht përbëjnë mbi 25 për qind të popullsisë.
“Po afrohet Viti i Ri dhe qytetarët, në vend se të ndihen të relaksuar dhe të përgatiten për festat, jetojnë në ngërç nëse do të ketë vitin tjetër rroga, pensione, subvencione, nëse do të përfundohet ndërtimi i ndonjë spitali i nisur më parë etj. Kështu që, apeloj që nëse nuk e duan Nikola Gruevskin ose VMRO-DPMNE-në, të vazhdojnë të diskutojnë me ne, le të na sulmojnë, le të pështyjnë… Kjo është betejë politike, unë do të mbrohem dhe do të përgjigjem në çdo akuzë dhe do të shpjegoj çdo gjë, ashtu siç dhe punoj. Por nëse vazhdojnë të lënë peng dy milionë frymë të gjalla, maqedonas, turq, serb, vlleh etj, kjo nuk është mirë për shtetin dhe vetë qytetarët, deklaroi Gruevski.
Gruevski ka theksuar se më këto veprime partitë opozitare nuk mund të përfitojnë asnjë poenë politikë, sepse qytetarët shohin dhe janë të vetëdijshëm për politikat të cilat i zhvillon mazhoranca dhe opozita.
Ndërkaq, lideri i LSDM-së, Branko Cërvenkovski ka deklaruar se partia në pushtet po ndjek rrugën e gabuar për sa i përket ngërçit lidhur me buxhetin e vitit 2013.
“Ata dëshirojnë ta mbajnë pushtetin, me çdo çmim, pa zgjedhur mjete, me forcë, me kërcënime dhe presioni. Me shkeljen e kushtetutës dhe ligjeve, dhe me frikësime. Pikërisht, këto ditë në parlament, edhe sot në këtë moment, tentojnë ta shkelin kushtetutën, ligjin, dhe rregulloren. Synojnë të instalojnë shtet partiak, të ndërmarrin puç partiak, të shkatërrojnë dhe shkelin demokracinë dhe shtetin juridik në Maqedoni,” ka deklaruar Crvenkovski. (INA)/kohaislame