4.2 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Butësia

Më të lexuarat

Butësia

Butësia është atribut i Allahut të Madhëruar dhe Ai, madhëruar qoftë përherë, nuk bën dallim ndërmjet personave kur të shfaqë butësi. Një këshillë e Pejgamberit, alejhi selam, drejtuar ndjekësve të Islamit thotë: “Zbatoni atributet hyjnore!”. Ne duhet, pra, ta pranojmë këtë këshillë e ta përvetësojmë dhe, normalisht, më pastaj, të shfaqim butësi ndaj krijesave të Allahut të Lartësuar. Ne duhet të tregohemi të butë, në veçanti, ndaj fëmijëve, ndaj prindërve, ndaj miqve e farefisit, ndaj më të rinjve, ndaj më të moshuarve, ndaj shërbëtorëve, ndaj të dobëtve, ndaj të të pikëlluarve si dhe ndaj qenieve njerëzore tjera me të cilat kemi marrëdhënie. Më tej, me qëllim për ta fituar butësinë e të Lartësuarit, ne duhet të tregojmë butësi madje edhe ndaj atyre që nuk janë të butë ndaj nesh. Ne, pra, nuk duhet ta harrojmë shembullin e Pejgamberit tonë të dashur, alejhi selam, i cili u dha trajtim shumë të butë madje edhe armiqve më të ligë në ditën e çlirimit të Mekes. Megjithëse ata e kishin persekutuar Pejgamberin, alejhi selam, dhe shokët e tij, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!, disa herë dhe i kishin dëbuar nga Meka, prapëseprapë, Pejgamberi, alejhi selam, ua fali dhe i trajtoi me butësi!

Argumente nga Kur`ani

1) “Adhurojeni Allahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send! Silluni mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmve, ndaj jetimëve, ndaj të varfërve, ndaj fqiut të afërt, ndaj fqiut të largët, ndaj shokut pranë vetes, ndaj udhëtarit të largët dhe ndaj robërve! Allahu nuk e do atë që është kryelartë dhe atë që lavdërohet!” (Kur’an, 4: 36).

2) “Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna! Ju këshillon ashtu që të merrni mësim!” (Kur’an, 16: 90).

3) “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve! Nëse njërin prej tyre ose që të dy i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of – oh”, as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta, respektuese)!” (Kur’an, 17: 23).

Argumente nga Sunneti

1. Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Ai që është i privuar nga butësia, është i privuar nga të gjitha!”.

[Transmeton Muslimi]

2. Ajshja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Atij që i jepet pjesë nga butësia, i është dhënë pjesë nga mirësia e kësaj bote dhe botës tjetër; ndërkaq, ai që është privuar nga pjesa e tij e butësisë, ai është i privuar nga pjesa e tij e mirësisë së kësaj bote dhe botës tjetër!”.

[Sharhi-Sunneh]

3. Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Të gjitha krijesat janë nën përkujdesjen e Allahut! Më i dashuri tek Allahu i Lartësuar është ai që është më i dobishëm ndaj të përkujdesurve të Tij!”.

[Transmeton Bejhakiu]

4. Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Gjithsecili që i ka tri gjëra në vete, Allahu i Madhëruar do t’ia lehtësojë vdekjen dhe do ta pranojë në Xhennet, edhe atë: mëshirën ndaj të dobëtve, butësinë ndaj prindërve dhe mirëbërjen ndaj shërbëtorëve!”.

[Transmeton Tirmidhiu (hadith i rrallë)]

5. Xherir ibën Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Allahu i Lartësuar nuk tregohet i butë ndaj atij që nuk është i butë ndaj njerëzve!”.

[Transmeton Buhariu dhe Muslimi]

6. Ajshja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Allahu është i butë, e do butësinë dhe Ai jep (kompenzon, shpërblen (sh.p.)) për butësinë çka nuk jep për vrazhdësinë dhe çfarë nuk jep për asgjë tjetër!”.

Në një transmetim tjetër qëndron se ai (Pejgamberi, alejhi selam) i ka thënë Ajshes: “Duhet t’i afrohesh butësisë dhe t’i shmangesh vrazhdësisë e paturpërsisë! Nuk mund të ndodhë që butësia të rastisë në ndonjë gjë e të mos e zbukurojë atë dhe se, njëjtë, s’mund të ndodhë që të mos jetë në ndonjë gjë e të mos e privojë nga turpërimi e marrëzia!”.

[Transmeton Muslimi]

7. Ajshja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) tregon se, një herë, një endacak arab kishte ardhur te Pejgamberi, alejhi selam, dhe i tha: “A i puth ti fëmijët? Ne nuk i puthim!”, kurse Pejgamberi, alejhi selam, i tha: “Nuk kam çfarë të të bëj kur Zoti e ka hequr mëshirën prej zemrës sate!”.

[Transmeton Buhariu dhe Muslimi]

Përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI, 01.11.2008

Shkëputur nga libri: Kodi Social dhe Moral në Islam

Autor: Muhammed el-Kudri

Arsim JONUZI

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit